Kriminelët e luftës japonezë janë gjykuar në seancë gjyqësore pas dështimit në Luftën e Dytë Botërore/Foto nga VCG
Populizmi shpesh luan më shumë me emocionet sesa me arsyen. Politika e tij mbështetet te frika, zemërimi dhe krenaria kolektive, jo tek analiza dhe përgjegjësia. Ai ndërton identitet politik duke fajësuar “të tjerët”, si emigrantët, pakicat, mediat apo institucionet, dhe krijon ndjenja të thella kundër “tjetrit.” Hapi tjetër i populizmit është ekstremi i djathtë; nëse vijohet tej këtyre linjave, hapi i radhës mund të jetë fashizmi. Fashizmi nuk lind papritur. Ai zhvillohet aty ku institucionet humbasin besimin dhe e shkuara glorifikohet, dhe ku politika bëhet më shumë shfaqje sesa përgjegjësi. Historikisht, ekstremi i djathtë dhe fashizmi lidhen me mënyrën se si trajtojnë “popullin” dhe institucionet. Është e rëndësishme të kuptohet se populizmi nuk është fashizëm, por mund të krijojë terrenin ku frika manipulohet dhe ku idetë e rrezikshme mund të marrin rrënjë. Hapi i fundit i fashizmit është militarizmi me qëllim përballjen frontale.
Marine Le Pen në Francë/Foto nga VCG
Tendencat e ekstremit të djathtë kanë marrë shumë hov gjatë dekadës së fundit. Këtë e kemi parë qartë në praktikë: nga Donald Trump në SHBA, Matteo Salvini dhe Giorgia Meloni në Itali, Jarosław Kaczyńskw në Poloni, Marine Le Pen në Francë, Geert Wilders në Holandë, Nigel Farage në Britaninë e Madhe, Sohei Kamiya dhe Sanae Takaichi në Japoni, etj.
Rasti i Japonisë
Koichi Nakano, profesor i Shkencave Politike në Tokio, shprehet se shfaqja e fundit e së djathtës gati-ekstreme në Japoni dallon në disa mënyra nga homologet evropiane dhe amerikane duke u përqendruar te politikat e ksenofobisë. Ajo që nxit të djathtën atje është një përzierje e nacionalizmit nostalgjik dhe dëshira për të lavdëruar të kaluarën e vendit dhe shpesh i paraqet aktorët e jashtëm dhe vendet e tjera si kërcënime ose oportunistë që përfitojnë nga suksesi i Japonisë. Disa grupe gjithashtu theksojnë mbrojtjen e të ardhmes së Japonisë dhe promovimin e politikave “Japan First”, në mënyrë të ngjashme me qasjen “America First” të presidentit amerikan Donald Trump. Ndërkohë që këto politika fokusohen kryesisht te interesat e popullit japonez, të huajt shihen si të rëndësisë së dytë.
Sipas Nakano, konservatorizmi japonez shpesh përqendrohet te lavdërimi i të kaluarës, veçanërisht tek sukseset e zgjerimit imperialist japonez dhe adoptimi i modeleve perëndimore, duke theksuar gjithashtu “pastërtinë” kulturore dhe racore të popullit japonez. Përkundër industrializimit të shpejtë pasluftës, që deri në vitin 1968 e kishte bërë Japoninë ekonominë e dytë më të madhe në botë, shpërthimi i flluskës së aseteve, krizat bankare dhe kolapsi i bursës ngadalësuan rritjen ekonomike. Pas asaj që njihet si “dekada e humbur” e viteve 1990, ka pasur një ringjallje të ndjenjave nacionaliste, që kthejnë sytë me nostalgji tek “ditët e mira” të Japonisë. Ditët e mira ishin ato të imperializmit, kur qindra miliona njerëz në Azi u nënshtruan Japonisë.
Lëvizjet e së djathtës ekstreme në Japoni shpesh identifikojnë aktorët e jashtëm dhe vendet e tjera si kërcënime. Ata mendojnë se Japonia po mbetet prapa, ndërsa vendet fqinje dhe kolonitë e saj të mëparshme përparojnë. Këtu qëndron problemi, si ka mundësi që vendet që një herë Japonia i ka pushtuar dhe kolonizuar, të ecin para? – dhe këtu ndoshta merr vrull politika e fitueses së zgjedhjeve të fundit, Sanae Takaichi. Takaichi ka ripërsëritur qëllimin e saj për të ndjekur rishikimin kushtetues. Objektivi është që Japonia të bëhet një “shtet normal”, që do të thotë një vend që mund të zhvillojë aftësi ushtarake të plotë, pa kufizime nga paslufta.

Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi/Foto nga VCG
Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, ka shprehur qëllimin e saj për të ndjekur një rishikim kushtetues që përfshin edhe Forcat e Vetëmbrojtjes (SDF), gjatë fushatës zgjedhore për Dhomën e Përfaqësuesve të Japonisë. Neni 9 i Kushtetutës Japoneze, që hyri në fuqi në vitin 1947 pas humbjes së Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, është një klauzolë e njohur si “heqja dorë nga lufta.” Sipas këtij neni, populli japonez heq përgjithmonë dorë nga lufta si të drejtë sovrane e kombit dhe nga përdorimi i forcës për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, duke ndaluar mbajtjen e forcave tokësore, detare dhe ajrore si dhe çdo potencial tjetër ushtarak. Kushtetuta aktuale nuk përmend Forcat e Vetëmbrojtjes, sipas faqes zyrtare të Kryeministrit të Japonisë. SDF-ja u krijua më vonë si një strukturë “mbrojtje”, që të jetë e aftë të mbrojë territorin japonez, por nuk ka statusin e ushtrisë tradicionale. Aktualisht, kushtetuta nuk i përmend ato qartë, gjë që ka nxitur debate të vazhdueshme mbi legjitimitetin e aktivitetit të tyre dhe rolit ushtarak të Japonisë në rajon.
Në fjalimin e saj të fitores, Takaichi tha se një vend që nuk pranon sfida nuk ka të ardhme. Ajo ka theksuar nevojën për të forcuar mbrojtjen “kundër fuqisë në rritje ushtarake të Kinës” dhe ka premtuar se Japonia do të ndihmojë ishullin e Tajvanit në rast sulmi, gjë që pa dyshim pati reagimin e menjëhershëm të Pekinit.
Ekspertët kinezë theksojnë se kjo nismë synon të konsolidojë pushtetin personal të Takaichi dhe njëkohësisht të përgatisë terrenin për agjendën afatgjatë politike të krahut të djathtë japonez. Ai paralajmëron gjithashtu se Kina dhe vendet e tjera aziatike duhet të qëndrojnë vigjilente ndaj rrezikut që forcat e djathta japoneze, të nxitura nga një interpretim i shtrembër i historisë, mund të përdorin procesin e amendimeve për të thyer kufizimet ndërkombëtare pasluftës, të shkelin kufijtë e sigurisë ushtarake dhe të minojnë paqen dhe stabilitetin rajonal.
Pozicioni i Kinës në këtë kontekst
Kina i ka bërë thirrje Japonisë të reflektojë thellë mbi historinë e saj të agresionit dhe të ndjekë rrugën e zhvillimit paqësor, ndërkohë që duhet të dëgjojë zërin e popullit për paqe dhe kundërshtim ndaj luftës. Deklarata u bë nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, si përgjigje ndaj raportimeve se Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi, synon të rishikojë kushtetutën për të institucionalizuar Forcat e Vetëmbrojtjes. Lin kujtoi se gjatë Luftës së Dytë Botërore militarizmi japonez shkaktoi katastrofa të mëdha për rajonin dhe botën, dhe theksoi se dokumentet ndërkombëtare, si Deklarata e Kajros, Proklamata e Potsdamit dhe Instrumenti i Dorëzimit të Japonisë, përcaktojnë detyrimet ndërkombëtare të Japonisë dhe parakushtet për rikthimin e saj në komunitetin ndërkombëtar. Ai shtoi se pikërisht për këtë arsye, çdo rishikim kushtetues në Japoni ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e fqinjëve aziatikë dhe të komunitetit ndërkombëtar.

Qyteti Wuxi, Kinë Lindore në pushtimin e agresorëve militaristë japonezë, nëntor 1937/Foto nga VCG
Deklarimi i Lin shihet si një paralajmërim diplomatik dhe si një kujtesë historike ndaj planeve të Japonisë për të ndryshuar kushtetutën, një hap që mbetet shumë i ndjeshëm për shkak të pasojave të militarizmit japonez dhe angazhimeve të vendit pas Luftës së Dytë Botërore.
Profesor Xiang Haoyu, studiues i lartë në Institutin Kinez të Studimeve Ndërkombëtare, tha se rishikimi kushtetues ka qenë prej kohësh një objektiv themelor i forcave konservatore japoneze, për të arritur statusin e ashtuquajtur të “shtetit normal”. Xiang paralajmëroi se, edhe pse rishikimi kushtetues është çështje e brendshme japoneze, efektet e tij rajonale nuk mund të injorohen. Forcat e djathta japoneze, të nxitura nga një interpretim i shtrembër i historisë, mund të shfrytëzojnë procesin e amendimit për të thyer kufizimet ndërkombëtare pasluftës, për të shkelur kufijtë e sigurisë dhe për të destabilizuar paqen rajonale.
Ekspertët kinezë dhe të tjerë në Azinë Lindore, paralajmërojnë se një amendim kushtetues mund të ketë pasoja të rënda për paqen rajonale. Forcat e djathta japoneze mund të përdorin ndryshimet për të sfiduar kufizimet pasluftës dhe angazhimet ndërkombëtare. Mund të shkelin kufijtë e sigurisë dhe të rrisin tensionet me fqinjët, përfshirë Kinën dhe Korenë e Jugut. Kina e sheh këtë si një çështje strategjike dhe i konsideron deklaratat e Takaichi-t një paralajmërim për veprime që mund të sfidojnë marrëveshjet ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore.

Kriminelët e luftës japonezë janë gjykuar në seancë gjyqësore pas dështimit në Luftën e Dytë Botërore/Foto nga VCG
E shkuara, që as nuk fshihet e as nuk harrohet dot
Tetëdhjetë vjet më parë, u themelua Tribunali Ndërkombëtar Ushtarak për Lindjen e Largët, (një gjë qe ne Evropë i ngjan shumë gjykatës së Nurembergut që gjykoi nazistët e pas luftës) duke gjykuar mbi dhjetëra kriminelë lufte japonezë dhe duke mbajtur më shumë se 800 seanca gjyqësore. Sot shumë është harruar, por viktimat reale — përfshirë jetimët e luftës, gratë e dhunuara, dhe mbijetuesit e Masakrës së Nanjing-ut — nuk kanë harruar, as kanë marrë kurrë falje apo kompensim të duhur. Megjithatë, ata vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, duke çuar çështjet në gjykata dhe duke denoncuar publikisht mizoritë. Trashëgimia e agresionit japonez ka lënë vuajtje të thella dhe përgjegjësi morale të paplotësuar, sidomos në Kinë. Të mbijetuarit dhe pasardhësit theksojnë se shmangia e llogaridhënies nga ana e Japonisë, së bashku me përpjekjet aktuale për riarmatim dhe ndryshime kushtetuese, rrezikon paqen rajonale dhe ringjall ambicie militariste. Këto padrejtësi historike shërbejnë si paralajmërim dhe si një apel moral për vendin, duke nënvizuar nevojën për pajtim të vërtetë dhe përkushtim ndaj zhvillimit paqësor.
Në kontekstin më të gjerë politik, deklaratat dhe veprimet e qeverisë japoneze, përfshirë përpjekjet për rishikim kushtetues dhe riarmatim, janë parë nga ekspertët si një kërcënim për paqen rajonale dhe një shenjë e ringjalljes së ideve militariste. Kjo është veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh vuajtjet e viktimave dhe mosnjohjen e plotë të përgjegjësisë historike nga ana e Japonisë. Aktivitetet e vazhdueshme për të mohuar krimet, për të shtrembëruar historinë dhe për të riformësuar legjislacionin në favor të forcave ushtarake tregojnë një rrezik të qartë edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare pasi sistemi që u krijua për të mbajtur Japoninë paqësore pas Luftës së Dytë Botërore tani mund të përdoret si rrugë ligjore për dobësimin e këtij pacifizmi. Sot, politika dhe retorika e Takaichi-t duket se po ringjallin tendencat ushtarake të mbajtura të fshehura për dekada. Rezultati i zgjedhjeve është lavdëruar nga mbështetësit e saj si ardhja e një “Gruaje Hekuri” në Tokio. Por, për kombet që duan paqen, kjo shënon konsolidimin e një shumice që heq pengesën më të madhe ligjore ndaj një kthese radikale të djathtë në politikën japoneze.

Politikanë japonezë bëjnë vizitë në Tempullin Yasukuni në Tokio, ku adhurohen “shpirtrat” e kriminaleve të kategorisë së parë në Luftën e Dytë Botërore, 2023/Foto nga VCG
Së fundmi, fqinjët e Japonisë po e vëzhgojnë me kujdes situatën dhe do të veprojnë sipas ngjarjeve. Një Japoni që shpejton rimilitarizimin, ndryshon kushtetutën dhe anashkalon ndjeshmërinë ndaj çështjeve historike, do të rrisë sigurisht shqetësimet e vendeve që ende mbajnë në kujtesë plagët e agresionit japonez të së kaluarës. Situata aktuale është një paralajmërim për rreziqet që sjell ringjallja e populizmit dhe ekstremit të djathtë kur lidhet me nostalgjinë për të kaluarën koloniale dhe ambiciet ushtarake. Fuqia politike nuk duhet të ndërtohet mbi frikë dhe urrejtje, pasi siç na mëson historia, përfundimi mund të jetë katastrofik.
AIGS