Vizita e kancelarit gjerman Mertz në Kinë si një akt balancimi

Kancelari gjerman Friedrich Mertz po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në Kinë që prej marrjes së detyrës vitin e kaluar. Koha e kësaj vizite është veçanërisht domethënëse. Bashkimi Evropian po diskuton politikën e vet industriale, ku koncepti “Made in Europe” po fiton terren. Marrëdhëniet transatlantike po përballen me tensione të shtuara, ndërsa ekonomia gjermane është në kërkim të një vendi të ri në një realitet global gjithnjë e më të pasigurt.

Mertz mbërriti në Pekin i shoqëruar nga një delegacion i madh drejtuesish të biznesit, një sinjal i qartë se lidhjet ekonomike mbeten thelbësore. Megjithatë, përtej tregtisë dhe investimeve, shtrohen pyetje më të mëdha gjeopolitike: Si do ta menaxhojnë Berlini dhe Pekini balancën mes bashkëpunimit dhe konkurrencës, veçanërisht në industrinë prodhuese? A mund të rikalibrojnë Kina dhe Gjermania partneritetin e tyre në kushtet e ndryshimeve të thella globale? Dhe çfarë do të thotë kjo vizitë jo vetëm për dy kryeqytetet, por për Evropën në tërësi?

 

Vizita si pragmatizëm

Në vizitën e tij të parë në Kinë si kancelar, Mertz  shoqërohej nga një delegacion i madh biznesi. Në takimin me Presidentin Xi Jinping, ai tha se donte të thellonte atë që e quajti “partneritet strategjik gjithëpërfshirës” me Kinën, pasi Kina është partneri më i madh tregtar i Gjermanisë sipas statistikave të vitit 2025. Xi i mirëpriti komentet e Mertz dhe u shpreh se “Sa më e trazuar dhe e ndërthurur të bëhet bota, aq më shumë Kina dhe Gjermania duhet të forcojnë komunikimin strategjik dhe të rrisin besimin e ndërsjellë.”

Peizazhi ndërkombëtar po kalon transformimet më të thella që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, tha ai, duke shtuar se sa më të mëdha të jenë ndryshimet dhe trazirat me të cilat përballet bota, aq më e rëndësishme është që të dy vendet të përmirësojnë komunikimin, të forcojnë besimin e ndërsjellë dhe të punojnë për përparim të ri në partneritetin strategjik të gjithanshëm Kinë-Gjermani, tha Xi.

Nga njëra anë qëndron thellimi i marrëdhënieve ekonomike dypalëshe; nga ana tjetër, çështjet politike dhe presionet e brendshme e bëjnë këtë vizitë tejet të rëndësishme për Gjermaninë. Pozicioni i Mertz mund të përshkruhet si një situatë “mes dy presioneve”: kërkesat e brendshme politike dhe nevoja për të promovuar marrëdhënie të qëndrueshme tregtare me Kinën. Nëse vëzhgojmë vendet kryesore evropiane, asnjëra nuk ndodhet në një situatë të favorshme ekonomike. Marrëdhënia transatlantike është ftohur ndjeshëm dhe rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla është vënë në pikëpyetje. Nëse flitet për rendin liberal ndërkombëtar, shumë analistë vlerësojnë se ai tashmë ka hyrë në një fazë transformimi të thellë.

Në këtë kontekst, qëllimi kryesor i kancelarit në Kinë duket të jetë kërkimi i mundësive të reja biznesi. Ekonomia gjermane mbështetet në mënyrë të konsiderueshme tek eksportet, veçanërisht në sektorin e automobilëve, dhe tregu kinez mbetet vendimtar për këtë industri. Zhvillimet në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë nxitur një rishqyrtim strategjik në Gjermani, ku bashkëpunimi i gjerë me Kinën shihet si një alternativë më e qëndrueshme dhe më e parashikueshme. Industria gjermane e ka mbështetur prej kohësh këtë qasje, por presionet politike mbi qeverinë kanë ndryshuar ndjeshëm në periudhën e fundit. Duke pasur parasysh vështirësitë serioze që ka hasur sektori automobilistik gjerman, ofertat për bashkëpunim që vijnë nga Kina priten aktualisht me një hapje dhe gatishmëri më të madhe. Për herë të parë pas një periudhe të gjatë, ekziston një optimizëm real për perspektivën e marrëdhënieve gjermano-kineze.

Fakti që kancelari shoqërohet nga drejtuesit ekzekutivë të markave dhe kompanive më të mëdha gjermane përbën një sinjal shumë premtues. Kjo reflekton interesin themelor të industrisë gjermane për bashkëpunim afatgjatë me Kinën. Delegacioni tregon qartë dimensionin ekonomik të vizitës dhe rëndësinë strategjike që i jepet asaj. Megjithatë, kancelari nuk përfaqëson vetëm interesat e industrisë gjermane, por në një masë të konsiderueshme edhe perspektivën evropiane. Evropa mbetet një treg i madh dhe shumë i rëndësishëm për Kinën, ashtu siç Kina mbetet një partner kyç për ekonominë evropiane.

 

Rikalibrim dhe rivlerësim?

Kjo vizitë shënon një moment të rëndësishëm rikalibrimi. Ajo pasqyron nevojën për  qartësi politike, në një kohë kur rendi global po ndryshon me shpejtësi.

Të dyja palët, por veçanërisht Evropa, po përballen me shumë presione: presione të jashtme, presione të brendshme ekonomike, e kështu me radhë. Ndodhemi në një moment shumë të trazuar dhe në ndryshim të vazhdueshëm, veçanërisht në Evropë, që mund të thuhet se është në “syrin e stuhisë”, për shkak të presioneve ekonomike dhe konflikteve gjeopolitike. Në një moment të tillë lindin disa pyetje: kush duhet të jetë partneri më i mirë? Cili është tregu më i qëndrueshëm dhe më i besueshëm? Me kë mund të bashkojmë forcat për të mbrojtur rendin botëror? Këto janë pyetje të mëdha dhe përbëjnë edhe qëllimet kryesore të kësaj vizite.

Kancelari, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih dy javë më parë, ka dërguar tashmë një mesazh të qartë për qëndrimin moral të qeverisë së tij në politikën e jashtme dhe veçanërisht ndaj Kinës. Nëse e kujtoni, me ish-ministren e Jashtme, Annalena Baerbock, Gjermania kishte një qasje më ligjëruese në arenën ndërkombëtare, përfshirë edhe ndaj Kinës. Ndërsa Mertz ka sinjalizuar se kjo qasje ka marrë fund; nuk do të ketë më qëndrime moralizuese apo demonstrime publike të superioritetit moral.

Në planin afatshkurtër, Kina dhe Gjermania janë ekonomia e dytë dhe e tretë më, të mëdha në botë. Gjermania është gjithashtu investitori më i madh evropian në Kinë. Për rrjedhojë, në aspektin e zhvillimit ekonomik ekziston një potencial i madh dhe një komplementaritet i ndërsjellë mes dy vendeve. Në të njëjtën kohë, ka edhe çështje të caktuara që qëndrojnë pezull mes tyre, ndaj është urgjente që të dyja palët t’i diskutojnë hapur. Për sa kohë dialogu zhvillohet me mendje të hapur, çdo çështje mund të zgjidhet.

Në planin afatgjatë, kjo vizitë është edhe më e rëndësishme. Jetojmë në një botë të trazuar dhe në transformim të thellë, me ndryshime gjeopolitike, me revolucionin energjetik dhe me revolucionin dixhital. Pyetja thelbësore është: për çfarë lloj bote duhet të punojmë së bashku? Çfarë rendi ndërkombëtar duhet të mbështesim së bashku? Ekzistojnë interesa dhe vlera të përbashkëta të rëndësishme në këto çështje madhore. Kjo vizitë shërben për të rikonfirmuar angazhimin ndaj këtyre objektivave dhe vlerave të përbashkëta. Është thelbësore që të dyja palët të fillojnë të ndërtojnë besim, sepse në këto kohë vërtet të trazuara është shumë e rëndësishme të besojmë tek njëri-tjetri dhe të bëhemi partnerë të besueshëm për njëri-tjetrin.

Gjeopolitika në fokus

Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është shumë komplekse dhe Mertz gjatë gjithë jetës së tij ka shërbyer si një “transatlantist” i përkushtuar. Tani duket sikur  disa nga bindjet që ka pasur më parë nuk janë më të vlefshme dhe duhet të ripozicionojë vendin dhe të gjejë mundësi pragmatike për ta udhëhequr Gjermaninë drejt një të ardhmeje më të mirë. Për më tepër, ekziston edhe një marrëdhënie e veçantë me Bashkimin Evropian, duke pasur një kryetar në “timonin” e Komisionit Evropian.

Mertz gjithmonë ka qenë një politikan shumë i përkushtuar ndaj biznesit dhe ka punuar më shumë në botën e biznesit sesa si politikan, sidomos pasi humbi ndaj Merkel në fillim të viteve 2000. Tani ai ka mundësinë të tregojë se është kancelari më pro-biznes. Ai synon të jetë pragmatik. Këtë e ka treguar gjatë vizitave të tij në vendet e Gjirit dhe gjithashtu në qasjen ndaj Trump.

Kur flasim për tre karakteristikat e ndryshme të përcaktuara në strategjinë gjermane për Kinën nga qeveria e mëparshme — partner, konkurrent, rival sistemik — të qenit konkurrent është gjithmonë i konsideruar nga evropianët si një formë e natyrshme e angazhimit ndërkombëtar. Tani për përmirësim, ngel të fokusohen tek partneriteti.

Si theksoi edhe Xi në takim, Kina mbështet Evropën në përpjekjet për të rritur autonominë dhe forcën e saj, dhe shpreson që pala evropiane të mund të punojë me Kinën në të njëjtin drejtim, t’i përmbahet pozicionimit të partnerëve strategjikë dhe të mbështesë hapjen, përfshirjen dhe bashkëpunimin fitimprurës për të dyja palët, në mënyrë që të arrihet një rritje më e madhe në marrëdhëniet Kinë-Evropë dhe të jepen kontribute më të mëdha për paqen dhe zhvillimin botëror.

 

Së fundmi, kjo vizitë shërben për të ripozicionuar dhe rikujtuar partneritetin strategjik gjithëpërfshirës Kinë–Gjermani, i cili u shpall në vitin 2014. Vizita është përshkruar me të drejtë si një akt balancimi.  Kjo vizitë po ndiqet me vëmendje si një provë për mënyrën se si ekonomia më e madhe e Evropës mund të përballet me erërat e forta gjeopolitike, duke thelluar njëkohësisht marrëdhëniet me partnerin e saj më të rëndësishëm tregtar.

AIGS

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us