Një vepër gjigante e energjisë së pastër filloi të ndërtohet të hënën në Rajonin Autonom të Xizang-ut në Kinën Jugperëndimore, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt qëndrueshmërisë së energjisë së përtëritshme.
Objekti, që gjendet në kontenë Dangxiong 4 550 metra mbi nivelin e detit, është zyrtarisht termocentrali me energji diellore në formë lugu parabolik në lartësinë më të madhe në botë.
Kjo vepër, e njohur edhe si Projekti “Wumatang”, përdor një metodë të quajtur energjia diellore e përqendruar, ndryshe nga panelet standarde diellore që e shndërrojnë dritën drejtpërdrejt në elektricitet.
Në vend të paneleve të rrafshëta, përdoren pasqyra të lakuara në formë U-je, të cilat e përqendrojnë dritën e diellit mbi tuba të gjatë të mbushur me një vaj të posaçëm. Ky vaj i ngrohur më pas përdoret për të ngrohur rezervuarë gjigantë me kripë të shkrirë. Ky sistem funksionon në thelb si një bateri e madhe termike.
Ndërsa panelet tipike diellore ndalojnë së prodhuari energji sapo dielli perëndon ose zihet nga retë, ky termocentral mund ta ruajë nxehtësinë diellore dhe të vazhdojë prodhimin e energjisë elektrike deri në gjashtë orë pas rënies së errësirës, duke ndihmuar në zgjidhjen e problemit të ndërprerjes që mund të rrezikojë rrjetet elektrike.
Kompleksi pritet të jetë plotësisht funksional në vitin 2027 dhe të prodhojë rreth 719 milionë kilovatorë energji elektrike të pastër në vit. Kjo do të zëvendësojë djegien e rreth 216 900 tonë qymyr çdo vit, duke ulur lëshimet e dioksidit të karbonit me më shumë se 652 300 tonë dhe duke ndihmuar në mbajtjen e ajrit të pastër në rajon.