Zhvillohet në Bruksel ekspozita “Trashëgimia kulturore jomateriale e Kanalit të Madh lulëzon në Evropë”

Kanali i Madh (Foto nga VCG)

Pak ditë më parë u zhvillua në Qendrën e Kulturës Kineze në Bruksel të Belgjikës ekspozita “Trashëgimia kulturore jomateriale e Kanalit të Madh lulëzon në Evropë”. Ekspozita u tregoi vizitorëve evropianë kulturën e lashtë dhe gjallërinë moderne të Kinës nëpërmjet paraqitjes së mjeshtërive të trashëgimisë kulturore jomateriale dhe veprimtarive të shkëmbimeve kulturore.

Kanali i Madh Pekin-Hangzhou është një vepër e lashtë e ruajtjes së ujit në Kinë, e cila nisi të ndërtohej gjatë Periudhës së Pranverës dhe Vjeshtës (770-476 para erës sonë), ndërsa në dinastitë Sui (581-618) dhe Yuan (1271-1368) u zgjerua dy herë në përmasa të mëdha, duke u formuar kanali i sotëm. Kanali i Madh përshkon tre provinca  ose bashki të varura drejtpërdrejt nga qendra dhe 35 qytete kineze. Ai ka një gjatësi të përgjithshme prej 3200 kilometrash dhe ishte arterie kryesore e transportit Veri-Jug në Kinën e lashtë. Në qershor të vitit 2014, në sesionin e 38-të vjetor të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në Dohë të Katarit, Kanali i Madh Pekin-Hangzhou u pranua në listën e trashëgimive botërore.

Në ekspozitën e Kanalit të Madh në Bruksel u shfaqën shumë mjeshtëri të trashëgimive kulturore jomateriale të ushtruara në zonat ku kalon ky kanal, duke përfshirë shtypjen me blloqe druri, letërprerjen, qëndisjen etj.

Nën drejtimin e trashëgimtarit të shtypjes me blloqe druri të qytetit Yangzhou, vizitorët ndien magjinë e “tipografit” të lashtë kinez dhe bënë me radhë një kujtim të posaçëm.

Pasi provuan qëndisjen e Suzhou-t, shumë vizitorë u habitën se si, në duart e qëndistares, fijet e mëndafshit u bënë punime të ndryshme me ngjyra e modele të bukura.

Edhe artistët e letërprerjes përdorën gërshërë për ta shndërruar letrën në lule, zogj etj., duke fituar admirimin e vizitorëve të ekspozitës.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në fjalimin e mbajtur në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, presidenti i Grupit Mediatik të Gazetës “Xinhua” Shuang Chuanxue u shpreh se ky aktivitet i shkëmbimeve kulturore shfaq gjallërinë e kulturës së Kanalit të Madh. “Ne presim që kultura e Kanalit të Madh të zgjerojë shkëmbimet njerëzore ndërmjet Kinës dhe Evropës,” tha ai.

Në ekspozitë, këshilltarja e kryetarit të Këshillit Botëror të Artizanatit, dr. Pick Keobandith, drejtoi një sallon kulturor mes artistëve kinezë e belgë. Rreth temës kryesore “Trashëgimi, mbrojtja dhe mësimi nga njëri-tjetri i arteve dhe kulturave Kinë-Evropë”, artistë dhe trashëgimtarë nga Kina dhe Belgjika zhvilluan një dialog të thelluar.

Ish-presidenti i Akademisë Mbretërore të Arteve të Anversës të Belgjikës Bart’d Eyckermans shprehu interesin e tij për kulturën kineze dhe dëshirën për promovimin e shkëmbimeve kulturore ndërmjet Evropës dhe Kinës. “Ne duhet të forcojmë bashkëpunimin për të ndërtuar një botë më të bukur nëpërmjet artit. Shpresoj që të shoh më shumë shkëmbime të tilla kulturore dhe mirëpres më shumë miq kinezë të marrin pjesë në to,” theksoi ai.

Këshilltari i Misionit Kinez në Bashkimin Evropian (BE) Ma Tao u shpreh: “Ky vit shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kinë-BE. Një veprimtari e tillë e shkëmbimeve kulturore ka vlera të larta. Kanalet e Kinës dhe Evropës mbartin vizionin e njerëzve për jetën e bukur. Ekspozita i jep publikut evropian një mundësi për njohjen e Kanalit të Madh dhe qytetërimit kinez.”

Burimi ©CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us