Institucionet globale: Juani kinez do të jetë i qëndrueshëm dhe do të shfaqë prirje për rritje në 2026-n

Një ekran në Shangai që shfaq kursin e këmbimit të juanit kinez kundrejt dollarit amerikan dhe euros, Kinë, 24 dhjetor 2025./Foto nga VCG

Një numër i madh institucionesh financiare presin që kursi i këmbimit të juanit kinez të karakterizohet nga një luhatje e ulët dhe vlerësim gradual gjatë vitit 2026, ndërsa monedha kineze u forcua, duke arritur një normë këmbimi pak mbi 7.0 për një dollar amerikan të enjten, gjë që dëshmon një ndryshim më të gjerë të ndjenjës në tregjet globale.

Grupi global i shërbimeve financiare ING vuri në dukje se Banka Popullore e të Kinës (PBOC) ka treguar qartë që ka si vullnetin, ashtu edhe kapacitetin për të stabilizuar kursin e këmbimit nën trysninë e ndjeshme të tregut. “Më 2025, PBOC-ja shfaqi jo vetëm vendosmërinë, por edhe aftësinë për të ruajtur qëndrueshmërinë monetare në kushtet e stresit të tregut”, theksoi ING, duke e vlerësuar besueshmërinë e politikave si një shtyllë kryesore mbështetëse për juanin.

Edhe institucionet kineze kanë një perspektivë të ngjashme. “Industrial Securities” theksoi që cikli i fundit i vlerësimit të juanit mund të jetë në fillimet e tij, nën shtytjen e ndryshimit nga Rezerva Federale drejt një politikë monetare më të përshtatshme, ngushtimit të diferencialit të interesave mes Kinës e ShBA-ve dhe kthimit gradual të kapitalit që kishte shkuar jashtë. Sipas vlerësimit të tyre, forcimi i fundit i monedhës kineze nuk është thjesht një përgjigje pasive ndaj dobësimit të dollarit, por pasqyron dinamika më të forta të brendshme, si hyrja e flukseve të kapitalit dhe kërkesa në rritje për këmbim valutor.

Pamje e distriktit qendror të biznesit përgjatë Bund të Shangait, Kinë, 5 qershor 2025. /VCG

Grupi ndërkombëtar i veprimtarisë bankare private dhe i menaxhimit të aseteve LGT gjithashtu vuri në dukje përmirësimin e sinjaleve të jashtme dhe të politikave. “Rezultati pozitiv nga bisedimet e liderëve të Kinës e ShBA-së, i kombinuar me gatishmërinë e PBOC-së për uljen e normës së përcaktuar dollar/juan dhe rritjen e këmbimit brenda vendit, tregon që ka hapësirë për vlerësimin e juanit,” u shpreh ky grup. Ndërkohë, sipas një raporti nga institucioni financiar kinez “Shenwan Hongyuan”, arsyet e forcimit të monedhës kineze janë kryesisht menaxhimi proaktiv i bankës qendrore dhe ndryshimet në mjedisin e jashtëm të dollarit, duke sugjeruar faktorët e politikave kanë luajtur një rol më vendimtar se flukset stinore.

Nga një perspektivë makroekonomike, dega e Kërkimeve Globale e Bankës së Amerikës theksoi se parashikimi i saj për rritjen e PBB-së së Kinës prej 4.7 për qind për vitin 2026 tregon një stabilizim të hovit ekonomik. Ajo pret që Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës, e cila do të mblidhet në mars, të hartojë planin e ardhshëm pesëvjeçar, me një orientim më të fortë drejt konsumit dhe prodhimit të përparuar. Kjo, sipas bankës, duhet të kontribuojë në mbajtjen e normave të interesit në Kinë gjerësisht të qëndrueshme. Njëkohësisht, ulja e pritshme e normave të interesit nga Rezerva Federale ka mundësi të zvogëlojë më tej diferencialët e normës së fitimit, duke ofruar mbështetje shtesë për juanin.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni