Sinjalet e reja të ekonomisë kineze

Ekonomia kineze vijon të japë sinjale që konfirmojnë ndryshimin e modelit të saj të zhvillimit. Në gjysmën e parë të vitit 2026, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB)  u rrit me 4.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, më domethënës se vetë ritmi i rritjes është drejtimi që po merr ekonomia kineze. Kjo u bë e qartë edhe në mbledhjen e fundit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, e cila përcaktoi prioritetet ekonomike për pjesën e mbetur të vitit. Dokumenti përfundimtar thekson se ekonomia kineze po mbështetet gjithnjë e më shumë në burime të reja të rritjes dhe në një strukturë ekonomike më të përmirësuar. Në fokus të politikave të ardhshme mbetet përshpejtimi i ndërtimit të gjashtë rrjeteve kryesore infrastrukturore dhe forcimi i mbështetjes afatgjatë për kërkimin shkencor bazë. Po ashtu, prioritet mbeten zbatimi i nismës “IA Plus”, zhvillimi i ekonomisë inteligjente dhe krijimi i një sistemi më të avancuar të qeverisjes së inteligjencës artificiale.

Risitë, politikat dhe fokusi

Kina po hyn në një fazë të re të zhvillimit ekonomik, ku prioriteti nuk është më thjesht ruajtja e ritmeve të larta të rritjes, por përmirësimi i cilësisë së saj. Një nga elementët më të rëndësishëm të politikës ekonomike mbetet përdorimi më aktiv i instrumenteve fiskale. Investimet publike, veçanërisht ato të planifikuara në infrastrukturë, pritet të shërbejnë si motor për forcimin e kërkesës së brendshme dhe njëkohësisht për ndërtimin e bazës infrastrukturore të dekadave të ardhshme. Ky është një ndryshim thelbësor në filozofinë e zhvillimit ekonomik të Kinës. Ndryshe nga ekonomitë perëndimore, ku politika ekonomike shpesh përqendrohet në stimulimin afatshkurtër të konsumit, Kina po zgjedh të investojë në sektorët me teknologji të lartë dhe në rritjen cilësore, me synimin që përfitimet të jenë më të qëndrueshme në afat të gjatë.

Një tjetër shtyllë e strategjisë ekonomike mbetet forcimi i marrëdhënieve tregtare me ekonomitë në zhvillim. Gjatë pesë viteve të fundit, eksportet kineze janë orientuar gjithnjë e më shumë drejt tregjeve në zhvillim, duke kompensuar pjesërisht ngadalësimin e marrëdhënieve tregtare me Shtetet e Bashkuara. Paralelisht, tregtia me Bashkimin Evropian ka vijuar të mbetet një komponent i rëndësishëm i eksporteve kineze. Ky diversifikim i partnerëve tregtarë ka ndihmuar ekonominë kineze të ruajë performancë të fortë eksportuese, pavarësisht tarifave amerikane, tensioneve gjeopolitike dhe pasigurive të krijuara nga konfliktet në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, sfida kryesore mbetet kërkesa e brendshme. Konsumi i familjeve vazhdon të rritet më ngadalë sesa objektivat e politikëbërësve dhe mbetet një nga temat më të diskutuara në analizat ekonomike. Pikërisht për këtë arsye, ekonomistët vlerësojnë se masat fiskale, investimet publike dhe transformimi teknologjik nuk synojnë vetëm modernizimin e ekonomisë, por edhe krijimin e kushteve për rritjen graduale të konsumit dhe besimit të konsumatorëve. Në vitin 2026, Kina nuk po synon më vetëm rritje ekonomike, por një model zhvillimi të bazuar në inovacion, teknologji të avancuar, konkurrencë cilësore dhe qëndrueshmëri afatgjatë. Kjo strategji pritet të shërbejë edhe si bazë për hartimin e politikave ekonomike të viteve në vijim.

Motorët e rinj të rritjes: nga “Tre të Rejat” tek ekonomia e inteligjencës artificiale

Përtej sfidave afatshkurtra, strategjia ekonomike e Kinës po ndërtohet mbi krijimin e motorëve të rinj të rritjes. Ekspertët kinezë vlerësojnë se inteligjenca artificiale nuk shihet thjesht si një teknologji e re, por si një instrument për transformimin e modelit ekonomik dhe rritjen e produktivitetit. Një nga objektivat më ambiciozë është integrimi i inteligjencës artificiale në rreth 70% të sektorit të prodhimit të avancuar deri në vitin 2027. Më tej automatizimi dhe robotika konsiderohen si mjete për të kompensuar mungesën e punonjësve, duke ruajtur ritmet e prodhimit dhe duke rritur efikasitetin e ekonomisë. Përdorimi i inteligjencës artificiale nuk nënkupton domosdoshmërisht zëvendësimin masiv të vendeve të punës. Përkundrazi, ai pritet të rrisë produktivitetin, të krijojë profesione të reja dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e industrisë kineze në tregjet ndërkombëtare.

Ky transformim po reflektohet edhe në strukturën e eksporteve. Nëse deri pak vite më parë vëmendja ishte përqendruar te të ashtuquajturat “Tre të Rejat” – automjetet elektrike, bateritë e litiumit dhe panelet fotovoltaike – sot po shfaqet një brez i ri sektorësh strategjikë.

Në qendër të kësaj faze të re janë inteligjenca artificiale, modelet e mëdha gjuhësore (LLM), robotika humanoide dhe industriale, farmaceutika inovative, pajisjet mjekësore të teknologjisë së lartë dhe prodhimi inteligjent. Këta sektorë po konsiderohen si “Tre të Rejat e Reja”, pasi pritet të udhëheqin fazën e ardhshme të modernizimit industrial të Kinës. Këta sektorë nuk përfaqësojnë thjesht industri të reja, por janë pjesë e strategjisë së zhvillimit cilësor të vendit. Kina kërkon të krijojë burime të reja rritjeje ekonomike përmes inovacionit teknologjik. Objektivi nuk është vetëm rritja e eksporteve, por edhe krijimi i vendeve të punës me vlerë të shtuar, rritja e të ardhurave dhe forcimi i besimit të konsumatorëve, duke krijuar kështu një cikël të qëndrueshëm zhvillimi.

Konkurrenca ShBA–Kinë dhe dimensioni ndërkombëtar

Transformimi ekonomik i Kinës zhvillohet paralelisht me konkurrencën gjithnjë e më intensive teknologjike dhe tregtare me Shtetet e Bashkuara. Edhe pse të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për të ruajtur stabilitet strategjik dhe për të mbajtur të hapur dialogun ekonomik, përplasjet mbi tarifat, teknologjitë e avancuara, inteligjencën artificiale dhe zinxhirët globalë të furnizimit vazhdojnë të ndikojnë politikën ndërkombëtare. Megjithatë, shumë ekonomistë argumentojnë se pozicioni ndërkombëtar i Kinës është forcuar. Ata theksojnë se zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik me vendet në zhvillim dhe investimet në teknologji të avancuara po rrisin ndikimin ekonomik dhe politik të Pekinit.

Një dimension i rëndësishëm i këtij ndikimi lidhet me atë që shpesh përkufizohet si “fuqi e butë” teknologjike. Nëse Kina arrin të udhëheqë zhvillimet në fusha si farmaceutika inovative, inteligjenca artificiale, robotika apo pajisjet mjekësore të avancuara, ajo jo vetëm që do të rrisë konkurrueshmërinë ekonomike, por edhe prestigjin dhe ndikimin e saj në arenën ndërkombëtare. Në këtë këndvështrim, gara teknologjike nuk shihet vetëm si një konkurrencë për dominim ekonomik, por edhe si një garë për impakt global. Për Kinën, inovacioni është kthyer në instrumentin kryesor për të ruajtur ritmet e zhvillimit, për të përballuar sfidat demografike dhe për të konsoliduar pozicionin e saj në ekonominë botërore.

Pavarësisht tensioneve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, konkurrenca teknologjike nuk po çon domosdoshmërisht drejt shkëputjes së plotë ekonomike. Përkundrazi, të dyja ekonomitë kanë interes të shmangin përshkallëzimin e konflikteve tregtare, pasi kostot do të ishin të konsiderueshme për të dyja palët. Në këtë drejtim, dialogu ekonomik dhe mekanizmat e konsultimit shihen si instrumente për të menaxhuar mosmarrëveshjet përpara se ato të shndërrohen në kriza më të thella. Edhe pse rivaliteti strategjik vazhdon, ekziston një pranim në rritje se bashkëpunimi mbetet i domosdoshëm në fusha si tregtia, kërkimi shkencor dhe zhvillimi i teknologjive të avancuara.

Një nga debatet më të rëndësishme lidhet me ndikimin e kontrolleve amerikane mbi eksportet e teknologjisë. Sipas disa ekonomistëve, kufizimet kanë shtyrë Kinën të përshpejtojë zhvillimin e kapaciteteve të veta në inteligjencën artificiale dhe gjysmëpërçuesit, duke rritur investimet në kërkim dhe inovacion. Në vend që të frenojnë zhvillimin, këto masa kanë shërbyer si nxitës për përshpejtimin e pavarësisë teknologjike.

Sot Kina konsiderohet se ka krijuar një ekosistem të konsoliduar të inteligjencës artificiale, i cili i mundëson të zhvillojë modele të avancuara me mbështetje kryesisht në burimet dhe kapacitetet e veta. Paralelisht, ajo po zgjeron bashkëpunimin teknologjik me vendet në zhvillim, të cilat shpesh nuk kanë mundësi të ndërtojnë infrastruktura të krahasueshme me ato të ekonomive më të mëdha.

Kjo pritet të thellojë diferencën teknologjike mes vendeve lider dhe ekonomive me të ardhura të mesme, duke rritur varësinë e shumë shteteve nga teknologjitë e zhvilluara në Kinë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Një zhvillim me rëndësi është edhe përhapja e modeleve të hapura të inteligjencës artificiale. Shfaqja e modeleve kineze me kosto më të ulët dhe performancë konkurruese ka ushtruar presion mbi kompanitë amerikane për të reduktuar çmimet dhe për të përmirësuar ofertën e tyre. Ky dinamizëm po krijon një mjedis më konkurrues, me përfitime të mundshme për përdoruesit dhe bizneset në mbarë botën.

Konkurrenca, zinxhirët aziatikë të furnizimit dhe perspektiva për pjesën e mbetur të vitit

Përfaqësues të komunitetit të biznesit vlerësojnë se konkurrenca në fushën e inteligjencës artificiale po ndryshon me shpejtësi. Modelet kineze me kod të hapur dhe me kosto dukshëm më të ulët po tërheqin interesin e kompanive në mbarë botën, pasi ofrojnë performancë të lartë me çmime shumë më konkurruese.

Në të njëjtën kohë, sfidat në zinxhirët globalë të furnizimit, veçanërisht në industrinë e çipave, po nxisin kompani ndërkombëtare të kërkojnë partneritete dhe burime alternative prodhimi në Azi. Kjo pritet të përshpejtojë integrimin e mëtejshëm të rajonit në sektorët e teknologjisë së lartë.

Ekspertët parashikojnë se Azia do të konsolidojë gjithnjë e më shumë rolin e saj si qendra kryesore e zinxhirit global të furnizimit për teknologjitë e avancuara. Në këtë model, Kina shihet si një nga zhvilluesit kryesorë të inteligjencës artificiale, ndërsa vende të tjera aziatike specializohen në prodhimin e gjysmëpërçuesve, çipave, komponentëve elektronikë dhe pajisjeve të teknologjisë së lartë.

Ky specializim rajonal krijon një ekosistem të integruar industrial, ku secili vend kontribuon në segmente të ndryshme të zinxhirit të vlerës. Përfitimet nuk kufizohen vetëm te sektori i inteligjencës artificiale, por shtrihen edhe në robotikën industriale, automjetet elektrike dhe autonome, teknologjitë e gjelbra, pajisjet mjekësore dhe prodhimin inteligjent.

 

Së fundmi, ekonomia kineze ka treguar qëndrueshmëri gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ku motorët e rinj të rritjes po fitojnë gradualisht peshë. Prodhimi i teknologjisë së lartë, eksportet drejt vendeve në zhvillim dhe transformimi industrial pritet të mbeten shtyllat kryesore të rritjes ekonomike gjatë pjesës së mbetur të vitit.  Kina ndodhet në mes të një transformimi të thellë strukturor. Kalimi nga një model i mbështetur kryesisht te investimet tradicionale dhe sektori i pasurive të paluajtshme drejt një ekonomie të bazuar në teknologji, inovacion dhe industri me vlerë të shtuar tashmë është në zhvillim. Ky transformim ekonomik i Kinës nuk do të ndikojë vetëm në zhvillimin e saj të brendshëm, por edhe në balancat ekonomike dhe teknologjike ndërkombëtare. Mbështetur në ritmin e reformave, kapacitetin inovativ dhe orientimin strategjik të politikave të saj, Kina pritet të forcojë më tej rolin si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë globale dhe të modernizimit teknologjik.

 

AIGS

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni