Përleshjet kufitare Tajlandë-Kamboxhia shkaktojnë vrasjen e 53 civilëve, Kina dhe ASEAN-i forcojnë përpjekjet e ndërmjetësimit

Ceremonia e varrimit për ushtarët e vrarë në përleshjet Tajlandë-Kamboxhia, Provinca Buriram, Tajlandë, 21 dhjetor 2025/VCG

Përleshjet kufitare midis Tajlandës dhe Kamboxhias deri më 21 dhjetor ka marrë jetën e 53 civilëve nga të dy vendet, sipas Shërbimit të Lajmeve të Kinës. Ministria e Brendshme e Kamboxhias raportoi që të paktën 19 civilë kamboxhianë janë vrarë e 79 u janë plagosur, ndërsa më shumë se 510 000 banorë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Nga ana e tij, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Tajlandës tha se 34 civilë tajlandezë kanë humbur jetën në konflikt. Përveç kësaj, të dhënat e publikuara nga Qendra e Përbashkët e Shtypit e Tajlandës për Çështjet Kufitare Tajlandezo-Kamboxhiane më 18 dhjetor tregojnë se 21 ushtarë tajlandezë janë vrarë.

Ndërkohë, Kina dhe ASEAN-i po përshpejtojnë ndërmjetësimin diplomatik.

Kina dhe Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) janë duke ndërmjetësuar në mënyrë aktive për të shpërshkallëzuar situatën.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Kina e ka vazhduar diplomacinë e vet konstruktive të vajtje-ardhjes, për të qetësuar tensionet. Më 18 dhjetor, Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe ministër i Punëve të Jashtme, zhvilloi biseda të veçanta telefonike me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme e të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Kamboxhias Prak Sokhonn, si edhe me ministrin e Jashtëm të Tajlandës Sihasak Phuangketkeow.

Gjatë këtyre bisedave telefonike, si Kamboxhia, ashtu edhe Tajlanda, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të zbutur tensionet dhe për të arritur një armëpushim. Ndërkohë Deng Xijun, i dërguari i posaçëm i Kinës për çështjet aziatike, u nis për në Kamboxhia e Tajlandë më 18 dhjetor për të kryer të ashtuquajturin “ndërmjetësim të vajtje-ardhjes”. Pala kamboxhiane e vlerësoi lart dhe e falënderoi Kinën për përpjekjet e saj pozitive për nxitjen e shpërshkallëzimit të situatës ndërmjet Tajlandës dhe Kamboxhias.

Ndërkohë, një takim i jashtëzakonshëm i ministrave të jashtëm të ASEAN-it do të mbahet në Kuala-Lumpur të Malajzisë më 22 dhjetor.

Kamboxhia dhe Tajlanda e kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen e tyre.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni