Intervistë e presidentit të Koresë së Jugut Lee Jae-myung për CMG-në

Me ftesë të presidentit kinez Xi Jinping, presidenti i Koresë së Jugut Lee Jae-myung do të bëjë një vizitë shtetërore në Kinë nga 4 deri më 7 janar.

Gjatë intervistës së dhënë për CMG-në në prag të vizitës, presidenti Lee Jae-myung u shpreh se aktualisht situata ndërkombëtare është e trazuar dhe mosmarrëveshjet midis disa vendeve po intensifikohen. Në këtë sfond, marrëdhëniet mes Koresë së Jugut dhe Kinës kanë një rëndësi të madhe. Paqja dhe qëndrueshmëria, respekti i ndërsjellë dhe lulëzimi i përbashkët në Azinë Verilindore janë temat e përbashkëta për Korenë e Jugut dhe Kinën. Pa dyshim, në një periudhë të kaluar, midis Koresë së Jugut dhe Kinës ka pasur disa keqkuptime ose mosmarrëveshje, të cilat kanë penguar zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Mund të thuhet se qëllimi i kësaj vizite në Kinë është minimizimi ose eliminimi i keqkuptimeve ose mosmarrëveshjeve ekzistuese dhe nxitja e zhvillimit të marrëdhënieve Kore e Jugut – Kinë në një fazë të re, vuri në dukje ai.

Këtë herë, presidenti Lee Jae-myung do të kryesojë një delegacion ekonomiko-tregtar të përbërë nga rreth 200 veta për vizitë në Kinë, ku përfshihen përfaqësues të sipërmarrjeve kryesore koreanojugore. Duke folur për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare midis dy vendeve, Lee Jae-myung u shpreh:

“Koreja e Jugut dhe Kina kanë marrëdhënie  shumë të ngushta ekonomiko-tregtare, dhe njëkohësisht ekzistojnë shumë faktorë në dobi të zhvillimit të ndërsjellë ekonomik. Në të kaluarën, bashkëpunimi ekonomik midis Koresë së Jugut e Kinës bazohej kryesisht në kombinimin e teknologjisë së përparuar dhe të fondeve të Koresë së Jugut me forcën punëtore të Kinës. Ndërsa sot, nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping, ekonomia kineze ka pasur rritje e zhvillim të shpejtë, dhe shumë sektorë në fushën e teknologjisë dhe të fondeve e kanë arritur, madje e kanë tejkaluar Korenë e Jugut. Prandaj bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve duhet të rivendosë strukturën e marrëdhënieve të barabarta. Jam i mendimit se më e rëndësishmja është që të krijohet bashkëpunimi i ri i barabartë dypalësh në fushën e inteligjencës artificiale, të teknologjisë së lartë etj., për të krijuar marrëdhënie ekonomike në favor të zhvillimit dypalësh.”

Duke folur për qëndrimin e Koresë së Jugut lidhur me problemin e Tajvanit, presidenti Lee Jae-myung u shpreh që, kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike, konsensuset e arritura midis qeverisë koreanojugore dhe qeverisë kineze janë ende parimi thelbësor që rregullon marrëdhëniet midis dy vendeve dhe efektiviteti i tyre mbetet i pandryshuar. Koreja e Jugut i përmbahet gjithmonë parimit të “një Kine”. Në çështjet e Azisë Verilindore, duke përfshirë problemin e dy brigjeve të Ngushticës së Tajvanit, ruajtja e paqes dhe e qëndrueshmërisë ka rëndësi të madhe për Korenë e Jugut. “Unë besoj se zhvillimi i shëndetshëm i marrëdhënieve Kore e Jugut-Kinë varet nga respektimi i plotë i interesave thelbësore të njëri-tjetrit dhe pranimi i ndërsjellë i qëndrimeve të njëri-tjetrit. Në këtë sfond, në problemin e Tajvanit, vëmendjen më thelbësore të Kinës, Koreja e Jugut do t’i përmbahet si gjithmonë parimit të ‘një Kine’,” theksoi Lee Jae-myung.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni