Gjatë këtij viti, disa media dhe institucione të huaja kanë vënë vazhdimisht në shënjestër ekonominë e Kinës. Herë promovojnë të ashtuquajturin “kurth deflacioni”, duke pretenduar se rritja ekonomike e Kinës nuk është e qëndrueshme; herë të tjera bëjnë bujë me “Goditjen e Kinës 2.0”, duke pohuar se industria prodhuese kineze përbën një kërcënim për industritë globale.
Megjithëse narrativat e tyre ndryshojnë vazhdimisht, përfundimi pesimist mbetet i njëjtë, sikur të ishte shkruar paraprakisht në një skenar.
Pas këtyre argumenteve fshihen llogaritjet e tyre për interesat vetjake dhe përfitimet politike: përdorimi i narrativës së “kolapsit të Kinës” për të dobësuar besimin dhe shfrytëzimi i narrativës së “kërcënimit kinez” për të justifikuar vendosjen e kufizimeve dhe politikave të frenimit. Megjithatë, realiteti është se ecuria e zhvillimit ekonomik të Kinës nuk është përcaktuar dhe nuk do të përcaktohet kurrë nga ata që përpiqen ta paraqesin atë në mënyrë negative.
Narrativa pesimiste – një pyetje e manipuluar, me përgjigjen e paracaktuar
Parashikimet për rënien e ekonomisë kineze nuk janë diçka e re. Që në vitin 2001, disa figura në Perëndim hodhën idenë e teorisë së “kolapsit të Kinës”, duke parashikuar se faktorë të tillë si anëtarësimi i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë do të çonin në “kolapsin” e saj deri në vitin 2011. Siç pritej, kolapsi i parashikuar nuk ndodhi kurrë.
Në vitin 2016, disa vëzhgues të huaj pretenduan se një “ulje e fortë” e ekonomisë kineze ishte “pothuajse e pashmangshme”. Në vitin 2023, The Wall Street Journal deklaroi se “bumi 40-vjeçar i Kinës ka përfunduar”. Këtë vit, është shfaqur një varg i ri narrativash, që nga “kurthi i deflacionit” dhe “Goditja e Kinës 2.0” deri te “përhapja e krizës ekonomike kineze”. Për dekada me radhë, zëra nga jashtë kanë parashikuar rënien e ekonomisë kineze, por vazhdimisht është vërtetuar se kanë gabuar.
Narrativat pesimiste që janë shfaqur këtë vit, në përgjithësi, ndahen në disa kategori.
Një mënyrë është përgjithësimi i tepruar, përmes të cilës vështirësitë e përkohshme paraqiten si një krizë e përgjithshme. Në tetor, The Washington Post u mbështet te tregues të veçuar, si luhatjet afatshkurtra të çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe besimi i dobët i konsumatorëve, për të paraqitur një tablo tejet të zymtë të perspektivave ekonomike të Kinës. Ky argument shpërfill kompleksitetin e natyrshëm të ekonomisë në tërësi dhe përfundimet e tij rrëzohen kur shqyrtohen me kujdes.
Një tjetër taktikë është ndryshimi i kuadrit të debatit, duke i paraqitur avantazhet konkurruese në treg si kërcënime për pjesën tjetër të botës. Kur automjetet kineze me energji të re fituan popullaritet global, kritikët ngritën pretendimin për “mbikapacitet prodhues”; ndërsa konkurrueshmëria e sektorit prodhues të Kinës u rrit, ata nxorën në pah fantazmën e një “Goditjeje të Kinës 2.0”. Meqenëse përparimi teknologjik dhe rritja e efikasitetit janë elemente themelore të konkurrencës së tregut, pse, kur këto arrihen nga ndërmarrjet kineze, ato papritur paraqiten si rreziqe ndaj të cilave duhet të mbrohemi?
Të tjerë arrijnë në përfundimet e tyre pa i shqyrtuar fare faktet. Pavarësisht se si zhvillohet ekonomia kineze, ata vazhdojnë të përsërisin të njëjtën ‘këngë’ pesimiste. Nëse rritja ekonomike ngadalësohet, pretendojnë se modeli i rritjes nuk është i qëndrueshëm; nëse rritja mbetet e qëndrueshme, argumentojnë se ajo varet tepër nga stimujt politikë. Kur eksportet përballen me presion, vënë në dyshim konkurrueshmërinë e produkteve “Made in China”; kur rezultatet e eksporteve janë të forta, ia atribuojnë këtë mbikapacitetit prodhues dhe kërkesës së dobët të brendshme. Pavarësisht nga situata, ata arrijnë gjithmonë në një përfundim negativ.
Ta bësh ekonominë e Kinës objekt polemikash – një agjendë komplekse
Disa individë në SHBA dhe në Perëndim e kthejnë shpesh ekonominë e Kinës në objekt polemikash. Megjithatë, po të shqyrtohet më nga afër kjo çështje, bëhet e qartë se pas saj fshihet një agjendë shumë më komplekse. Në të kaluarën, kompanitë e disa vendeve të zhvilluara kishin një pozicion dominues në prodhimin e produkteve të teknologjisë së lartë, ndërsa Kina zinte kryesisht një vend në nivelet e mesme dhe të ulëta të ndarjes globale të punës industriale. Sot, megjithatë, automjetet kineze me energji të re po depërtojnë në tregjet botërore, ndërsa Kina po shënon përparime të vazhdueshme në makineri, pajisje dhe teknologji komunikimi. Një numër gjithnjë e më i madh ndërmarrjesh kineze po shndërrohen në aktorë të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.Torta mbetet e njëjtë, por ata që e ndajnë atë kanë ndryshuar. Natyrisht, ata që më parë përfitonin pjesën më të madhe, tani ndihen të shqetësuar.
Por, a do të thotë automatikisht konkurrueshmëria e ndërmarrjeve kineze se ato po zhvillojnë “konkurrencë të pandershme”? A nënkupton domosdoshmërisht popullariteti i produkteve kineze te konsumatorët se ekziston “mbikapacitet prodhues”? Nëse dikush, pasi dështon në konkurrencë, akuzon palën tjetër se ka shkelur rregullat, a nuk e shndërron kjo konkurrencën e tregut në një lojë ku vetëm njëra palë lejohet të fitojë? Disa politikanë shfrytëzojnë madje edhe “çështjen e Kinës” për t’i shërbyer agjendave të tyre politike të brendshme. Duke fajësuar “Goditjen e Kinës” për mbylljen e fabrikave vendase dhe duke ia atribuar “kërcënimit kinez” rënien e konkurrueshmërisë së vendeve të tyre, ata mund të zhvendosin vëmendjen nga tensionet e brendshme dhe, njëkohësisht, të sigurojnë mbështetje për barrierat tarifore dhe kufizimet tregtare. Në fund të fundit, është shumë më e lehtë t’ia kalosh fajin Kinës sesa t’u shpjegosh votuesve dështimet e politikave të tua apo ritmin e ngadaltë të transformimit industrial.
Në thelb, disa individë ushqejnë paragjykime të thella ndaj Kinës. Ata refuzojnë të pranojnë arritjet e rrugës së zhvillimit kinez dhe këmbëngulin ta gjykojnë vendin përmes një grupi të ngushtë standardesh të tyre. Përpiqen me çdo mënyrë ta paraqesin Kinën në një dritë negative, duke synuar të dobësojnë besimin te zhvillimi i saj dhe të zvogëlojnë tërheqjen që ajo ushtron. Si përfundim, mbeten të bllokuar në një mënyrë të menduari ku Kinën e shohin instinktivisht me dyshim dhe përçmim.
Duke pasur parasysh ndërthurjen e të gjithë këtyre faktorëve, nuk është aspak e çuditshme që narrativat negative kanë vazhduar për kaq shumë kohë.
Retorika negative nuk mund t’i fshijë arritjet ekonomike të Kinës
Zhurma e atyre që parashikojnë rënien ekonomike nuk mund të zhbëjë arritjet e prekshme, cilësinë reale dhe ecurinë pozitive të zhvillimit ekonomik të Kinës. Në tre tremujorët e parë të këtij viti, ekonomia kineze u rrit me 4,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një rezultat që renditet ndër më të mirët për ekonomitë e mëdha botërore. Gjatë dhjetë muajve të parë, vlera e përgjithshme e importeve dhe eksporteve të mallrave u rrit me 20% në bazë vjetore, ndërsa importet, të vetme, shënuan një rritje të ndjeshme prej 23,6 %.
Natyrisht, zhvillimi ekonomik shoqërohet pashmangshmërisht me vështirësi dhe sfida. Tregu i pasurive të paluajtshme vijon të kalojë një proces rregullimi, besimi i konsumatorëve duhet të forcohet, ndërsa transformimi dhe përmirësimi industrial përfshijnë çështje komplekse, të cilat janë të vështira për t’u zgjidhur. Ne nuk u jemi shmangur kurrë këtyre problemeve.
Për të trajtuar çekuilibrin midis ofertës së fortë dhe kërkesës së dobët, po zbatohen nisma të synuara për të nxitur konsumin dhe për të zgjeruar kërkesën e brendshme. Për të përballuar presionet në sektorin e pasurive të paluajtshme, po ndiqen politika të përshtatura për secilin qytet dhe po përshpejtohet krijimi i një modeli të ri zhvillimi për këtë industri. Po të hedhim vështrimin pas, sa stuhi ka përballuar ekonomia kineze gjatë viteve? Nga goditja e një pandemie që ndodh një herë në shekull, deri te përpjekjet e jashtme për ta kufizuar dhe penguar zhvillimin e saj, ajo ka kaluar nëpër sfida të panumërta dhe ka vijuar përpara, duke çarë dallgët. Forca themelore e ekonomisë kineze buron, në fund të fundit, nga qetësia dhe vendosmëria e udhëheqjes së saj përballë vështirësive, nga puna e palodhur dhe përkushtimi i qindra milionë qytetarëve, si dhe nga angazhimi i vendosur për t’u përqendruar te prioritetet e veta.
Duke nxitur harmonizimin e marrëveshjeve ekonomike dhe tregtare rajonale, si dhe duke krijuar një ekosistem të hapur dhe të orientuar drejt inovacionit, Kina ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë. Nismat me vizion global jo vetëm që i shërbejnë zhvillimit të përbashkët afatgjatë të rajonit, por edhe hapin një rrugë të re drejt ndërtimit të një komuniteti me të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Pavarësisht se si mund të ndryshojë situata ndërkombëtare, Kina nuk do të lëkundet në ndjekjen e bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë me të gjitha vendet e tjera.
Së fundmi, torta e ekonomisë globale mund të bëhet më e madhe vetëm përmes bashkëpunimit të përbashkët. Në njërën anë qëndron qasja dritëshkurtër e lojërave me rezultat zero (fitimi i njërit është automatikisht humbja e tjetrit) dhe proteksionizmit; në anën tjetër, një angazhim me horizont të gjerë për hapje, gjithëpërfshirje dhe bashkëpunim me përfitim të ndërsjellë.
Kush e trajton ekonominë globale si një arenë ku njëra palë fiton dhe tjetra humbet, dhe kush po përpiqet të zgjerojë rrugën drejt zhvillimit të përbashkët? Kur këto dy qasje vihen përballë njëra-tjetrës, e vërteta bëhet e qartë vetvetiu.
Ata që flasin për ekonominë kineze, në fund do të rezultojnë të gabuar, ndërsa ata që ndërmarrin veprime konkrete mund të presin një të ardhme të ndritur.
AIGS