foto nga VCG
Pekini synon ta rritë vlerën e industrisë së vet thelbësore të inteligjencës artificiale (AI) përtej 1 trilion juanëve (rreth 142.5 miliardë dollarë amerikanë) brenda dy vjetësh nëpërmjet një plani të ri veprimi të publikuar të hënën, ndërsa kryeqyteti kinez kërkon të konsolidojë rolin e vet si një qendër globale inovacioni në fushën e AI-së.
Sipas planit, autoritetet do të zbatojnë nëntë nisma kryesore në sektorë të ndryshëm të industrisë së AI-së, duke vendosur një theks të fortë në inovacionin teknologjik.

foto nga VCG
Plani u jep përparësi arritjeve teknologjike nëpërmjet përpjekjeve të bashkërenduara kërkimore, nxitjes së ofertës së të dhënave me cilësi të lartë dhe zgjerimit të zbatimeve nëpër sektorë të ndryshëm. Ai përfshin gjithashtu masa për të tërhequr talentet kryesore, për të mobilizuar kapitalin afatgjatë dhe për të përkrahur ekosistemet me burim të hapur.
Yang Xiuling, drejtor i Komisionit të Zhvillimit e Reformës të Bashkisë së Pekinit, tha se objektivat e tjerë përfshijnë krijimin e një grupi të informatikës së AI-së të prodhuar në vend me një kapacitet mbi 100 000 mikroçipa, shtimin e mbi 10 kompanive të reja të lidhura me AI-në të listuara në bursë dhe kultivimin e mbi 20 firmave të ashtuquajtura “njëbrirëshe” në këtë sektor.

foto nga VCG
Gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025), Kina e vuri inovacionin në qendër të përpjekjeve të modernizimit të saj, duke ndërtuar një nga ekosistemet më të përparuara të AI-së në botë dhe duke forcuar sektorë të ndryshëm, që nga prodhimi e shëndetësia deri te transporti dhe financat.
Sektori i AI-së i vendit ka pasur rritje të madhe, me numrin e kompanive të tij që arriti mbi 5 300 deri në shtatorin e vjetshëm, duke zënë 15 % të numrit të përgjithshëm global, sipas Akademisë së Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit të Kinës.