Office Address

Mine Peza Street, Tirana
Albania

Email Address

info@globalizationinstitute.al

Bukuria rurale e Kinës tërheq turistët brenda dhe jashtë vendit

Lumenj kristalorë, pyje prej bambuje të harlisur dhe një jetë e qetë rurale, janë të gjitha arsyet që fshati Sanwan është kthyer në një resort që po rrëmben zemrat e turistëve.

Për kinezët që jetojnë në metropolet moderne, ky mjedis baritor në provincën Jiangxi të Kinës Lindore është bërë një stil i ri jetese, të cilin banorët e fshatit po e shfrytëzojnë si burim turistik.

“Njerëzit kanë nevojë për një ndryshim në destinacionet e vizitave të tyre. Larg vendeve të mbushura me njerëz që qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale”, tha Xiao Xing, i cili drejton një bujtinë familjare në Sanwan. “Në vend të postimit të fotove në llogaritë personale, tashmë vizitorë të shumtë vijnë me familjen dhe miqtë vetëm për të shëtitur nëpër fshat dhe për të shijuar ritmin e ngadaltë të jetës.”

I lënë në hije prej kohësh nga pikat e nxehta turistike ikonike, fshati i Kinës tashmë po përjeton momentin e tij për të qenë në qendër të vëmendjes. Ndërsa banorët e qytetit kërkojnë të shpëtojnë nga turmat dhe jeta intensive urbane, fshatrat e qeta si Sanwan janë bërë magnete turizmi, duke ofruar paqe, autenticitet dhe një ritëm më të ngadaltë.

Le të marrim si shembull qytetin Ji’an, ku ndodhet fshati Sanwan. Vitet e fundit, qyteti ka zhvilluar më shumë se 200 “fshatra të bukura” dhe mbi 30.000 bujtina rurale model. Aktualisht ai krenohet me më shumë se 150 vende turistike rurale të nivelit A në nivel provincial, duke spikatur për vrullin në rritje të turizmit rural.

Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, turizmi rural në të gjithë vendin mirëpriti 707 milionë vizita në tremujorin e parë të vitit, 8.9% më shumë se një vit më parë. Të ardhurat totale nga turizmi rural arritën në 412 miliardë juanë (rreth 57.21 miliardë dollarë), duke shënuar një rritje prej 5.6%.

Ndërkohë, këto vende të pazakonta pushimi, dikur të kërkuara kryesisht nga vizitorët vendas, tashmë janë bërë pika joshëse për vizitorët ndërkombëtarë. Politikat e Kinës për heqjen e vizave, kanë hapur derën për më shumë udhëtarë që të eksplorojnë përvoja autentike në Kinë.

Që nga zbatimi i politikës pa viza tranziti 240-orësh, numri i vizitorëve ndërkombëtarë që mbërrijnë në pikat hyrëse të Kinës është rritur 40.2% gjatë tre muajve të parë të vitit 2025, sipas Administratës Kombëtare të Imigracionit. Ky fluks vizitorësh ndërkombëtarë po riformëson peizazhin e turizmit rural.

Turistët ndërkombëtarë po përqafojnë jetën e qetë në vende si fshati Dongsheng, kontea Liuyin në distriktin Beibei të qytetit Chongqing. “Kjo nuk është aspak siç e imagjinoja Kinën rurale. Ka komoditet e rehati, por edhe një lidhje autentike me natyrën”, tha vizitori vietnamez Nguyen Mai Anh, duke mbledhur luleshtrydhe dhe duke shprehur admirim për ndërthurjen e kushteve moderne dhe bukurisë natyrore.

Ky grup turistësh vietnamezë shënon një tjetër valë vizitorësh ndërkombëtarë, pas pritjes së parë në fshat të grupeve të huaja turistike në mars. “Në të kaluarën, turistët e huaj vizitonin kryesisht zonat urbane në Kinë. Tani, ata janë më të etur për të eksploruar fshatin dhe për të përjetuar magjinë e tij unike”, tha Fu Xiaoyun, një zyrtar i kontesë.

Që nga fillimi i këtij viti, fshati Liuyin ka pritur mbi 80 grupe turistësh vendas dhe të huaj, duke tërhequr më shumë se 20.000 vizitorë, përfshirë mbi 6.000 nga jashtë. Vetëm katër fermat e luleshtrydheve të fshatit, kanë kontribuar me rreth 200.000 juanë në të ardhurat e banorëve vendas, ndërsa gjatë festës së 1 Majit, qëndrimet në bujtina ishin plotësisht të rezervuara.

Për disa turistë ndërkombëtarë, fshati kinez është bërë një vendpushim ku ata kthehen herë pas here. Jerry Grey, një australian 67-vjeçar, është një nga vizitorët e rregullt të fshatit Yakou, qyteti Zhongshan i provincës Guangdong të Kinës Jugore.

Ky është padyshim një vend i bukur, pa fabrika, pa rrokaqiej, vetëm tokë e pastër, tha ai, i cili e viziton këtë fshat jugor të Kinës një ose dy herë në vit. Ai shtoi se i pëlqen të vizitojë Kinën, veçanërisht zonat rurale, sepse çdo herë që i viziton, mund të zbulojë diçka të re rreth jetës në fshat.

Turizmi rural i Kinës po fiton vlerësime ndërkombëtare. Në nëntor 2024, Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara njohu shtatë fshatra kinezë si Fshatrat më të Mira Turistike, në përzgjedhjen e saj të vitit 2024, duke e çuar në 15 numrin e përgjithshëm të fshatrave kinezë të nderuar.

Këto fshatra, të shpërndara në Kinën Lindore, Qendrore dhe Perëndimore, janë shembull në larminë e tyre gjeografike, kulturore dhe zhvillimore, duke pasqyruar hapat mbresëlënës që ka bërë Kina në zhvillimin e turizmit rural.

Pas bumit të turizmit rural që po përshkon Kinën, qëndron strategjia e rigjallërimit rural të vendit, e cila i ka dhënë gjallëri të re fshatrave dikur në rënie dhe i ka transformuar ato në destinacione tërheqëse.

“Fshati tashmë ofron jo vetëm peizazhe të bukura, por edhe infrastrukturë të mirë, duke e bërë më të lehtë ngrënien, akomodimin dhe argëtimin”, tha Ma Pin, një turist nga provinca Fujian, i cili e zgjati qëndrimin e tij në Sanwan për një përvojë më relaksuese dhe më ekonomike, i impresionuar nga autobusët që lidhin vendet kryesore të fshatit me bujtina të pastra dhe mikpritëse malore.

Ndërsa turizmi po lulëzon, ashtu po shtohen edhe mundësitë për banorët vendas. Fshatarët po gjejnë role të reja si pronarë bujtinash, shitës në dyqane dhe guida turistike gjatë sezonit turistik, i cili i ka dhënë komunitetit një jetë të re, sipas Xiao.

Ky transformim është i dukshëm në fshatin Guizhu të provincës Guangdong. Fshati dikur ishte një vend i prapambetur dhe i goditur rëndë nga varfëria. Vetëm tre vjet më parë, këtu mezi shihje kalimtarë në rrugë. “Mund të ecje për një orë dhe mezi shihje një person”, kujton Li Xiaolong, kryetari i komitetit të Partisë për fshatin.

 

Dikur i penguar nga infrastruktura e shkatërruar dhe kushtet e vështira të jetesës, fshati ka përjetuar një ndryshim dramatik, falë më shumë se 10 milionë juanëve të investuar përmes fondeve të zhvillimit.

Rrugët e sheshuara tani gjarpërojnë përgjatë brigjeve të lumenjve të pastër, ku janë ngritur platforma për të shijuar panoramën, si edhe objekte publike si sheshe sportive dhe shtigje me pemë. Tashmë ky vend është bërë shumë i njohur në rrjetet sociale, duke tërhequr mijëra vizitorë çdo javë.

Shtëpitë fshatare dikur të braktisura tashmë kanë rilindur si bujtina, kafene dhe bare. Me objekte të reja që tërheqin një fluks të qëndrueshëm turistësh, të ardhurat nga pronat kolektive të fshatit u rritën nga vetëm 174.700 juanë në vitin 2021 deri në 853.800 juanë në vitin 2024, një vrull mahnitës që tregon ndikimin ekonomik të përpjekjes së rigjallërimit rural të vendit.

Kreu i departamentit të menaxhimit të turizmit në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Jilinit, Liu Li beson se përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar infrastrukturën rurale, kanë rritur ndjeshëm forcën tërheqëse të turizmit rural. Profesionistët e menaxhimit të turizmit po i bashkohen gjithnjë e më shumë këtij sektori, duke përdorur ekspertizën dhe mendimin e tyre inovativ për të zhvilluar një gamë të gjerë produktesh turistike, duke rritur cilësinë dhe standardet e shërbimit të turizmit rural. Gjithashtu, falë integrimit të teknologjisë, ruajtjes së kulturës, zhvillimit të gjelbër dhe krijimit të markës, turizmi rural do të bëhet një motor kryesor për rigjallërimin rural. Ai do të përmbushë kërkesat e dyfishta të turistëve, si për nostalgji ashtu edhe për përvoja inovative.

Foto nga ©VCG

Burimi ©CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni