Kompanitë ajrore kineze rifillojnë disa fluturime për në Lindjen e Mesme

Një avion “Boeing 777” i kompanisë ajrore kineze “China Southern Airlines”. / VCG

Administrata e Aviacionit Civil e Kinës njoftoi të enjten që disa kompani ajrore kineze kanë rifilluar një numër fluturimesh midis Kinës dhe vendeve të Lindjes së Mesme.

Udhëtimet ajrore në këtë rajon nga shumë kompani ajrore ndërkombëtare u ndërprenë pas sulmeve ushtarake të ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, që filluan më 28 shkurt.

Autoritetet kineze thonë se kompania “Air China” planifikon një fluturim vajtje-ardhje në ditë midis Aeroportit Ndërkombëtar të Pekinit dhe Riadit të Arabisë Saudite, më 5, 6 dhe 7 mars. Kompania ajrore do të ofrojë gjithashtu një shërbim vajtje-ardhje ditor midis Aeroportit Ndërkombëtar të Pekinit dhe Dubait të Emirateve të Bashkuara Arabe më 6, 7 dhe 8 mars.

Ndërkohë, kompania “China Southern Airlines” thotë se do të operojë një fluturim vajtje-ardhje midis Guangzhou-t dhe Riadit më 6 mars për të sjellë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të bllokuar. Më parë, më 2 dhe 4 mars, kompania “Hainan Airlines” kishte kryer tashmë dy fluturime vajtje-ardhje midis Haikou-t dhe Xhedahut të Arabisë Saudite.

Fluturimi i parë kinez për në Lindjen e Mesme pas shpërthimit të konfliktit në rajon ishte ai “CA789” i kompanisë “Air China” nga Pekini për në Riad. Avioni u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar i Pekinit dhe mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në Riad të enjten.

Pas mbylljes së hapësirës ajrore të Gjirit më 1 mars, kompanitë ajrore kineze, si “Air China”, “China Eastern” dhe “China Southern”, gjithashtu shpallën politika rimbursimi dhe rirezervimi pa pagesë të biletave të blera midis 24 shkurtit dhe 15 marsit  për në Dubai, Abu-Dabi dhe Riad.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni