Kuvajti dhe kompania kineze CCCC nënshkruajnë marrëveshje për projektin strategjik portual kuvajtian

Ministrja e Punëve Publike e Kuvajtit, Nora al-Mashaan (djathtas) dhe zëvendëskryetari i Korporatës Shtetërore të Ndërtimit dhe Komunikacionit të Kinës, Chen Zhong, marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit për studimin, projektimin dhe ofrimin e shërbimeve para-zbatimit për të përfunduar Portin Mubarak Al-Kabeer, ishulli Boubyan, në veri të Qytetit të Kuvajtit, më 22 dhjetor 2025./Foto nga VCG

Ministria e Punëve Publike e Kuvajtit dhe Kompania e Ndërtimit të Komunikacionit e Kinës (CCCC) nënshkruan të premten një kontratë inxhinierike, prokurimi dhe ndërtimi për fazën e parë të projektit të portit “Mubarak Al-Kabeer” në ishullin Boubyan në pjesën veriore të rajonit Jahra.

Kryeministri i Kuvajtit, Sheik Ahmad Abdullah Al-Ahmad Al-Sabah, ministrat e kabinetit dhe përfaqësues të ambasadës kineze në Kuvajt e të ndërmarrjeve kineze, morën pjesë në ceremoni.

Në fjalën e tij, kryeministri kuvajtian e përshkroi projektin si një simbol i miqësisë së fortë dhe bashkëpunimit mes Kuvajtit dhe Kinës. Marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve janë ndërtuar mbi një themel historik të fortë e të qëndrueshëm, tha ai, duke shtuar se partneriteti strategjik kuvajtiano-kinez po sjell vazhdimisht rezultate konkrete.

I ngarkuari me punë i ambasadës kineze, Liu Xiang, e quajti nënshkrimin një moment historik për zbatimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh dhe përparimin e bashkëpunimit me cilësi të lartë në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” midis dy vendeve. Sipas tij, ky projekt do të mbështesë diversifikimin ekonomik dhe Vizionin 2035 të Kuvajtit.

Ndërsa Chen Zhong, zëvendësmenaxher i përgjithshëm i CCCC-së, vuri në dukje që ky është projekti i parë portual i kësaj kompanie në Lindjen e Mesme i ndërtuar pjesërisht sipas standardeve kineze, duke përfshirë që nga fillimi teknologjinë dhe ekspertizën e CCCC-së. Ai shtoi që CCCC-ja do të sigurojë që porti të bëhet një model i bashkëpunimit Kinë-Kuvajt.

Porti “Mubarak Al-Kabeer” është thelbësor për planin e Kuvajtit për të zhvilluar një qendër tregtare rajonale dhe për të diversifikuar ekonominë e vet. Projekti vlerësohet si një nismë kryesore në kuadër të Vizionit 2035 të Kuvajtit.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni