Trashëgimi i paqes brez pas brezi

Foto nga VCG

Sivjet është 80-vjetori i fitores së Luftës së Rezistencës të Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe Luftës Antifashiste Botërore. Para 80 vjetëve, populli kinez dha kontribut të rëndësishëm për shpëtimin e qytetërimit njerëzor dhe mbrojtjen e paqes botërore me sakrifica të mëdha. Më 3 shtator paradite u mbajt në sheshin “Tiananmen” të Pekinit një ceremoni madhështore për të përkujtuar këtë fitore të madhe.

Vicentiu Gheorghe, president nderi i Shoqatës “ChinaRo” të Rumanisë, u shpreh:

“Kina luajti një rol të rëndësishëm gjatë Luftës Antifashiste Botërore dhe ishte vendi i parë që i rezistoi agresionit fashist. Lufta e Rezistencës e Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez u bë fronti i parë kryesor i qëndresës ndaj zgjerimit të Fuqive të Boshtit. Kina pësoi humbje të mëdha në luftë: mbi 35 milionë njerëz humbën jetën ose u plagosën, vendi u shkatërrua në përmasa të mëdha, ndodhën mizori si Masakra e Nankinit etj. Pavarësisht këtyre tragjedive, Kina bëri një qëndresë heroike, duke dhënë kontribut vendimtar për lehtësimin e trysnisë mbi forcat aleate.”

Roman Blashko, sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, theksoi:

“Ju lutem mos harroni që, në anën tjetër të Euroazisë po zhvillohej një luftë njësoj e ashpër: beteja për jetë a vdekje ndërmjet Kinës dhe Japonisë militariste (fashiste). Pikërisht rezistenca heroike e kombit kinez nën udhëheqjen e PKK-së i pengoi forcat fashiste të zgjeroheshin në brendësi nga ana lindore e kontinentit euroaziatik.”

Përkujtimi ka për qëllim mbajtjen mend të historisë, kujtimin e dëshmorëve, ruajtjen e paqes dhe krijimin e së ardhmes.

Karl Freller, drejtori i Fondacionit “Stiftung Bayerische Gedenkstatten” të Gjermanisë, vuri në dukje:

“Mospërballja me historinë dhe mosmësimi nga historia sjellin rreziqe. Kjo vlen për çdo vend. Qoftë Japonia apo ndonjë vend tjetër duhet të mësojnë nga ngjarjet negative të historisë, për të siguruar mosndodhjen përsëri të ngjarjeve të tilla, duke e kthyer përvojën historike në një drejtim politik më aktiv, duke pasur mbrojtjen e njerëzve si objektiv.”

Duke vuajtur dëmet e agresionit, populli kinez e çmon më shumë paqen. Kina i përmbahet rrugës së zhvillimit paqësor dhe mbron me vendosmëri sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në ligjin ndërkombëtar. Siç tha presidenti kinez Xi Jinping në ceremoninë përkujtimore: “Populli kinez qëndron me vendosmëri në anën e duhur të historisë dhe në anën e përparimit të qytetërimit njerëzor. Ne i përmbahemi rrugës së zhvillimit paqësor dhe punojmë me popujt e të gjitha vendeve për të ndërtuar një bashkësi me të ardhme të përbashkët të njerëzimit.”

Milan Krajça, nënkryetari i Partisë Komuniste të Bohemisë dhe Moravisë të Republikës Çeke, u shpreh:

“Në këtë moment kyç, besoj që të gjithë njerëzit paqedashës do të mbrojnë me vendosmëri Kartën e OKB-së, ligjin ndërkombëtar dhe OKB-në, sepse OKB-ja është shtylla e marrëdhënieve ndërkombëtare. Marrëdhëniet midis vendeve të ndryshme duhet të vendosen mbi themelet e paqes, bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta e mirëkuptimit me njëri-tjetrin.”

Bernd Einmeier, presidenti i Shoqatës Gjermani-Kinë për Ekonominë, Edukimin dhe Kulturën, tha:

“Kina jo vetëm dërgon paqeruajtës, por edhe u jep veprimeve paqeruajtëse të OKB-së mbështetje financiare, duke dhënë kontribut të madh për paqen botërore. Kam shpresa të mëdha te Kina, e cila mund të luajë rol në OKB për të nxitur zgjidhjen paqësore të luftërave dhe konflikteve.”

Marsela Musabelliu, drejtorja ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studimet e Globalizimit, u shpreh:

“Dua të theksoj që Nisma e Sigurisë Globale dhe koncepti i ndërtimit të bashkësisë me të ardhme të përbashkët të njerëzimit të paraqitur nga Kina treguan pikërisht frymën e synimit të paqes në kujtesën historike të njerëzimit. Nëpërmjet këtyre nismave, Kina i fton të gjitha vendet e botës të ndjekin një rrugë zhvillimi përbashkët, që siguria e lulëzimi të mos jenë më vetëm privilegj i disa vendeve të fuqishme, por është e drejta e çdo vendi dhe individi.”

 

CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us