Presidenti i Kinës u takua të martën në Pekin me Presidentin e Këshillit të Ministrave të Togos, Faure Essozimna Gnassingbé. Të dy udhëheqësit njoftuan se marrëdhëniet dypalëshe do të ngrihen në një komunitet Kinë-Togo me një të ardhme të përbashkët në epokën e re.
Xi Jinping theksoi se miqësia tradicionale midis Kinës dhe Togos u krijua personalisht nga brezi i vjetër i udhëheqësve të të dy vendeve, me rrënjë të thella dhe forcë të qëndrueshme. Gjatë viteve, të dy palët kanë punuar së bashku në harmoni, duke shkruar një kapitull të gjallë në ndërtimin e një komuniteti të gjithanshëm Kinë-Afrikë me një të ardhme të përbashkët në epokën e re. Konceptet e bashkëpunimit miqësor midis Kinës dhe Togos janë të pajtueshme dhe kanë perspektiva të gjera.
Xi Jinping propozoi katër parime për pjesëmarrje konstruktive nga të gjitha palët, për zgjidhjen e problemeve në zonat e nxehta afrikane: Së pari, mbështetja e lidershipit afrikan; populli afrikan është zot i vërtetë i Afrikës dhe duhet të luajë një rol qendror në çështjet rajonale. Së dyti, mbështetja e drejtësisë dhe e barazisë; të gjitha palët pjesëmarrëse duhet t’u përmbahen qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së dhe të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të përfshira. Së treti, promovimi i paqes dhe ndërprerja e armiqësive; lufta dhe sanksionet e njëanshme nuk mund t’i zgjidhin vërtet konfliktet midis vendeve. Respekti i ndërsjellë, konsultimi i gjerë, kërkimi i terrenit të përbashkët duke rezervuar dallimet, si dhe mirëkuptimi dhe akomodimi i ndërsjellë janë thelbësore. Së katërti, zbatimi i një qasjeje gjithëpërfshirëse, duke adresuar si sigurinë e menjëhershme ashtu edhe zhvillimin afatgjatë.
Faure Essozimna Gnassingbé tha: “Faleminderit shumë, Z. President. Siç thatë, ne vijmë me miqësi, dhe ju theksuat konkretisht se kjo miqësi ka një histori të gjatë, është konsoliduar dhe forcuar vazhdimisht duke mbetur e palëkundur dhe e qëndrueshme. Ju falënderojmë sinqerisht për vendimin tuaj për të ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një komunitet Kinë-Togo me një të ardhme të përbashkët në epokën e re. Ne do të punojmë së bashku për të përmbushur këtë besim.”