Foto nga VCG
Multilateralizmi është çelësi për trajtimin e sfidave me të cilat përballet bota, u shpreh të mërkurën Li Chenggang, përfaqësuesi i Kinës për tregtinë ndërkombëtare dhe zëvendësministër i Tregtisë, gjatë një dialogu të nivelit të lartë për 25-vjetorin e anëtarësimit të Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).
Duke folur në aktivitetin e zhvilluar në Gjenevë të Zvicrës, Li u bëri thirrje të gjitha palëve që të shfrytëzojnë mundësinë që ofron reforma e OBT-së për të forcuar sistemin tregtar shumëpalësh dhe për të rritur rolin e organizatës në qeverisjen ekonomike globale.
Duke reflektuar mbi përvojën e Kinës që nga anëtarësimi në OBT, Li tha që Kina e kishte përdorur këtë anëtarësim si një mundësi për të thelluar reformat e brendshme. Ai theksoi se respektimi dhe zbatimi i rregullave ndërkombëtare janë thelbësore për integrimin në globalizimin ekonomik, ndërsa reformat e përshtatura me kushtet kombëtare janë thelbësore për t’i shndërruar mundësitë që vijnë nga hapja në përfitime konkrete zhvillimore.
Li vuri në dukje më tej që Kina mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të përbashkët, duke ofruar trajtim të njëanshëm me tarifa zero për të gjitha produktet e vendeve afrikane me të cilat ka marrëdhënie diplomatike, si edhe partnerëve diplomatikë që klasifikohen si vendet më pak të zhvilluara, duke mbështetur industrializimin e tyre përmes tregtisë, investimeve e formave të tjera të bashkëpunimit.
Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e OBT-së, Ngozi Okonjo-Iweala, vlerësoi lart arritjet e Kinës në rritjen ekonomike, zbutjen e varfërisë dhe inovacionin teknologjik që nga anëtarësimi në OBT, si edhe kontributet e dhëna për botën. Ajo u shpreh që përvoja e Kinës ka shërbyer si shembull për anëtarët e tjerë në zhvillim që kërkojnë të integrohen në sistemin tregtar shumëpalësh.
Okonjo-Iweala vlerësoi gjithashtu mbështetjen e palëkundur të Kinës për sistemin tregtar shumëpalësh, duke përfshirë ofrimin e formave të ndryshme të ndihmës për ngritjen e kapaciteteve për anëtarët në zhvillim, në kuadër të bashkëpunimit “Jug-Jug”. Ajo shprehu shpresën që Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në reformën e OBT-së. Më shumë se 200 pjesëmarrës ndoqën këtë aktivitet, përfshirë ambasadorë dhe zëvendëspërfaqësues të përhershëm nga anëtarë kryesorë të OBT-së, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, mediave dhe qendrave kërkimore.
Diskutimet u përqendruan tek arritjet dhe kontributet e Kinës në nivel global gjatë 25 vjetëve të fundit, si edhe te mënyrat për të ruajtur sistemin tregtar shumëpalësh dhe për të nxitur një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës.