foto nga Ministria e Mbrojtje Kombëtare
Një zëdhënës kinez kritikoi të premten Shtetet e Bashkuara për fshehjen e agresionit dhe krimeve të Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se pala amerikane duket se ka “amnezi” për këtë histori.
Jiang Bin, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, i bëri komentet në përgjigje të një deklarate të Departamentit Amerikan të Shtetit që pretendonte se 80 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia “i dhanë fund një lufte shkatërruese në Paqësor”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, fashistët japonezë kryen krime të tmerrshme dhe shkaktuan vuajtje të pallogaritshme mbi njerëz në mbarë botën, përfshirë amerikanët, theksoi Jiang.
“Zbehja e agresionit dhe krimeve të luftës të Japonisë, është një fyerje e rëndë ndaj drejtësisë historike dhe dëmton popujt e vendeve që dikur vuajtën nga pushtimi japonez”, shtoi zëdhënësi.
Duke vënë në dukje se ky vit shënon 80-vjetorin e fitores së Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez Kundër Agresionit Japonez dhe Luftës Botërore Antifashiste, Jiang i kërkoi palës amerikane të heqë dorë nga llogaritjet gjeopolitike, të mbështesë një pikëpamje të saktë historike të Luftës së Dytë Botërore dhe të bashkohet me komunitetin ndërkombëtar në ruajtjen e rendit pas Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë që të përpiqet për një të ardhme më paqësore për njerëzimin.