Operacionet e posaçme doganore të Hainan-it tërheqin vëmendjen e botës

Foto nga VCG

Të enjten nisën zyrtarisht operacionet e posaçme doganore të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt objektivit të ndërtimit të një porte të rëndësishme që drejton hapjen e Kinës ndaj botës së jashtme në epokën e re. Hainan-i do të bëhet një zonë e posaçme e mbikëqyrjes doganore ku zbatohet politika e liberalizimit dhe lehtësimit. Shkëmbimet mes Hainan-it dhe botës do të jenë më të lira në të ardhmen. Opinioni ndërkombëtar është gjerësisht i mendimit që operacionet e posaçme doganore në Portin e Tregtisë së Lirë të Hainan-it jo vetëm do ta ndihmojnë Kinën të krijojë një model të ri zhvillimi, por do t’i sjellin edhe botës mundësi të reja zhvillimi.

Data 18 dhjetor ka një rëndësi simbolike, pasi më 18 dhjetor të vitit 1978, plenumi i 3-të i Komitetit të 11-të Qendror të PKK-së hapi perden e reformës dhe hapjes së Kinës ndaj botës së jashtme. Pas 47 vjetëve, në sfondin e acarimit të unilateralizmit e të proteksionizmit, dhe të sfidave me të cilat përballet globalizimi ekonomik, nisja e operacioneve të posaçme doganore të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it është një moment tjetër historik në procesin e reformës dhe hapjes së Kinës, si edhe një masë për zgjerimin pa lëkundje të hapjes së nivelit të lartë të Kinës dhe për promovimin e ndërtimit të një ekonomie botërore të hapur.

Porti i Tregtisë së Lirë përfaqëson nivelin më të lartë të hapjes në botë sot. Cilat janë ndryshimet dhe vazhdimësitë pas nisjes së operacioneve të posaçme doganore të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it? Drejtori i Institutit të Ekonomisë Ndërkombëtare pranë Universitetit të Biznesit dhe Ekonomisë Ndërkombëtare Sang Baichuan u shpreh që “ndryshimet” shfaqen kryesisht në përmirësimin e mëtejshëm të liberalizimit dhe lehtësimit të tregtisë dhe investimeve, shtimin e dukshëm të numrit të mallrave me “tarifë zero” dhe të mallrave të importuara, si edhe uljen e ndjeshme të kostove të importit, gjë do të jenë shumë tërheqëse për investitorët nga të gjitha vendet. “Vazhdimësitë” do të thotë se Kina do të vazhdojë të zgjerojë hapjen e nivelit të lartë me botën e jashtme, duke treguar vendosmërinë dhe aftësinë për ndarjen e përfitimeve me botën.

Pas nisjes së operacioneve të posaçme doganore të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it, tarifat do të jenë më favorizuese, administrimi i tregtisë do të jetë më i lehtë, zhdoganimi do të jetë më i lirë dhe mbikëqyrja do të jetë më efektive. Këto do t’u sjellin sipërmarrjeve, individëve dhe ekonomisë botërore dobi reale.

Për sipërmarrjet, “tarifat zero”, “taksat e ulëta”, “sistemi i thjeshtuar i taksave” etj. do të sjellin një sferë më të gjerë përfitimesh dhe kosto më të ulët të prodhimit. Për shembull, para vitit 2027 kompanitë e regjistruara në Hainan paguanin vetëm 15 % tatim mbi të ardhurat. Llojet e mallrave pa tarifa do të shtohen nga 1 900 në 6 600, ndërsa përqindja e mallrave pa tarifa do të rritet nga 21 % në 74 %. Krahas këtyre, pas nisjes së operacioneve të posaçme doganore, hyrje-dalja e njerëzve, mallrave, të dhënave dhe fondeve do të jetë më e lehtë. Kjo do të thotë se barrierat e biznesit në Hainan do të ulen në minimum.

Investitorët e huaj kanë forcuar besimin e tyre për mundësitë e reja të sjella nga operacionet e posaçme doganore, duke shtuar investimet në Hainan. Sipas të dhënave, në 9-mujorin e parë të këtij viti, investimet në Hainan u rritën 42.2 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Meng Xinli, presidenti i degës së një kompanie ushqimore kanadeze në Hainan, u shpreh se operacionet e posaçme doganore kanë ulur koston e kompanisë e kanë tërhequr talente, dhe kompania e tij ka gëzuar politika më të favorshme.

Edhe turistët e vendeve të ndryshme mund të përfitojnë shumë nga operacionet e posaçme doganore. Me zbatimin e politikave të përjashtimit nga taksat dhe të hyrjes pa viza për shtetasit e 86 vendeve, Hainan-i po bëhet një qendër ndërkombëtare e konsumit dhe turizmit. Drejtoresha e shoqatës së biznesit Itali-Kinë, Hu Lisha theksoi që shumë sipërmarrje investojnë në Hainan dhe në Kinë sepse ato e vlerësojnë Portin e Tregtisë së Lirë të Hainan-it si një zonë ekonomike shumë të lirë dhe janë gjithashtu optimiste për tregun e brendshëm në rritje të Kinës. “Kjo paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për mallrat luksoze, veshjet e modës dhe mobiliet e nivelit të lartë të Italisë,” tha Hu Lisha.

Krahas këtyre, nisja e operacioneve të posaçme doganore do të promovojë fuqimisht globalizimin ekonomik. Hainan-i, i ndodhur në një pikëkalim kyç që lidh Oqeanin Paqësor me Oqeanin Indian, zotëron epërsi natyrore e gjeografike. Sipërmarrjet që investojnë këtu mund të marrin përfitime jo vetëm nga Hainan-i, por edhe nga mbarë Kina, madje edhe nga Azi-Paqësori në tërësi, duke promovuar ekonominë rajonale dhe globale. Agjencia Kombërare e Lajmeve e Malajzisë analizon se Porti i Tregtisë së Lirë i Hainan-it do t’u sjellë vendeve të tjera mundësi të reja, duke tërhequr  veçanërisht vendet e Azi-Paqësorit. Revista amerikane “Eurasia Review” theksoi që, në sfondin e rritjes së pasigurisë ekonomike globale dhe proteksionizmit, Porti i Tregtisë së Lirë i Hainan-it ofron një platformë më të qëndrueshme për bashkëpunimin ekonomik e tregtar ndërkombëtar.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni