Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Politika e Kinës ndaj Japonisë është e qartë, e qëndrueshme dhe e pandërprerë: pavarësisht se kush është udhëheqësi i Japonisë apo cila parti është në pushtet, Japonia duhet të respektojë katër dokumentet politike Kinë–Japoni, Kushtetutën paqësore të saj, si edhe të përmbushë angazhimet dhe detyrimet ndërkombëtare, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Lin Jian në një konferencë të rregullt shtypi.
Sipas raportimeve, në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të mbajtura më 8 shkurt, koalicioni qeverisës i përbërë nga Partia Liberaldemokrate dhe Partia e Restaurimit e Japonisë fitoi shumicën e vendeve. Si rezultat, kryeministrja japoneze Sanae Takaichi do të vijojë qeverisjen.
Lidhur me këtë, zëdhënësi tha se zgjedhjet janë punë e brendshme e Japonisë, por këto zgjedhje pasqyruan probleme strukturore të thella, si edhe prirje ideologjike që meritojnë reflektim serioz si nga shoqëria japoneze, ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Foto nga VCG
“Mësimet nga historia nuk mund të injorohen. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve japoneze të marrin seriozisht shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare, të ndjekin rrugën e zhvillimit paqësor dhe të mos kthehen në rrugën e militarizmit, të respektojnë katër dokumentet politike Kinë–Japoni dhe të mos shkelin premtimet. Nëse forcat japoneze të ekstremit të djathtë e gjykojnë gabimisht situatën dhe veprojnë në mënyrë të pamatur, ato do të përballen me kundërshtimin e popullit japonez dhe me reagimin e ashpër të bashkësisë ndërkombëtare,” u shpreh ai.
Lin Jian theksoi gjithashtu se politika e Kinës ndaj Japonisë nuk do të ndryshojë për shkak të ndonjë zgjedhjeje në Japoni. Pala kineze i kërkon sërish palës japoneze të tërheqë deklaratat e gabuara lidhur me çështjen e Tajvanit dhe të tregojë me veprime konkrete sinqeritet në ruajtjen e bazës politike të marrëdhënieve dypalëshe.
“Ua bëjmë të qartë autoriteteve japoneze se vendosmëria e popullit kinez për të mbrojtur interesat thelbësore kombëtare dhe rezultatet e fitores së Luftës së Dytë Botërore dhe rendin ndërkombëtar të pasluftës, si edhe për të kundërshtuar e mposhtur të gjitha provokimet dhe veprimet e pamatura nga forcat antikineze, është e palëkundur,” u shpreh zëdhënësi i diplomacisë së Kinës.