Hapet në Pekin Konferenca Botërore e Automjeteve Inteligjente të Lidhura me Internetin për vitin 2025

Konferenca Botërore e Automjeteve të Lidhura Inteligjente 2025 hapet në Pekin, Kinë, më 16 tetor 2025. /VCG

Të enjten u hap në Pekin Konferenca Botërore e Automjeteve Inteligjente të Lidhura me Internetin e vitit 2025, për të eksploruar prirjet, inovacionet dhe modelet e reja të biznesit në këtë sektor.

Kjo veprimtari treditore, që është organizuar në bashkëpunim nga Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit (MIIT), Ministria e Transportit dhe Bashkia e Pekinit, pritet të tërheqë rreth 1 000 pjesëmarrës nga e gjithë bota, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë, përfaqësues të industrisë, dijetarë dhe studiues.

Konferenca, që ka si temë “Bashkimi i diturisë, lidhje pa kufi”, ka tre sesione plenare e tre forume të specializuara, duke trajtuar çështje të tilla kryesore si kuadri i politikave, përparimet teknologjike, protokollet e sigurisë, integrimi i inteligjencës artificiale, aplikimet në botën reale dhe qeverisja e të dhënave në ekosistemin e automjeteve inteligjente të lidhura me internetin.

Sipas MIIT-it, konferenca do të përmbajë gjithashtu një varg diskutimesh dhe turesh që synojnë thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Gjatë konferencës së këtij viti, ne do të përparojmë bashkëpunimin praktik ndërkombëtar. Kjo është hera e parë që ftojmë zyrtarë të huaj në nivel ministror për të marrë pjesë, që organizojmë ture të diplomatëve të huaj në industrinë e automjeteve të Kinës dhe që mbajmë takime të bashkëpunimit dypalësh me Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë, për të nxitur më tej bashkëpunimin dhe shkëmbimet ndërkombëtare,” tha Guo Shougang, një zyrtar i MIIT-it.

Në veprimtari do të zbulohen edhe një numër arritjesh kryesore, duke përfshirë ngritjen e një baze pilot kombëtare për aplikimet e AI-së në sektorin e automjeteve, vënien në zbatim të “10 skenarëve funksionalë kryesorë për bashkërendimin makinë-rrugë” dhe një raport mbi arritjet në standardizimin e automjeteve inteligjente të lidhura me internetin.

Kina ka bërë përparim të rëndësishëm në zhvillimin e automjeteve inteligjente të lidhura me internetin gjatë periudhës së planit  14-të pesëvjeçar (2021-2025). Qeveria ka zbatuar një sërë politikash mbështetëse, ka nxjerrë pothuajse 100 standarde teknike dhe ka nisur programe pilote “integrimi makinë – rrugë – re digjitale” në 20 qytete. Një ekosistem industrial i plotë ka marrë formë, me mbi 60 për qind të automjeteve të udhëtarëve të saposhitura që janë të pajisura me sisteme të përparuara të ndihmës ndaj drejtuesit të automjetit (ADAS).

“Automjetet inteligjente të lidhura me internetin përfaqësojnë një drejtim strategjik për transformimin dhe përmirësimin e industrisë globale të automjeteve. Gjatë periudhës së planit 14-të pesëvjeçar, aftësitë teknologjike të Kinës në fushën e automjeteve inteligjente të lidhura me internetin kanë përparuar me shpejtësi, me ndërtimin e një sistemi të plotë industrial që përfshin kabinat inteligjente, udhëtimin autonom dhe sistemet e kontrollit të lidhura me renë digjitale,” bëri të ditur në vijim zyrtari i MIIT-it.

“Mikroçipat kompjuterikë me performancë të lartë të automjeteve, sistemet e perceptimit multimodal dhe shasitë inteligjente kabllore po vendosen tani në shkallë të gjerë, ndërsa ndërveprimi njeri-makinë dhe teknologjitë e perceptimit bashkëpunues kanë arritur nivelet kryesore botërore,” shtoi Guo.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni