Ekspertët globalë: Mesazhi i urimit për Vitin e Ri i presidentit Xi thekson qeverisjen me popullin në qendër dhe zhvillimin me cilësi të lartë

Qytetarët e mirëpritën Vitin e Ri duke dëgjuar këmbanat në distriktin Yuzhong të qytetit Chongqing në Kinën Jugperëndimore, më 1 janar 2026 / VCG

Në prag të vitit 2026, presidenti i Kinës Xi Jinping përcoll një mesazh për Vitin e Ri. Duke përfshirë tema si rritja me cilësi të lartë, novacioni teknologjik, zhvillimi kulturor, mirëqenia e banorëve, vetadministrimi i Partisë Komuniste të Kinës dhe politika e jashtme e Kinës, mesazhi i presidentit Xi paraqet një pamje të qartë të filozofisë së qeverisjes së Kinës: vënia e popullit në plan të parë, duke ndjekur zhvillimin e qëndrueshëm dhe me cilësi të lartë.

Në mesazh gjithashtu u përcoll angazhimi i Kinës për të punuar me bashkësinë ndërkombëtare për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe për të ndërtuar një komunitet me të ardhme të përbashkët të njerëzimit.

Vëzhguesit ndërkombëtarë e vlerësuan mesazhin e Vitit të Ri të kreut të shtetit kinez, duke vënë në dukje se ai theksoi jo vetëm përparësitë e brendshme të Kinës, por gjithashtu nënvizoi gatishmërinë e saj për të marrë përgjegjësitë si një vend i madh, gjë që mishëron një rrugë zhvillimi me përfshirje, planifikim afatgjatë dhe bashkëpunim global.

Pamja me dëborë në malin Laojunshan në qytetin Luoyang të provincës Henan të Kinës Qendrore, më 1 janar 2026 / VCG

Robert Lawrence Kuhn, kryetar i Fondacionit “Kuhn” në Shtetet e Bashkuara, tha se mesazhi i presidentit Xi për Vitin e Ri arriti që, brenda vetëm disa minutash, të paraqesë një plan gjithëpërfshirës që mbulon ekonominë, shkencën e teknologjinë, mbrojtjen kombëtare dhe kulturën e Kinës, si edhe mirëqenien e banorëve të thjeshtë kinezë dhe marrëdhëniet e Kinës me botën.

“Gjëja më e madhe që mora prej mesazhit, dhe fjalët kyçe të tij ishin: zhvillim me cilësi të lartë, forca të reja prodhuese, novacion shkencor dhe teknologjik,” tha Kuhn gjatë një interviste për Grupin Mediatik të Kinës (CMG).

Xi ka theksuar prej kohësh zhvillimin me cilësi të lartë në vend të modelit tradicional të rritjes të nxitur nga industria me përqendrim të madh të krahut të punës dhe me konsum të lartë energjetik. Ai paraqiti një vizion afatgjatë për ta bërë Kinën një vend të madh socialist modern, të begatë, të fortë, demokratik, të përparuar në kulturë, harmonik e të bukur deri në mesin e shekullit të 21-të.

Mesazhi i presidentit Xi për Vitin e Ri theksoi jo vetëm rolin kyç të risive teknologjike për nxitjen e zhvillimit me cilësi të lartë të Kinës, por edhe konceptin e vendosjes së njerëzve në qendër, duke reflektuar angazhimin e qeverisë për të përmirësuar jetesën e banorëve të thjeshtë.

Vallja e luanit në Hong-Kong me rastin e Vitit të Ri 2026 / VCG

Ronnie Lins, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore dhe Biznesit Brazil-Kinë, tha se i kanë bërë përshtypje arritjet e Kinës gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025). Sipas tij, gjatë pesë vjetëve të fundit, Kina jo vetëm që ka njohur një zhvillim të qëndrueshëm e të gjithanshëm, me PBB-në që vlerësohet se ka arritur në rreth 140 trilionë juanë (20 trilionë dollarë) gjatë vitit 2025, pavarësisht nga pasiguritë globale, por gjithashtu është fokusuar në zhvillimin me popullin në qendër. Ai shtoi se kjo tregon që modernizimi kinez u jep përparësi mbrojtjes së mjedisit, cilësisë së jetës e mirëqenies shoqërore dhe jo vetëm rritjes ekonomik.

Në sfondin e pasigurisë dhe trazirave globale në rritje, ekspertët thanë se mesazhi i presidentit Xi për Vitin e Ri demonstroi gjithashtu sinqeritetin diplomatik dhe qëndrimin e përgjegjshëm të Kinës si një vend i madh.

Lins vuri në dukje se premtimi i Xi Jinping-ut që Kina “do të vazhdojë ta përqafojë botën me krahë hapur” pasqyron një vizion strategjik me thelbin te bashkëpunimi, dialogu dhe përfitimet e përbashkëta. Ai tha se katër nismat globale të propozuara nga presidenti Xi mbi zhvillimin, sigurinë, qytetërimin dhe qeverisjen formojnë një kornizë koherente për të pakësuar konfliktet, për të krijuar konsensus dhe për të ofruar zgjidhje konstruktive për sfidat komplekse globale.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni