Veprimtaritë sportive “ndezin motorin e ri” për ekonominë e festave të Kinës

“China Open” 2025 / VCG

Shumë udhëtarë kinezë po bashkojnë sportin me argëtimin sivjet. Gjatë pushimeve tetëditore të Ditës Kombëtare dhe Festës së Mesvjeshtës, që filluan më 1 tetor, veprimtaritë sportive në mbarë vendin u kanë dhënë energji pushimeve dhe kanë shërbyer si një motor i ri i konsumit të festave.

Në Pekin, turneu i tenisit “China Open” është veprimtaria sportive kryesore. Deri të enjten, të ardhurat nga biletat i tejkaluan 88 milionë juanët (rreth 12.3 milionë dollarë amerikanë), ndërsa shpenzimet në vend arritën në 33.56 milionë juanë, 34 për qind më shumë se gjatë vitit të kaluar. Shitjet e mallrave të licensuara i tejkaluan 10 milionë juanë, me një rritje prej 43 për qind.

Rritja shtrihet përtej tenisit. Veprimtaria e pingpongut “World Table Tennis (WTT) China Smash” gjithashtu ka tërhequr shumë dashamirës.

Të dhënat tregojnë se deri të premten, “WTT China Smash” pati 87 milionë juanë të ardhura nga biletat, duke u rritur 52.6 për qind në krahasim me vjet dhe duke nxitur konsumin brenda Parkut “Shougang”, ku u zhvillua veprimtaria, në mbi 30 milionë juanë.

“WTT China Smash” / VCG

Entuziazmi sportiv është përhapur edhe në qytete më të vogla. Në Qianjiang të provincës Hubei të Kinës Qendrore, ndeshjet e pingpongut, shahut “Weiqi” dhe basketbollit i dhanë shtysë industrisë së famshme të karavidheve të qytetit. Organizatorët u ofruan shikuesve grupe ushqimesh dhe zbritje në restorantet vendore.

“Gjatë pushimeve, është shumë e zakonshme që një pjesëmarrës të udhëtojë me të gjithë familjen,” tha Zhang Caixia, pronarja e një restoranti. “Shumë lojtarë vijnë për të ngrënë pas ndeshjeve, kështu që ne zgjatëm orarin e drekës deri rreth orës 4 pasdite. Falë veprimtarive sportive, të ardhurat tona gjatë ditëve të turneut ishin rreth 15 për qind më të larta se gjatë pushimeve të Ditës Kombëtare të vitit të kaluar.”

Ndeshjet e bashketbollit midis qyteteve në provincën Hubei / VCG

Sipas Shoqatës së Ofrimit të Ushqimit dhe Hotelerisë të Qianjiang-ut, numri mesatar ditor i klientëve në restorantet kryesore të karavidheve u rrit me rreth 40 për qind gjatë pushimeve. Në pikat kryesore u shitën më shumë se 1 000 kilogramë karavidhe në ditë, ndërsa xhiroja ditore pati një rritje prej mbi 50 për qind në krahasim me javën e kaluar.

“‘Udhëtimi për të ndjekur veprimtari sportive’ ka zënë rrënjë me të vërtetë,” tha Yang Xuedong, një zyrtar në Administratën e Përgjithshme të Sportit të Kinës. “Tani është e zakonshme që dikush të marrë pjesë në konkurrim, ndërsa e gjithë familja e shoqëron për të udhëtuar, dhe që një turne i vetëm të sjellë shpenzime shumëditore. Veprimtaritë sportive vazhdojnë të tërheqin turma dashamirësish dhe kombinimi i kulturës, tregtisë, turizmit e sportit është bërë një formulë e artë për rritjen e konsumit dhe kërkesës së brendshme.”

Dashamirësit e “China Open” shikuan ndeshje përpara ekranit jashtë stadiumit / Xinhua

Lulëzimi është shtrirë përtej portave të stadiumit. Për shkak të vendeve të kufizuara brenda stadiumit, organizatorët e “China Open” krijuan vende dytësore shikimi në qendra tregtare dhe zona turistike, ku tifozët mund të shikojnë ndeshjet në ekrane të mëdha duke shijuar ushqim, duke blerë dhe duke u argëtuar.

“Tifozët vijnë jo vetëm për të parë ndeshjet, por edhe për të shijuar qytetin,” tha Li Xuhua, menaxher i përgjithshëm i kompanisë organizuese të “China Open”.

“China Open” 2025 / VCG

 

CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us