Çarje në sipërfaqen e betonit/VCG
Studiuesit kinezë kanë zbuluar që energjia kimike e çliruar menjëherë nga veprimtaritë në koren e Tokës, si tërmetet, mund të shërbejë si një “karburant alternativ” ndaj dritës së diellit për mikroorganizmat nëntokësorë.
Ky studim i fundit zbulon një burim të rëndësishëm energjie për ekosistemet e thella të Tokës dhe gjithashtu ndihmon në kërkimin e jetës së mundshme të nëndheshme në planete si Marsi dhe sateliti “Europa” i Jupiterit.
Studimi, i udhëhequr nga kërkuesit e Institutit të Gjeokimisë të Guangzhou-t pranë Akademisë Kineze të Shkencave, u botua kohët e fundit në revistën “Science Advances”.
Në thellësitë e errëta që nuk mund të shihen nga syri njerëzor, jetojnë 95 për qind e organizmeve prokariotikë të Tokës, duke zënë rreth 19 për qind të biomasës së përgjithshme në Tokë. Këto forma jete nuk mund të sigurojnë lëndë organike të sintetizuar nëpërmjet fotosintezës, dhe mënyra se si e përftojnë ato energjinë ka qenë për një kohë të gjatë mister në bashkësinë shkencore, sipas kërkuesve.
Pas kryerjes së simulimeve të veprimtarive thyerëse disa kilometra nën tokë, ekipi zbuloi se, kur shkëmbinjtë thyen dhe krijojnë sipërfaqe të reja, lidhjet e sapokrijuara kimike hyjnë në kontakt të menjëhershëm me ujin. Ky ndërveprim prodhon një sasi të ndjeshme hidrogjeni e peroksidi hidrogjeni. Kjo çon në ciklet e oksidimit dhe reduktimit të hekurt, duke çliruar vazhdimisht elektrone në këtë proces.
Këto elektrone rrjedhin më tej midis elementeve thelbësore për jetën, të tilla si karboni, sulfuri dhe azoti, duke formuar një “rrjet energjetik nëntokësor të padukshëm”, që ofron energji të gatshme për mikroorganizmat, bëri të ditur ekipi.
Burimi ©CGTN