Kina dhe Shqipëria janë dy vende me një histori të gjatë bashkëpunimi dhe kanë një miqësi tradicionale e të hershme, e cila daton që nga mesi i shekullit të kaluar. Edhe sot ekziston një dëshirë e përbashkët dhe interesa thelbësore të të dy popujve për ta thelluar vazhdimisht miqësinë tradicionale dhe për ta çuar më tej bashkëpunimin, mbi bazën e mirëkuptimit të ndërsjellë.
Sfondi i përbashkët politik dhe ideologjik i Kinës dhe Shqipërisë hodhi themelet e lidhjeve të tyre të ngushta në mesin e viteve 1950. Zanafilla dhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve politike midis Kinës dhe Shqipërisë u bazuan në interesat e përbashkëta dhe në mirëkuptimin midis dy partive në pushtet në vendet përkatëse: Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe Partisë së Punës të Shqipërisë (PPSH). Pas vdekjes së udhëheqësit sovjetik Josif Stalin, në Moskë, e cila ishte asokohe qendra e botës komuniste, po frynin erëra ndryshimi dhe po ndodhnin kthesa të rëndësishme politike.
Pas vitit 1954, Pekini dhe Tirana filluan të ndiqnin një politikë të pavarur nga Bashkimi Sovjetik. Largimi i Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik dhe orientimi i saj drejt Kinës përbënë një proces të vendosur, por gradual. Ardhja në pushtet e Nikita Hrushovit në Bashkimin Sovjetik shënoi fillimin e përçarjes shqiptaro-sovjetike. Shqipëria ishte vendi i parë ndër “satelitët” e Moskës në Evropën Lindore që sfidoi hapur udhëheqjen sovjetike të kampit komunist. Kjo shkëputje nga Moska përbënte një sfidë vërtet të vështirë për Shqipërinë, duke qenë se vendi ishte i vogël për sa i përket territorit, popullsisë dhe shkallës së ekonomisë. Largimi i Shqipërisë nga Moska ishte i ndërlikuar edhe për shkak të anëtarësimit të saj në Traktatin e Varshavës. Udhëheqësit shqiptarë druheshin nga një ndërhyrje ushtarake sovjetike, ndonëse, në fund, shkëputja nga Moska nuk solli pasoja të rënda për stabilitetin e vendit. Si pasojë, duke filluar nga viti 1961 (viti i ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik) Kina u bë aleatja e re strategjike e Shqipërisë. Pa dyshim, ky zhvillim i veçantë tërhoqi vëmendjen e të gjithë kampit komunist, si dhe të vendeve të NATO-s. Orientimi i Shqipërisë drejt Kinës kishte, natyrisht, edhe një element pragmatik, pasi ndërprerja e plotë e të gjitha marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik shkaktoi vështirësi të mëdha ekonomike.
Bashkëpunimi merr dimensione të tjera
Kina dhe Shqipëria, në ato vite, kishin edhe diçka tjetër të përbashkët: shteti dhe aparati burokratik kishin rëndësi të jashtëzakonshme. Kjo shihet qartë në kthjelltësinë dhe rigorozitetin e dokumenteve që arkivat e të dyja vendeve na kanë zbuluar edhe dekada më pas. Bashkëpunimi në marrëdhëniet kino-shqiptare u sanksionua përmes dy dokumenteve kryesore: “Deklarata Kino-Shqiptare” e janarit 1964 dhe “Deklarata Kino-Shqiptare” e majit 1966. Të dyja këto dokumente shprehnin vendosmërinë e dy vendeve për të ndjekur një rrugë të fuqishme bashkëpunimi dypalësh. Më pas, si PPSH-ja, ashtu edhe PKK-ja, ndërmorën përpjekje të frytshme për të arritur një nivel të lartë bashkëpunimi. Në kuadër të politikës së brendshme, Shqipëria u paraqitej kinezëve si një vend komunist evropian që mbështeste veprimet e Kryetarit Mao, ndërsa PPSH-ja prezantohej në Kinë si një nga partitë më të vjetra në Evropë dhe udhëheqësi i saj, Enver Hoxha, si një lider komunist i përmasave botërore. Në arenën ndërkombëtare, Kina kishte nevojë për mbështetjen e sa më shumë vendeve — pavarësisht madhësisë së tyre — në përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Për këtë qëllim, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, e gjithë diplomacia shqiptare u vu në dispozicion të Kinës, me synimin për të promovuar pranimin e saj në OKB. Shqipëria e dënoi me ashpërsi politikën e “dy Kinave” dhe e kundërshtoi atë me të gjitha mjetet propagandistike dhe diplomatike, në çdo forum ndërkombëtar ku ishte Tirana zyrtare e pranishme. Nga një këndvështrim gjeostrategjik, udhëheqja shqiptare ishte tashmë e gatshme të përqendrohej te prioritetet afatgjata, veçanërisht duke pasur një aleat të fuqishëm ndërkombëtar.
Të dyja palët, deri në njëfarë mase, kishin nevojë për njëra-tjetrën: udhëheqja kineze dëshironte t’i tregonte popullit të vet dhe Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare se socializmi kinez mbështetej edhe nga vende evropiane; udhëheqja shqiptare dëshironte t’i tregonte popullit të vet se vendi ndodhej ende në anën e duhur të lëvizjes marksiste, kundër revizionizmit sovjetik, dhe se kishte sërish një aleat të fuqishëm te i cili mund të mbështetej. Për më tepër, Shqipëria do të hapte një dritare për botën kineze në territorin evropian, duke inkurajuar orientimin e regjimeve të Evropës Lindore drejt Pekinit. Nga ana tjetër, Kina do të bënte të njëjtën gjë në Azi, duke e paraqitur Shqipërinë si të vetmin vend të vërtetë komunist në Evropë.
Ndihma kineze për Shqipërinë: jo si satelit ose vasal, por si aleat
Periudha e mbështetjes më të madhe ekonomike, nga viti 1954 deri në vitin 1978, ishte tejet intensive. Siç kanë argumentuar historianët, Kina e vendosi Shqipërinë në plan të parë si përfituese të ndihmës së huaj; në kohë paqeje, asnjë vend tjetër nuk mori nga Kina një ndihmë të tillë ekonomike dhe ushtarake, në përpjesëtim me popullsinë, siç mori Shqipëria.
Gjatë kësaj periudhe, planet pesëvjeçare shqiptare për ndërtimin e objekteve industriale mbështeteshin gjerësisht te ndihma kineze. Për gati dy dekada, nevojat e vendit dhe i gjithë zhvillimi i tij u bazuan në një pjesë të konsiderueshme në këtë mbështetje. Udhëheqësit kinezë zbatuan udhëzimin e Kryetarit Mao: gjithçka që kërkonin udhëheqësit shqiptarë duhej t’u jepej. Kjo ndihmë përfshinte: investime për ndërtimin e objekteve industriale dhe nyjeve energjetike; mbështetje financiare për nevojat bazë, si ushqimet dhe artikujt e domosdoshëm për qytetarët; përmbushjen e kërkesave që vinin nga Tirana në lidhje me transportin, telekomunikacionin dhe teknologjinë; mbështetje për kualifikimin e specialistëve të fushave të ndryshme në territorin kinez; financimin e kërkimeve shkencore; financimin e Ushtrisë Shqiptare.
Dy ishin parimet që qëndronin në themel të ndihmës ekonomike kineze për Shqipërinë. Së pari, sipas Kryeministrit Zhou Enlai, duke qenë se Shqipëria ndodhej larg Azisë, në Evropën Juglindore, e rrethuar nga armiq dhe pa mundësi për të marrë ndihmë nga vendet e Evropës Perëndimore, nevoja për mbrojtjen dhe fuqizimin e shtetit ishte jetike. Së dyti, ndonëse Shqipëria e shpallte veten si një komb që “dëshiron të ndërtojë gjithçka me forcat e veta”, burimet e saj natyrore dhe financiare në atë kohë nuk ishin të mjaftueshme. Në këto rrethana, Kina vendosi ta ndihmonte Shqipërinë që të zhvillonte një industri moderne dhe të nxiste rritjen ekonomike, pa kërkuar që Tirana të bëhej politikisht e varur nga Pekini.
Kredia e parë kineze që iu dha Shqipërisë është dokumentuar në vitin 1956. Ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, i cili e kishte trajtuar Shqipërinë si shtetin e tij satelit në Evropën Juglindore, qëndrimi i Kinës ishte i ndryshëm që në fillim. Ajo shprehu dëshirën për të krijuar një aleancë me Shqipërinë, të bazuar në parimin e barazisë dhe të përfitimit të ndërsjellë. Fillimisht, Kina dërgoi sasi të konsiderueshme mallrash bazë, si misër, oriz dhe vajra, të cilat ishin kërkuar nga Shqipëria. Më pas, ndihma ekonomike kineze u zgjerua, duke përfshirë pranimin e qindra specialistëve shqiptarë për trajnim në universitete, fabrika dhe qendra të ndryshme kërkimore kineze. Shumica e këtyre specialistëve ndoqën studimet universitare në Kinë.
Nga mesi i viteve 1960 deri në mesin e viteve 1970, mbështetja kineze mundësoi zhvillimin më të madh industrial që kishte përjetuar ndonjëherë Shqipëria. Në kulmin e aleancës kino-shqiptare, midis fillimit të viteve 1960 dhe mesit të viteve 1970, ndihma kineze solli një përparim të madh në zhvillimin e industrisë së rëndë. Kjo çoi, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, në ndërtimin e komplekseve të mëdha industriale.
Qeveria shqiptare kërkoi dhe më pas siguroi kredi afatgjata për ndërtimin e objekteve të tilla dhe të linjave të prodhimit. Ndihma më e madhe përkon me periudhën e Revolucionit Kulturor, nga viti 1966 deri në vitin 1975. Ky ishte momenti që shënoi fillimin e një bashkëpunimi tejet intensiv midis Pekinit dhe Tiranës. Pala kineze premtoi se do të përfundonte, brenda dy vjetësh, ndërtimin e të gjitha objekteve industriale në të cilat ishin instaluar tashmë makineritë. Gjithashtu, ajo siguroi stafin e specialistëve për një nga komplekset më të mëdha që do të ngrihej në qytetin e Elbasanit. Përveç këtyre veprave të mëdha, pala kineze ofroi ndihmë edhe nëpërmjet dërgimit të makinerive bujqësore, sondave dhe turbinave shpuese, traktorëve, autokombajnave, kamionëve etj. Në periudhën në fjalë, Shqipëria ishte një vend rural, ku 70% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) vinte nga bujqësia. Për këtë arsye, pala kineze ofroi mbështetje për ndërtimin e një infrastrukture më të mirë bujqësore, duke investuar njëkohësisht në impiante të mëdha industriale. Në këtë mënyrë, zhvillimi i ekonomisë shqiptare do të ishte më i larmishëm.
Ishte praktikë e zakonshme që autoritetet shqiptare t’i dërgonin planet e tyre të investimeve në Pekin dhe të prisnin miratimin e palës kineze. Kjo e fundit ofronte vazhdimisht rekomandime dhe mbështetje, bazuar në vlerësimet e ekspertëve të saj dhe në përvojën e vet.
Ndihma që bëri ndryshimin…
Arkivat historike dhe faktet e nxjerra në dritë na tregojnë se gjatë periudhës së aleancës mes Kinës dhe Shqipërisë, nga viti 1961 deri më 1978, u ndërtuan një sërë veprash industriale. Kina ndihmoi në ndërtimin e plotë ose të pjesshëm të rreth 133 projekteve industriale, nga vepra të mëdha të industrisë së rëndë, te projekte më të vogla në industrinë e lehtë dhe ushqimore. Në aleancë me Kinën Shqipëria çonte përpara dy procese të rëndësishme historike, të ngjashme me vende të tjera të Europës Lindore dhe të Azisë. I pari është ndërtimi i shoqërisë socialiste, ndërsa i dyti është ai i ndërtimit të modernitetit të shekullit të njëzetë, i nënkuptuar si shekulli ku forcat e zhvillimeve teknologjike ndihmojnë njeriun në tejkalimin e sfidave të mbijetesës, dhe kalimin në fazën e jetesës në një ekonomi të ndërlidhur me forcat krijuese të gjithanshme të njeriut. Nën socializëm, ky modernitet në Shqipëri shihej i mundur vetëm nëpërmjet ndërtimit të industrisë së rëndë dhe urbanizmit të shoqërisë si rezultat i këtij ndërtimi. Nga superfosfati në Laç, azotiku në Fier, kombinati i traktorëve në Tiranë e kombinati metalurgjik në Elbasan, dhe dhjetëra projekte të tjera, e gjithë panorama ekonomike ndryshoi. Teknologji të reja kërkonin kapacitete të reja, forma të përditësuara të menaxhimit të burimeve njerëzore, dhe një akses konstant në prodhimin e dijes përtej kufijve sikurse edhe ngritja e rritja e kapaciteteve për prodhimin e dijes në vend.
Kjo na sjell ne vëmendje dy aspektet më interesante të ndërtimit të veprave të mëdha industriale me ndihmën e Kinës. E para ka të bëjë me ndërtimin e një rrjeti të madh institutesh kërkimore, sidomos ato në shkencat ekzakte, që në përfundim të Luftës së Ftohtë, arrinin në më shumë se 35 të tilla. Jo të gjitha këto institute ishin si rrjedhim i ndihmës kineze, por ndërtimi industrial me fokus të veçantë në industrinë e rëndë me ndihmën e Kinës, përtej fizibilitetit individual të njërës apo tjetrës vepër, përbënte nxitësin më të madh për diversifikimin e kapaciteteve shkencore e teknike në vend. Këto kapacitete erdhën duke u shtuar me ngritjen pikërisht të instituteve të larta të kërkimit shkencor pranë universiteteve, Akademisë së Shkencave, dhe industrive të rënda si Nafta në Ballsh e Fier.
Aspekti i dytë dhe njësoj i rëndësishëm, ishte urbanizimi i gjerë rreth veprave të mëdha industriale, pjesa më e madhe e të cilave ishte në ndërtim e sipër ose në përfundim me ndihmën e Kinës. Në të gjithë Shqipërinë, numërohen rreth 37 zona urbane të ndërtuara rishtas gjatë socializmit për nevojat e industrisë. Në një pjesë të madhe kemi të bëjmë me qytete të reja aty ku më parë nuk kishte veçse fusha ose vendbanime të vogla rurale. Të tilla numërohen nga veriu në jug. Burreli, Rrësheni, Rubiku, Laçi, Ballshi etj, Në raste të tjera kemi të bëjmë me zgjerime urbane të reja në qytetet ekzistuese si lagjet periferike të Tiranës Kombinati, Kinostudio etj, apo zgjerimi i Fierit për shkak të Azotikut, dhe Elbasanit për nevojat e akomodimit të punëtorëve të metalurgjikut. Këto zgjerime merrnin përmasa të tilla që shpesh kalonin atë të qyteteve ekzistuese. Kjo kishte rëndësi në dy rrafshe. E para shtohej klasa punëtore, e me të zgjerohej baza e legjitimitetit të Partisë së Punës që e kishte ndërtuar ideologjinë e saj mbi klasën punëtore. E dyta, me këtë klasë dhe në këto zona të reja urbane, krijohej dhe formësohej subjekti i ri socialist. Kjo nënkuptonte forma të reja socializimi me aktivitete pas punës apo në fundjavë, shprehje të reja artistike e arkitekturore, dhe përfundimisht, një mënyrë të re të jetuarit në kolektivitet i cili edhe pse nga perspektiva e pushtetit krijonte kushte më të favorshme kontrolli politik mbi popullsinë, ai në të njëjtën kohë krijonte edhe hapësira më të mëdha për ndërveprime krijuese mes forcave më të avancuara të shoqërisë, klasën tekniko-shkencore burokratike, dhe asaj punëtore.
Intensifikimi dhe bashkëpunimi i pandalshëm
Në vitin 1970, një delegacion shqiptar, i kryesuar nga Abdyl Këllezi, vizitoi Pekinin për të diskutuar Planin e ardhshëm Pesëvjeçar të Shqipërisë (1970–1975). Ky delegacion qëndroi në Pekin për më shumë se dy muaj. Kohëzgjatja e kësaj vizite erdhi si pasojë e kërkesave të mëdha të palës shqiptare, e cila i kërkoi Kinës për të akorduar kredi më të mëdha se në të kaluarën. Kjo kërkoi negociata të gjata, gjatë të cilave delegacioni shqiptar këmbënguli që ndihma ekonomike kineze të përdorej për investime në industrinë e rëndë dhe në sektorin ushtarak. Ndërkaq, Kina sugjeroi që Shqipëria t’u jepte përparësi investimeve në bujqësi dhe në industrinë e lehtë. Në fund, negociatat çuan në nënshkrimin e protokolleve kino-shqiptare të vitit 1970 për bashkëpunimin ekonomik.
Shumica e marrëveshjeve ekonomike midis Kinës dhe Shqipërisë bazoheshin në shkëmbimin e mallrave (barter). Marrëveshja përfshinte një kredi prej 1,8 miliardë juanësh për përfundimin e objekteve industriale që ishin tashmë në ndërtim, si dhe për ngritjen e objekteve të reja. Ndër këto përfshiheshin: një uzinë për përpunimin e nikelit dhe kobaltit, me kapacitet 250 mijë tonë në vit; një fabrikë tullash, me kapacitet 35 mijë tonë në vit; një impiant për përpunimin e lëndëve të para; një fabrikë për prodhimin e gomës, me kapacitet 200 mijë tonë në vit; zgjerimi i fabrikës së çimentos në Elbasan, duke e rritur kapacitetin nga 100 mijë në 400 mijë tonë në vit; si dhe ndërtimi i qendrës televizive në Tiranë dhe i rrjetit televiziv në të gjithë vendin. Nga ana tjetër, Shqipëria do të eksportonte në Kinë mallra me vlerë të barabartë me 6–7% të vlerës totale të kredisë, si duhan, karburante, nikel, krom dhe artikuj të tjerë. Shlyerja e shumës totale të kredisë do të fillonte në vitin 1986 dhe do të përfundonte brenda vitit 2000. Pothuajse e gjithë industria shqiptare dhe pjesa më e madhe e vëllimit të tregtisë së saj vareshin plotësisht nga ndihmat dhe kreditë kineze. Ekspertët vlerësojnë se rreth 70-80% e ekonomisë shqiptare mbështetej nga qeveria kineze. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të vogla në lidhje me mënyrën e përdorimit të kredive kineze, gjatë këtyre pesë viteve (1970–1975), klima e shkëmbimeve politike ishte e frytshme dhe shkëmbimet ishin të shpeshta.
Ndërsa ndihma ekonomike nga pala kineze kishte filluar më herët, mbështetja ushtarake erdhi disa vite më vonë. Ajo nisi në vitin 1963, pas përjashtimit de facto të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës dhe refuzimit të sovjetikëve për të ofruar ndihmë ushtarake. Pasi autoritetet shqiptare, në vitin 1961, larguan përfundimisht bazën e fundit sovjetike në Vlorë, i gjithë fokusi për sigurimin e mbështetjes ushtarake u drejtua nga Pekini. Beqir Balluku, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, udhëtoi disa herë në Kinë për të kërkuar ndihmë ushtarake për Shqipërinë. Anëtarët e delegacionit kujtonin se mikpritja kineze ishte e jashtëzakonshme. Veçantia dhe simbolika e mikpritjes kineze ndaj Shqipërisë kanë gjetur jehonë në librat dhe analizat e historianëve.
Në vitin 1968, Shqipëria shpalli largimin e saj nga Traktati i Varshavës. Në këtë fazë, me ndihmën kineze, Shqipëria nisi një fushatë masive për ndërtimin e fortifikimeve ushtarake nëntokësore, si bunkerët dhe strehimoret e ndryshme kundër bombardimeve.
Së fundmi, nëse ka një vend në Evropë që e ka përjetuar më mirë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë atë që Kina është e aftë të arrijë në një tokë të largët, ky vend është Shqipëria. Dekadat e mbështetjes ideologjike, ekonomike, ndërkombëtare dhe logjistike të Kinës ndaj Shqipërisë mund të merren në konsideratë për kombet që edhe sot duan të dinë si është modus operandi i Kinës me vendet që i quan mike dhe aleate. Por gjithashtu shërbyen si një bazë e qëndrueshme analize për të tashmen dhe të ardhmen. Miqësia tradicionale kino-shqiptare është ringjallur tashmë, me zhvillime premtuese nga viti në vit. Nëse në kulmin e Luftës së Ftohtë ishte ideologjia ajo që i afroi të dyja vendet, pas ndryshimit të sistemit në Shqipëri këtë rol e morën globalizimi dhe ekonomia botërore gjithnjë e më e ndërvarur. Ndërsa politika ka qenë e ngadaltë dhe ndonjëherë hezituese, mjedisi i biznesit ka ndërtuar ura të reja bashkëpunimi midis Kinës dhe Shqipërisë në shekullin XXI.
Nëse në fillim të viteve 2000 ishte pragmatizmi i biznesit ai që intensifikoi lidhjet midis dy vendeve, nga viti 2012 qasja kineze, në botë dhe në Shqipëri ka një fizionomi tjetër, atë të Kinës në Epokën e Re. Qasja e Kinës sot me vende apo organizata të ndryshme në nivel kontinental dhe botëror është institucionalizuar me anë të nismave të vetë Presidentit Xi Jinping.
Sot janë krijuar dy platforma kineze, në të cilat përfshihet Shqipëria: nisma “Një brez, një rrugë” dhe Mekanizmi i Bashkëpunimit Kinë–Evropë Qendrore dhe Lindore (Kinë–EQL). Këto platforma kanë në themel bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë, lehtësimin e komunikimit midis palëve dhe shkëmbimet njerëzore. Nëpërmjet këtyre platformave, edhe një herë, ashtu si në të kaluarën, Kina shfaqet si pala proaktive. Intensifikimi i marrëdhënieve, thellimi i bashkëpunimit, forcimi i sinergjisë dhe aspekte të tjera po promovohen nga Pekini me një ritëm tejet të dinamik. I takon palës shqiptare të gjejë pikat e përbashkëta të bashkëpunimit dhe të mos u kthejë shpinën mundësive globale që i ofrohen nga Pekini. Ata që e njohin Kinën e dinë mirë se sa e vlerësojnë kinezët traditën, miqësinë e hershme dhe kujtimet e përbashkëta. Me këtë sfond historik që dy vendet kanë, kujtimet janë aset, dhe nëse ka vullnet ato mund të bëhen themeli i një marrëdhënieje të re, të ripërtërirë dhe të frytshme.
Trajektorja e shkëmbimeve dypalëshe, në të gjitha fushat e bashkëpunimit midis Kinës dhe Shqipërisë, ka kaluar si përmes periudhave të qeta edhe përmes situatave të ndërlikuara. Megjithatë, të dy popujt kanë ditur t’i vlerësojnë, t’i mirëpresin dhe t’i ruajnë lidhjet dypalëshe, të cilat janë të rrënjosura thellë dhe kanë një histori të gjatë.
AIGS