Foto nga VCG
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u shpreh të mërkurën që Kina është e gatshme të punojë me Brazilin për të thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe për të shfrytëzuar qëndrueshmërinë dhe përplotësueshmërinë e këtij bashkëpunimi për të përballuar në mënyrë efektive pasiguritë e jashtme.
Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme, i tha këto gjatë një bisede telefonike me Celso Amorim, kryekëshilltar i presidentit brazilian.
Kryediplomati kinez vuri në dukje që, nën udhëheqjen strategjike të presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, Kina dhe Brazili kanë bashkëpunuar për ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta, me synimin për një botë më të drejtë dhe një planet më të qëndrueshëm. Sipas tij, kjo pasqyron vizionin e përbashkët dhe ndjenjën e përgjegjësisë të dy vendeve kryesore në zhvillim për të promovuar një rend botëror shumëpolar, për të mbrojtur rregullat ndërkombëtare dhe për të ruajtur drejtësinë e barazinë globale.
Wang theksoi më tej se Kina mbështet fuqimisht të drejtën e Brazilit për zhvillim dhe kundërshton praktikat e ngacmimit nëpërmjet tarifave arbitrare. Si vendet më të mëdha në zhvillim përkatësisht në hemisferën lindore dhe hemisferën perëndimore, Kina dhe Brazili e kanë mbështetur vazhdimisht njëri-tjetrin, kanë pasur bashkërendim të ngushtë dhe kanë mbrojtur me vendosmëri interesat e tyre të ligjshëm, si edhe ato të vendeve të Jugut Global.
Nga ana e tij, Amorim tha se Brazili është i gatshëm të thellojë bashkëpunimin me Kinën në tregti, financa e fusha të tjera, si edhe të punojë me Kinën për përmirësimin e mekanizmit të BRICS-it, forcimin e solidaritetit dhe vetëbesimit të vendeve të Jugut Global dhe mbrojtjen e drejtësisë ndërkombëtare.
Duke shkëmbyer mendime me këshilltarin presidencial brazilian mbi krizën në Ukrainë, Wang theksoi se të dyja vendet duhet të ruajnë komunikimin dhe të përpiqen së bashku për të krijuar konsensus më të madh brenda Jugut Global mbi arritjen e një armëpushimi dhe nxitjen e dialogut nëpërmjet Grupit të Miqve për Paqen, me synim zgjidhjen politike të krizës.