Foto nga CMG
Vendosmëria e Kinës për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj të ligjshme është e palëkundur dhe pala kineze do të mbrojë vendosmërisht interesat kombëtare dhe të drejtat e interesat e ligjshme të kompanive kineze jashtë vendit, u shpreh të hënën zv.kryeministri kinez He Lifeng.
Ai i tha këto gjatë takimeve në Madrid nga e diela deri të hënën me sekretarin e Thesarit të ShBA-së Scott Bessent dhe Përfaqësuesin Tregtar të ShBA-së Jamieson Greer.
Gjatë bisedimeve, të udhëhequr nga konsensusi i rëndësishëm i arritur nga krerët e shtetit të të dy vendeve në bisedën e tyre telefonike, të dy palët zhvilluan diskutime të sinqerta, të thella e konstruktive mbi çështjet ekonomike dhe tregtare me interes të përbashkët dhe arritën një konsensus kuadër bazë mbi zgjidhjen e çështjeve lidhur me “TikTok”-un nëpërmjet bashkëpunimit, duke pakësuar pengesat ndaj investimeve e duke promovuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar përkatës, theksoi He.
Lidhur me çështjen e “TikTok”-ut, Kina do ta trajtojë miratimin e eksporteve të teknologjisë në përputhje me ligjet dhe rregullat, tha ai, duke shtuar se qeveria kineze respekton plotësisht vullnetin e ndërmarrjeve kineze jashtë vendit dhe i mbështet ato në kryerjen e negociatave të biznesit mbi baza të barabarta në përputhje me parimet e tregut.
Po ashtu, zv.kryeministri theksoi se thelbi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-ShBA janë përfitimet e ndërsjella, duke shtuar se të dy palët kanë një hapësirë të gjerë për bashkëpunim dhe kanë një gamë të gjerë interesash të përbashkët.
Si Kina, ashtu edhe ShBA-ja, mund të fitojnë nga bashkëpunimi dhe të humbasin nga kundërvënia, shtoi ai.
Zv.kryeministri kinez i bëri thirrje palës amerikane të punojë së bashku me palën kineze dhe të heqë kufizimet përkatëse ndaj Kinës sa më shpejt të jetë e mundur, të ndërmarrë veprime konkrete për të mbrojtur së bashku arritjet e siguruara me vështirësi të bisedimeve dhe të krijojnë një atmosferë të favorshme për qëndrueshmërinë e marrëdhënieve ekonomike e tregtare Kinë-ShBA.