Turbina e parë e erës detare në botë me kapacitet 20 megavatë (MW), në ujërat e provincës Fujian në juglindje të Kinës, u lidh me sukses me rrjetin energjetik, njoftoi Korporata “Tre Grykat” e Kinës.
Kjo shënon instalimin dhe lidhjen me rrjetin për herë të parë prej Kinës të një turbine me kapacitet ultra të madh 20 megavatë, duke përfaqësuar një përparim të madh në aftësitë e vendit në studimin e prodhimin e turbinave, ndërtimin e objekteve detare dhe vënien në funksionim të projekteve të energjisë së erës në det.
Turbina është instaluar më shumë se 30 kilometra larg bregut, në ujëra me thellësi mbi 40 metra. Lartësia e saj arrin 174 metra, afërsisht sa një ndërtesë 58-katëshe, ndërsa diametri i rotorit është 300 metra, me një sipërfaqe përfshirjeje të krahasueshme me dhjetë fusha standarde futbolli.
Në kushte normale funksionimi, turbina pritet të prodhojë më shumë se 80 milionë kilovatorë energji elektrike në vit, të mjaftueshme për të plotësuar kërkesën vjetore për energji të rreth 44 000 familjeve. Ajo gjithashtu mund të zëvendësojë afërsisht 22 000 ton qymyr standard çdo vit.
Turbina 20 megavatë është e pajisur me tehe aerodinamike të prodhuara në vend. Nëpërmjet dizajnit të lehtë dhe integrimit inteligjent digjital, pesha e saj për megavat është pakësuar me më shumë se 20 për qind në krahasim me mesataren e industrisë, duke përmirësuar ndjeshëm shfrytëzimin e erës dhe efikasitetin e prodhimit të energjisë. Projekti ofron mbështetje kyçe me teknologji dhe pajisje për zgjerimin e mëtejshëm të zhvillimit të sektorit kinez të energjisë së erës detare në ujëra më të thella dhe më të largëta.