Samiti i BRICS 2025, Jugu Global dhe Rendi i Ri Botëror

Denominuar si organizata “kampion” i një zëri më të qenësishëm për të ashtuquajturin Jugun Global, grupimi BRICS synon të promovojë një alternativë dhe jo një zëvendësim të një rendi botëror që tradicionalisht është përqendruar rreth fuqive perëndimore. Vendet e BRICS janë të larmishme për sa i përket sistemit të tyre ekonomik dhe politik, gjë që ndonjëherë mund ta bëjë sfiduese arritjen e një konsensusi për çështje të caktuara, por mundësitë dhe potencialet janë shumë më të mëdha se sfidat.

Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) i kombinuar i njëmbëdhjetë vendeve anëtare të BRICS parashikohet të tejkalojë mesataren globale në vitin 2025, sipas raportit të Perspektivës Ekonomike Botërore të publikuar në prill nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Në vitin 2024, BRICS së bashku arritën një rritje të PBB-së prej 4%, ndërsa rritja botërore ishte 3.3%. Të dhënat e FMN-së zbulojnë gjithashtu se BRICS përbënin 40% të ekonomisë globale (e matur nga Pariteti i Fuqisë Blerëse, PPP) në vitin 2024, me parashikime që rriten në 41% në vitin 2025. Me zgjerimin e fundit dhe përfshirja e vendeve me burime të mëdha natyrore kanë sjellë BRICS në një pozicion strategjik për kontrollin e 80% të rezervave globale të naftës, duke u bërë kështu një aktor kyç në tregjet energjetike dhe në sigurinë ekonomike botërore. Kjo peshë ekonomike dhe demografike i jep BRICS një pozicion unik për të negociuar dhe për të kërkuar reforma në mekanizmat ekzistues të rendit ndërkombëtar.

Diversiteti dhe potenciali i BRICS

Përmbledhur në akronimin e thjeshtë BRICS lidhen realitete shumë komplekse dhe të ndryshme. Grupimi aktualisht përbëhet nga 11 vende anëtare dhe 10 vende partnere. Akronimi BRIC u krijua në vitin 2001 dhe samiti i parë mes Brazilit, Kinës, Indisë dhe Rusisë u mbajt në vitin 2009. Afrika e Jugut iu bashkua në vitin 2011. Gjashtë anëtarë të rinj u shtuan në vitet 2024 dhe 2025: Egjipti, Etiopia, Irani, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indonezia. Në tetor 2024 u shpallën nëntë vende partnere: Bjellorusia, Bolivia, Kuba, Kazakistani, Malajzia, Nigeria, Tailanda, Uganda dhe Uzbekistani. Vietnami u bë partneri i 10-të muajin e kaluar.

Që nga themelimi i tij, BRICS ka ndërtuar një rrugë bashkëpunimi që, përkundër sfidave të mëdha, ka gjetur mënyra për të mbetur i bashkuar përmes besimit dhe dialogut të vazhdueshëm.  Për vendet në zhvillim, BRICS përfaqëson një mundësi për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi që nuk janë në kundërshtim me sistemin ndërkombëtar, por që ofrojnë një alternativë që i jep më shumë peshë zërit të tyre dhe mundësi për investime të reja dhe projekte infrastrukturore të nevojshëm për zhvillimin e qëndrueshëm. Ky mekanizëm bashkëpunimi është i hapur dhe gjithëpërfshirës, ku vendet e anëtarësuara dhe ato që aspirojnë të bashkohen trajtohen si të barabarta, duke eliminuar ndarjet tradicionale hierarkike në bazë të fuqisë ekonomike, ushtarake apo politike, gjë që e bën BRICS një fenomen unik në skenën ndërkombëtare.

 Samiti i 17-të i BRICS

Në fillim korriku 2025 udhëheqës të rëndësishëm u mblodhën në Samitin e 17-të të BRICS në Rio de Janeiro, Brazil, duke u fokusuar te strategjitë për stabilitet në një kohë kur volatiliteti global po përkeqësohet. Udhëheqësit e BRICS kërkojnë një rend ndërkombëtar të drejtë dhe të balancuar. Kina vazhdon të jetë shtylla kryesore e sinergjisë brenda BRICS, si partneri kryesor tregtar për shumë anëtarë. Tregtia në rritje e Kinës, tregu i madh konsumator ka ndihmuar në integrimin e këtij blloku dhe në rëndësinë gjithnjë në rritje të samiteve të BRICS.

Deklarata përfundimtare e Samitit të 17-të të Liderëve të BRICS ishte një dokument i rëndësishëm prej 31 faqesh me 126 pika, që tregon angazhimin e fortë të bllokut për multilateralizmin në tregti, zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe trajtimin e çështjeve globale si shëndetësia dhe ndryshimet klimatike. Kina dhe Brazili, dy nga ekonomitë më të mëdha në botë, shprehën vendosmërinë për të gjetur një drejtim të ri për tregtinë globale. Në një mesazh në rrjetet sociale, Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me një tarifë shtesë 10% ndaj vendeve që mbështesin politikat e BRICS, të cilat ai i përshkroi si anti-amerikane. I pyetur për këtë, Presidenti brazilian Lula da Silva deklaroi se agresioni i liderit amerikan nuk kishte ndikuar në kohezionin e grupit. Ai tha: “E vetmja arsye që e di për këtë është sepse ti më pyete në takimin e BRICS. Askush, absolutisht askush, nuk e ngriti këtë çështje. Ishte sikur asgjë të mos ishte thënë. Nuk ishte e rëndësishme për ne.” Brazili do të vazhdojë të mbajë presidencën e BRICS deri në fund të vitit, duke u fokusuar në zbatimin e marrëveshjeve të reja para se të kalojë drejtimin në Indi në janar 2026.

Në deklaratën e BRICS u dënuan rritjet e tarifave nga disa vende, pa përmendur Shtetet e Bashkuara apo ndonjë udhëheqës specifik. Kjo tregon konsensusin brenda BRICS për kundërshtimin e proteksionizmit dhe mbështetjen e multilaterizmit në tregti. Edhe pse anëtarët e BRICS mund të jenë konkurrentë në tregjet ndërkombëtare, koordinimin e politikave tregtare e konsiderojnë thelbësor. Shumë vende në zhvillim, përfshirë anëtarët e BRICS, e kanë pësuar nga tarifat reciproke dhe tensionet tregtare. Për këtë arsye, BRICS duhet të koordinojë politikat tregtare dhe të promovojë multilaterizmin.

Brenda BRICS disa vende janë eksportuese ndërsa të tjera janë fuqi të forta prodhuese, prandaj është e nevojshme koordinimi i politikave dhe zbatimi i masave të lehtësimit të tregtisë. Këto përpjekje synojnë të rrisin konkurrencën ekonomike dhe rritjen, që është objektivi kryesor i bashkëpunimit të BRICS. Në histori, lehtësimi i tregtisë ka qenë një prioritet për BRICS, përfshirë bashkëpunimin në dogana, logjistikë transporti dhe lehtësimin e vizave për të inkurajuar shkëmbimet tregtare dhe njerëzore. Kina gjithashtu fokusohet në ndihmën ndaj vendeve të Jugut Global për të përmirësuar industrinë lokale përmes ndarjes së teknologjisë dhe trajtimit të fuqisë punëtore, duke mbështetur kështu rritjen ekonomike. Deklarata e BRICS gjithashtu dënoi sulmet e fundit ndaj Iranit, duke theksuar angazhimin e grupit për multilaterizëm dhe kundërshtimin e veprimeve unilaterale që dëmtojnë zhvillimin ekonomik global dhe zinxhirët e furnizimit.

Përmes BRICS, Kina synon të reduktojë hendekun e njohurive mes vendeve në zhvillim, të përshpejtojë integrimin ekonomik dhe të përforcojë dialogun ndërkulturor. Në një deklaratë të bërë publike përpara samitit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës nënvizoi se: “Mekanizmi i bashkëpunimit BRICS është platforma më e rëndësishme për solidaritetin dhe bashkëpunimin mes tregjeve në zhvillim dhe vendeve në zhvillim. Ai është një forcë kyçe për ndërtimin e një bote shumëpolare të barabartë dhe një globalizimi ekonomik gjithëpërfshirës.”

Një nga elementët më domethënës të këtij grupimi është procesi i zgjerimit që po zhvillohet me shpejtësi dhe seriozitet të jashtëzakonshëm. Me mbi 40 aplikime për anëtarësim dhe 11 vende anëtare aktualisht, BRICS po rritet për të përfshirë një gamë të gjerë rajonesh dhe ekonomish, duke përforcuar diversitetin dhe ndikimin e tij. Ky zgjerim është gjithashtu shenjë e përpjekjeve të vazhdueshme për të reformuar sistemin ndërkombëtar të qeverisjes globale, duke siguruar që zëri i Jugut Global të dëgjohet më fuqishëm në organizmat dhe forumet ndërkombëtare. Ky proces i zgjerimit nuk është vetëm një numërim i anëtarëve, por një reflektim i një paradigme të re ku bashkëpunimi, barazia dhe përfshirja janë elementë thelbësorë.

Një ndër nismat më të rëndësishme dhe konkrete të BRICS është themelimi i Bankës së Re për Zhvillim (NDB), e cila shërben si një instrument kyç për mbështetjen financiare të projekteve të zhvillimit të qëndrueshëm në vendet anëtare. Kjo bankë është pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar vendet në zhvillim të ndërtojnë infrastrukturën e nevojshme, të përparojnë në transformimin digjital dhe të investojnë në energji të pastër, duke ndihmuar kështu në uljen e pabarazive ekonomike dhe në përballimin e sfidave globale si ndryshimet klimatike. Samiti i 17-të i BRICS, i mbajtur në Brazil, solli në fokus rëndësinë e zhvillimit të industrive të reja, veçanërisht atyre të ekonomisë së gjelbër dhe energjisë së pastër, si dhe thellimin e partneriteteve strategjike midis vendeve anëtare. Viti 2025 do të jetë po ashtu një vit kyç për Brazilin, i cili do të presë Konferencën COP30 për klimën, duke u pozicionuar si një aktor i rëndësishëm në debatin global për energjinë e pastër dhe politikave klimatike, një zhvillim që përputhet me synimet e BRICS për zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Si kryesues i BRICS-it në vitin 2025, Brazili miratoi moton: “Forcimi i bashkëpunimit të  Jugut Global për qeverisje më përfshirëse dhe të qëndrueshme.” Brenda këtij kuadri, Brazili propozoi që grupi të japë përparësi partneriteteve që promovojnë zhvillimin social, ekonomik dhe mjedisor.

 

Perceptimet ndërkombëtare

Në një botë që po karakterizohet nga tensione në rritje dhe përplasje ekonomike dhe politike, perceptimet për rolin e BRICS janë të ndryshme. Në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump dhe senatorë si Lindsey Graham kanë promovuar politika që mbështesin përdorimin e presionit ekonomik dhe financiar si instrumente politike, duke krijuar kështu një ambient sfidues dhe nxitës për vendet në zhvillim që të kërkojnë alternativa si BRICS. Në Indonezi, pjesëmarrja në BRICS shihet me kujdes dhe pragmatizëm; vendi e konsideron grupimin si një mundësi për të reformuar sistemin ndërkombëtar në mënyrë që përfaqësimi dhe proceset vendimmarrëse të jenë më efektive. Brazili, nga ana tjetër, e sheh veten si një zë i ri dhe i fuqishëm që përfaqëson Amerikën Latine dhe Jugun Global në këtë mekanizëm, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke fuqizuar lidhjet ekonomike dhe kulturore me Kinën dhe vendet e tjera. Bashkëpunimi në infrastrukturë, si investimet kineze në portin e Perusë dhe rëndësia strategjike e portit Santos në Brazil, janë shembuj konkretë të mënyrës se si BRICS po transformon zhvillimin rajonal dhe ndërkombëtar.

Në kontekstin e ndryshimeve të thella në arenën globale, ku gjeopolitika dhe gjeoekonomia luajnë rolin kyç në përcaktimin e rrjedhave të fuqisë dhe interesave ndërkombëtare, grupi BRICS  po konsolidohet si një forum thelbësor për diskutim dhe bashkëpunim midis vendeve në zhvillim. E rëndësishme për t’u theksuar është që BRICS nuk është një organizatë formale me seli qendrore apo burokraci të përhershme – për momentin ai funksionon si një hapësirë dialogu ku anëtarët mund të diskutojnë çështje të ndryshme, duke përfshirë zhvillimin ekonomik, por edhe temat e ndërlidhura të gjeopolitikës. Ndërsa deri tani BRICS ka shmangur përplasjet e ashpra politike, e kupton mirë se nuk mund të izolohet nga realiteti i ndërlidhur i politikave globale dhe ekonomike, që janë të pazgjidhshme në botën moderne. Kjo ndërthurje e thellë është një trashëgimi edhe nga periudha e Luftës së Ftohtë, ku teoria e zhvillimit ishte përdorur si një instrument për të kundërshtuar modelet sovjetike dhe për të fituar ndikim në botën në zhvillim.

Së fundmi, BRICS nuk synon të jetë thjesht një klub ekonomik, por një platformë që fuqizon zërin e vendeve të Jugut Global. Kjo platformë u jep atyre mundësinë për të prezantuar në mënyrë të fuqishme shqetësimet e tyre gjeoekonomike dhe gjeopolitike, dhe për t’i bërë ato më të dëgjueshme për publikun global. Edhe pse sot BRICS nuk përfaqësohet gjerësisht në mediat ndërkombëtare kryesore dhe shpesh injorohet në raportimet e tyre, ai po fiton gradualisht rëndësi dhe pritet të bëhet një faktor kryesor në arkitekturën globale të fuqisë. BRICS shihet si një mundësi e rëndësishme për të forcuar unitetin ndërmjet vendeve të anëtarësuara, për të avancuar agjendën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe për të riafirmuar rolin e BRICS si një shtyllë strategjike në arkitekturën globale të shekullit XXI.

 

©AIGS

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni