Foto nga CMG
Të mërkurën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, mbajti një konferencë të rregullt për shtyp. Një gazetar i Grupit Mediatik të Kinës pyeti: “Pala kineze sapo njoftoi se Kryeministri Li Qiang do të marrë pjesë në Takimin e Liderëve Kinë-ASEAN. Cilat janë pritshmëritë e Kinës nga ky takim?”
Guo Jiakun u shpreh se këtë vit shënohet 5-vjetori i vendosjes së partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-ASEAN. Gjatë pesë viteve të fundit, nën drejtimin e përbashkët të liderëve të të dyja palëve, bashkëpunimi Kinë-ASEAN është zhvilluar fuqishëm dhe ka arritur rezultate të frytshme, duke qenë vazhdimisht në pararojë të bashkëpunimit rajonal. Ky bashkëpunim jo vetëm u ka sjellë përfitime vendeve dhe popujve përkatës, por ka dhënë edhe kontribut të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin rajonal.
Guo theksoi se bota po hyn në një periudhë të re trazirash dhe ndryshimesh, ndërsa paqja, zhvillimi dhe prosperiteti janë aspiratat më të mëdha të popujve të rajonit. Kina pret që përmes pjesëmarrjes në këtë takim të forcojë solidaritetin dhe besimin e ndërsjellë me vendet e ASEAN-it, të arrijë konsensus për bashkëpunimin dhe të nxisë hyrjen sa më të shpejtë në fuqi të Protokollit të Përmirësimit të Zonës së Tregtisë së Lirë Kinë-ASEAN 3.0.
Kina synon gjithashtu të thellojë bashkëpunimin në fusha si inteligjenca artificiale, ekonomia digjitale, siguria energjetike, ndërlidhja, ulja e varfërisë dhe zhvillimi, si dhe të ndërtojë së bashku me vendet e ASEAN-it një shtëpi të përbashkët paqësore, të sigurt, të begatë, të bukur dhe miqësore, duke sjellë më shumë stabilitet dhe siguri për paqen dhe zhvillimin e rajonit.