Kina kundërshton tarifat e njëanshme dhe mbron sistemin tregtar shumëpalësh në OBT

Një foto nga arkivi e një shenje të OBT-së e parë në selinë qendrore në Gjenevë. /VCG

Kina ka bërë thirrje për kundërshtimin e veprimeve të njëanshme tarifore dhe për mbrojtjen e sistemit tregtar shumëpalësh në një takim dyditor të Këshillit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Tregtisë, që përfundoi të mërkurën në Gjenevë.

Në një deklaratë të mbajtur në këtë takim, delegacioni kinez vuri në dukje që turbullirat tregtare globale po intensifikohen dhe pasiguria e rreziqet e fragmentarizimit po shtohen.

Në muajt e fundit, masa të reja të njëanshme tarifore kanë vazhduar të shfaqen dhe vëllimi i tregtisë së prekur nga masat kufizuese ka arritur në 2.7 trilion dollarë, niveli më i lartë që kur nisën të mbahen statistika në vitin 2009, tha delegacioni.

Në këtë sfond, përfaqësuesit kinezë u bënë thirrje anëtarëve të OBT-së të forcojnë solidaritetin e bashkëpunimin, si dhe të mbështesin në mënyrë më efektive sistemin tregtar shumëpalësh.

Brazili, Bashkimi Evropian, Australia, Zelanda e Re, Rusia, Venezuela dhe anëtarë të tjerë të OBT-së deklaruan në takim që përshkallëzimi i turbullirave tregtare nuk është në interesin e përbashkët të anëtarëve.

Masat e njëanshme tarifore, vunë në dukje ata, minojnë themelet e rregullave shumëpalëshe, rrisin ndjeshëm kostot për bizneset e konsumatorët dhe pengojnë rritjen ekonomike e zhvillimin shoqëror të anëtarëve në zhvillim më të cenueshëm.

Burimi ©CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni