
Të enjten, sesioni i Uruguait i Dialogut Global “Novacioni, hapja dhe zhvillimi i përbashkët”, i organizuar bashkërisht nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe Ambasada e Kinës në Uruguai, u mbajt në kryeqytetin uruguaian Montevideo. Drejtori i CMG-së Shen Haixiong mbajti një videofjalim në këtë sesion, ku morën pjesë mbi 100 të ftuar nga qarqet politike, ekonomike, akademike etj., të Kinës dhe Uruguait, duke përfshirë ambasadorin e Kinës në Uruguai Huang Yazhong dhe ministren e Mbrojtjes të Uruguait Sandra Lazo.
Në fjalimin e tij, Shen Haixiong u shpreh se plenumi i katërt i Komitetit të 20-të Qendror të PKK-së i mbyllur pak kohë më parë në Pekin, i deklaroi botës që Kina do ta zgjerojë hapjen e nivelit të lartë me botën e jashtme dhe do të krijojë një situatë të re bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta. CMG-ja do të punojë me partnerët e bashkëpunimit për të ndërtuar një platformë globale për konsultime kolektive dhe për të zbatuar “katër nismat globale”, duke ndarë me botën zgjidhjet e Kinës për qeverisjen globale, perspektivën e gjerë të modernizimit kinez dhe vrullin inovativ të Kinës në epokën e re.

Ambasadori kinez Huang Yazhong
Ambasadori kinez Huang Yazhong vuri në dukje që plenumi i katërt i Komitetit të 20-të Qendror të PKK-së hartoi një plan madhështor për zhvillimin e Kinës në pesë vjetët e ardhshëm dhe do të ketë një ndikim të thellë mbi Kinën e botën. Në pesë vjetët e ardhshëm, Kina do të vazhdojë të promovojë zhvillimin cilësor, të rrisë nivelin teknologjik dhe të përmirësojë jetën e popullit, për të ndërtuar një “Kinë të bukur”. Midis Kinës e Uruguait ka një miqësi tradicionale dhe vitet e fundit, besimi i ndërsjellë politik midis dy vendeve është forcuar vazhdimisht, kontaktet e nivelit të lartë kanë qenë të shpeshta, bashkëpunimi ka dhënë rezultate të frytshme dhe shkëmbimet kulturore kanë qenë të gjalla. Në të ardhmen, perspektiva për shkëmbimet dhe bashkëpunimin midis dy vendeve në fusha të ndryshme do të jetë më e gjerë.

Ministrja e Mbrojtjes e Uruguait Sandra Lazo
Ministrja e Mbrojtjes e Uruguait Sandra Lazo tha se ky dialog global është një mundësi e rëndësishme për gjithë botën për thellimin e shkëmbimeve e të bashkëpunimit. Në botën e sotme plot me sfida, forcimi i dialogut dhe i bashkëpunimit ndërkombëtar ka rëndësi të madhe për mbrojtjen e marrëdhënieve të qëndrueshme e të besimit të ndërsjellë midis vendeve të ndryshme. Uruguai i vlerëson lart premtimet e bëra nga Kina për “mbështetjen e multilateralizmit dhe të zgjidhjes paqësore të problemeve globale” dhe do të vijojë të punojë me Kinën për të promovuar paqen, inovacionin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të njerëzimit.
Pjesëmarrësit në dialog zhvilluan shkëmbime të thella për rëndësinë e plenumit të katërt të Komitetit të 20-të Qendror të PKK-së, mundësitë e zhvillimit të ndara nga Kina me botën dhe tema të tjera.
Ata panë gjithashtu edhe dokumentarin e CMG-së “Rruga e modernizimit kinez”.