Ekspozita e 3-të Ndërkombëtare e Zinxhirit të Furnizimit e Kinës (CISCE), korrik, Pekin, Kinë(Foto nga VCG)
“Bashkëpunimi ynë me furnizuesit kinezë nuk kufizohet në kapitalin e fuqinë punëtore, por lidhet edhe me krijimin e përbashkët të një zinxhiri më të mirë furnizimi; ‘zinxhiri i Apple-it’ nuk mund të ndahet nga Kina.” Kështu i tha Grupit Mediatik të Kinës zv.presidentja e gjigantit teknologjik amerikan “Apple”, Ge Yue, gjatë Ekspozitës së 3-të Ndërkombëtare të Zinxhirit të Furnizimit të Kinës që përfundoi të dielën.
Si ajo, edhe shumë përfaqësues të tjerë të kompanive shumëkombëshe pjesëmarrëse në ekspozitë shprehën ndjenja të ngjashme: “Mund të gjesh brenda një ore një numër të madh furnizuesish të shkëlqyer”; “Zinxhirët e furnizimit në Kinë janë jo vetëm të plotë dhe të larmishëm, por edhe reagojnë shumë shpejt”; “Është një stabilizues për të siguruar prodhimin e kompanisë sonë”…
Si një produkt i rëndësishëm publik ndërkombëtar për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe funksionimin e lirshëm të zinxhirëve globalë të furnizimit, ekspozita e kësaj here tërhoqi 1 200 pjesëmarrës. Ndër ta, numri i ekspozuesve amerikanë u rrit 15 % krahasuar me edicionin e vjetshëm, duke zënë vendin e parë mes pjesëmarrësve të huaj. Ndërkohë, u nënshkruan më shumë se 6 000 marrëveshje bashkëpunimi dhe partneritete të synuara. Ekspozita krijoi po ashtu shumë “të para”: themelimin e parë të një aleance ekspozuesish, krijimin e parë të një zone zinxhiri inovacioni etj. Vlen të përmendet që kjo ekspozitë inkurajon pjesëmarrjen e përbashkët të furnizuesve të rrjedhës së sipërme dhe të poshtme. Për shembull, “Apple” u paraqit së bashku me tre kompani furnizuese kineze, duke vërtetuar forcën tërheqëse të zinxhirëve të furnizimit të Kinës.
Ekspozita e 3-të Ndërkombëtare e Zinxhirit të Furnizimit e Kinës (CISCE), korrik, Pekin, Kinë(Foto nga VCG)
Entuziazmi i lartë dhe arritjet e pasura të kësaj ekspozite pasqyrojnë plotësisht nevojën urgjente për të ruajtur qëndrueshmërinë e zinxhirit global të furnizimit. Aktualisht, situata gjeopolitike është e tensionuar dhe proteksionizmi tregtar po përshkallëzohet. Të dhënat e “Raportit të Promovimit të Zinxhirit Global të Furnizimit” të publikuar në ekspozitën e kësaj here, tregojnë që qëndrueshmëria e zinxhirit global të furnizimit është e brishtë. Nga viti 2018 deri më 2024, normat mesatare vjetore të treguesve të promovimit, ndërlidhshmërisë dhe inovacionit u rritën përkatësisht 18.1 %, 7.7 % dhe 13.7 %. Mirëpo, niveli i treguesve të elasticitetit të zinxhirëve të furnizimit u ngrit vetëm 3.4 %.Në fakt, që nga bërja e një filxhani kafeje te një kompjuter, gjithçka është e pandashme nga bashkëpunimi i ngushtë i zinxhirit global të furnizimit. Për shembull, një makinë inteligjente mbulon dhjetëra fusha dhe dhjetëra mijë kompani. Në ekspozitë, shumë përfaqësues të kompanive shumëkombëshe thanë se zinxhiri kinez i furnizimit ka epërsi të pazëvendësueshme në shpejtësinë e reagimit, efektivitetin e kostos, inovacionin dhe përshkallëzimin, dhe një botë pa “zinxhirin kinez” është e paimagjinueshme.
Për ndërmarrjet, efikasiteti është jetik. Si vendi i vetëm në botë që ka të gjitha kategoritë industriale të klasifikuara nga Kombet e Bashkuara, Kina mund t’i ndihmojë kompanitë të gjejnë shpejt furnizues dhe madje “të përmbushin nevojat komplekse”. Chen Heqiang, nënkryetar i kompanisë amerikane “GE Healthcare”, tha që, për të njëjtën porosi, vendeve të tjera mund t’u duhen një deri në dy javë për t’u përgjigjur, por në Kinë nevojiten vetëm tre ditë. Nga fabrika e “Honeywell”-it në Nankin, që krijon 9.5 sensorë në sekondë, deri te Superfabrika e “Tesla”-s në Shangai, që prodhon një makinë në 40 sekonda, të gjitha këto janë pasqyrë e drejtpërdrejtë e “shpejtësisë së Kinës”.
Ekspozita e 3-të Ndërkombëtare e Zinxhirit të Furnizimit e Kinës (CISCE), korrik, Pekin, Kinë(Foto nga VCG)
Ekspozita e 3-të Ndërkombëtare e Zinxhirit të Furnizimit e Kinës (CISCE), korrik, Pekin, Kinë(Foto nga VCG)
Me zhvillimin e digjitalizimit, epërsia e kostos së zinxhirit të furnizimit në Kinë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Në ekspozitë, drejtuesit e shumë kompanive të huaja përmendën të ashtuquajturat “fabrika far” në Kinë. Deri në janar të vitit 2025, në botë ka 189 “fabrika far”, nga të cilat 79 janë në Kinë, duke përbërë 42 % të numrit të përgjithshëm dhe duke u renditur në vendin e parë në botë. Për shembull, fabrika e “Schneider Electric”-ut në qytetin Wuxi, që ka një sistem autonom mbështetës të zinxhirit të furnizimit, mund të rrisë shkallën e dorëzimit në kohë me 30 %, duke përmirësuar ndjeshëm kostot e menaxhimit të inventarit të kompanisë.
“Ne ndiejmë jo vetëm ‘shpejtësinë’, por edhe ‘ngrohtësinë’ e Kinës”, tha Sun Yonghua, nënkryetarja e degës së “Louis Dreyfus” në Azinë Veriore. Kompania e saj hapi Qendrën e Industrisë së Teknologjisë Ushqimore në qytetin Qingdao dhe, nga nënshkrimi i kontratës deri në marrjen e truallit, u deshën vetëm tre muaj. Nga nisja e një sërë masash për lehtësimin e biznesit deri te forcimi i garancive të shërbimit dhe thjeshtimi i procedurave përkatëse operative, përpjekjet e Kinës për të optimizuar mjedisin e biznesit u kanë mundësuar kompanive të huaja të zhvillohen më shpejt dhe më të sigurta në Kinë.
Përveç kësaj, një numër i madh kompanish të huaja po e zgjerojnë vazhdimisht biznesin e tyre në Kinë dhe po krijojnë një zinxhir të plotë vlere, që nga kërkim-zhvillimi e prodhimi deri te shërbimet.
Ekspozita e 3-të Ndërkombëtare e Zinxhirit të Furnizimit e Kinës (CISCE), korrik, Pekin, Kinë(Foto nga VCG)
Ekspozita e 3-të Ndërkombëtare e Zinxhirit të Furnizimit e Kinës (CISCE), korrik, Pekin, Kinë(Foto nga VCG)
Ekspozita e 3-të Ndërkombëtare e Zinxhirit të Furnizimit e Kinës (CISCE), korrik, Pekin, Kinë(Foto nga VCG)
Sipas znj. Ge Yue, kompania “Apple” po punon me inxhinierët kinezë të kompanive furnizuese për të promovuar së bashku zbatimin e teknologjisë inteligjente në zinxhirin e furnizimit në Kinë. Ndërsa Nina Goodhart, nënkryetare e lartë e “Medtronic”-ut, bëri të ditur që kjo kompani do të punojë me ekspertët më të mirë dhe kompanitë e inteligjencës artificiale kineze për t’u përqendruar në përdorimin e teknologjive përkatëse në fushën e kirurgjisë, me synimin për t’i ndihmuar mjekët të përmirësojnë efikasitetin e diagnostikimit dhe trajtimit.
Burimi ©CGTN