Foto nga VCG
Forcimi i komunikimit strategjik dhe thellimi i dialogut e bashkëpunimit i sjell përfitime jo vetëm Kinës dhe Europës, por edhe botës, tha të hënën në një konferencë të rregullt për shtypin Guo Jiakun, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.
Ai i bëri këto komente duke iu përgjigjur pyetjeve të një gazetari se si i vlerëson Kina vizitat e bëra së fundmi nga mbreti i Spanjës dhe presidenti i Francës, ndërsa ministri i Jashtëm i Gjermanisë po ashtu po viziton Kinën, dhe nëse kjo do të thotë që Europa po ndryshon orientim dhe po kërkon bashkëpunim me Kinën.
Guo u shpreh që këtë vit Kina dhe vendet europiane kanë pasur kontakte të shpeshta në nivel të lartë. Udhëheqësit e të dyja palëve kanë arritur konsensus të rëndësishëm mbi zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, duke ofruar drejtim strategjik për marrëdhëniet dypalëshe. Në një situatë ndërkombëtare me pasiguri e trazira në rritje, forcimi i komunikimit strategjik dhe thellimi i dialogut e bashkëpunimit i sjellin përfitime jo vetëm Kinës e Europës, por edhe botës.
Ai theksoi që pala kineze është e gatshme të punojë me palën europiane për të zbatuar konsensusin e arritur nga udhëheqësit e të dyja palëve, për të forcuar unitetin e bashkëpunimin dhe për të nxitur zhvillimin të shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve kino–europiane. Të dyja palët duhet të mbrojnë multilateralizmin, të mbështesin tregtinë e lirë, të mbrojnë rendin e rregullat ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore, të kundërshtojnë unilateralizmin e veprimet e ngacmimit, si edhe të punojnë së bashku për të përballuar sfidat globale, si ndryshimet klimatike, duke përmirësuar qeverisjen globale, duke sjellë përfitime për popujt e Kinës dhe Europës e duke sjellë më shumë qëndrueshmëri dhe siguri në një botë të trazuar.