Kjo foto që u bë më 19 mars 2025 tregon peizazhin e Nuuk-ut, kryeqendrës së Groenlandës, një territor autonom i Danimarkës / Xinhua
Bashkimi Evropian (BE) mund të ndihmojë në garantimin e sigurisë për Groenlandën nëse Danimarka e kërkon një gjë të tillë, tha të hënën komisioneri evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën Andrius Kubilius, duke paralajmëruar që çdo pushtim ushtarak amerikan i territorit të Arktikut do të shkaktonte fundin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Duke folur për mediat gjatë një konference për sigurinë në Salen të Suedisë, Kubilius tha se ai është në një mendje me kryeministren daneze Mette Frederiksen që një marrje e detyruar do t’i jepte një goditje fatale NATO-s dhe do të dëmtonte rëndë lidhjet transatlantike. Ai shtoi se një lëvizje e tillë do të shkaktonte edhe një reagim të fortë negativ tek evropianët.

Presidenti amerikan Donald Trump mori pjesë në një konferencë shtypi pas samitit të NATO-s në Hagën e Holandës, më 25 qershor 2025 / Xinhua
Kubilius tha se ai nuk besonte se një pushtim i ShBA-së ishte i afërt, por vuri në dukje që neni 42.7 i traktatit të BE-së i detyron vendet anëtare të ofrojnë ndihmë të ndërsjellë nëse një vend anëtar i nënshtrohet agresionit të armatosur. Ai theksoi që blloku mund të rrisë mbështetjen për Groenlandën me kërkesë të Danimarkës, duke përfshirë vendosjen e trupave dhe zgjerimin e infrastrukturës ushtarake, si prania detare dhe aftësitë kundër dronëve.
Danimarka dhe Shtetet e Bashkuara, të dyja vende anëtare të NATO-s, kanë planifikuar të takohen këtë javë për të diskutuar çështjen e Groenlandës. Groenlanda dhe Danimarka kanë thënë vazhdimisht që territori nuk është në shitje, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka këmbëngulur që Uashingtoni duhet të “zotërojë” Groenlandën pa përjashtuar përdorimin e forcës.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson / Xinhua
Gjithashtu në konferencën e politikës së sigurisë në Salen, kryeministri suedez Ulf Kristersson kritikoi të dielën veprimet e fundit të ShBA-së në Venezuelë dhe “fjalët kërcënuese” të Trump-it ndaj Danimarkës dhe Groenlandës, duke paralajmëruar që veprime të tilla minojnë ligjin ndërkombëtar dhe rrisin rreziqet për vendet më të vogla.
Kristersson tha se Uashingtoni duhet të tregojë mirënjohje ndaj Danimarkës, pasi ajo ka qenë një aleate e vjetër, dhe premtoi mbështetjen suedeze për Danimarkën.
Që nga marrja e detyrës në janar 2025, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur vazhdimisht interes për marrjen e kontrollit të Groenlandës, duke deklaruar se nuk do të përjashtonte mundësinë e përdorimit të “shtrëngimit ushtarak ose ekonomik” për ta arritur këtë qëllim. Muajin e kaluar, Trump-i emëroi guvernatorin e Luizianës Jeff Landry si të dërguar të posaçëm të ShBA-së në Groenlandë, duke acaruar më tej tensionet diplomatike midis ShBA-së dhe Mbretërisë Daneze. Trumpi u shpreh në një intervistë të fundit se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë “absolutisht” për Groenlandën.

Protesta përpara ambasadës amerikane në Kopenhagë, kryeqytetin e Danimarkës, më 29 mars 2025 / Xinhua
Kryeministri suedez Ulf Kristersson u shpreh që evropianët brenda NATO-s po diskutojnë mënyrat për të forcuar aleancën, por theksoi që një gjë e tillë nuk duhet të bazohet në ndonjë supozim se NATO-ja do të ndalojë së funksionuari.
Konferenca e sigurisë në Salen filloi në vitin 1946 dhe zhvillohet nga organizata suedeze e mbrojtjes qytetare “Folk och Forsvar”. Salen është një qytet turistik malor rreth 400 km në veriperëndim të kryeqytetit të Suedisë Stokholm.