MPJ e Kinës: Duhet pyetur nëse pala japoneze po krijon tensione dhe po kryen provokime nga afër

Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës

Në lidhje me planin e Ministrisë së Mbrojtjes të Japonisë për të vendosur pajisje radari të lëvizshme në ishullin më lindor të Okinavës, me synimin për të monitoruar aktivitetet e aeroplanmbajtëseve dhe avionëve kinezë në zonën detare midis ishujve Okinava dhe Miyako, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, tha të enjten se duhet pyetur nëse pala japoneze po krijon me qëllim incidente dhe po ndërmerr veprime provokuese nga afër, për të krijuar justifikime për zgjerimin ushtarak, si edhe nëse po rikthehet, sipas projektimit të forcave të djathta, në rrugën e rrezikshme dhe pa kthim të militarizmit.

Sipas raportimeve, këto plane të Ministrisë japoneze të Mbrojtjes pritet të nisin në vitin 2026 dhe parashikohet që një personel prej rreth 30 vetash do të vendosen atje.

Duke iu përgjigjur pyetjeve përkatëse, Guo theksoi se, për shkak të historisë së agresionit militarist të Japonisë, zhvillimet në fushën ushtarake e të sigurisë të Japonisë kanë qenë gjithmonë nën vëzhgim të ngushtë nga vendet fqinje aziatike dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Pala japoneze ka forcuar vazhdimisht dislokimet e saj të synuara ushtarake pranë Tajvanit të Kinës, madje ka shpallur edhe vendosjen e raketave me rreze të mesme veprimi. Tani Japonia po planifikon vendosjen e radarëve dhe trupave ushtarake, për të spiunuar vendet fqinje.

“Duke pasur parasysh thëniet e gabuara dhe të rrezikshme të kryeministres Sanae Takaichi lidhur me çështjen e Tajvanit, njerëzit duhet të pyesin nëse pala japoneze po krijon me qëllim incidente dhe po ndërmerr veprime provokuese nga afër, për të krijuar justifikime për zgjerimin ushtarak, si dhe nëse po rikthehet, sipas projektimit të forcave të djathta, në rrugën e rrezikshme dhe pa kthim të militarizmit. Kina u bën thirrje autoriteteve japoneze të nxjerrin mësime serioze nga historia,” tha zëdhënësi.

Ai theksoi gjithashtu se, në zonat përkatëse detare e ajrore, të gjitha vendet kanë lirinë e lundrimit dhe të fluturimit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni