Foto nga VCG
Kohët e fundit u zhvillua në Mynih të Gjermanisë Ekspozita Ndërkombëtare e Energjisë Diellore në Evropë (Intersolar Europe). Në të, morën pjesë rreth 2800 kompani, 770 prej të cilave ishin kompani kineze. Produktet dhe teknologjitë e prezantuara nga kompanitë kineze në sektorin fotovoltaik dhe atë të ruajtjes së energjisë, u pritën shumë mirë.
Markus Elsässer, Drejtor Ekzekutiv i Solar Promotion GmbH, organizatorit të ekspozitës, si dhe profesionistë të tjerë të industrisë, u shprehën se Kina ka dhënë kontribute të rëndësishme në inovacionin teknologjik dhe uljen e kostove në industritë e energjisë diellore dhe të ruajtjes së baterive. Ata theksuan se Kina dhe Evropa duhet të punojnë së bashku për të përshpejtuar tranzicionin drejt energjisë së gjelbër dhe për të ndërtuar një komunitet global të jetueshëm.
Valentina Maggiore, zv/Presidente e kompanisë TCL SunPower, tha:
“Këtë vit në Intersolar ne prezantojmë teknologjinë tonë më të fundit të kontaktit me prapavijë, të zhvilluar gjatë 40 viteve përvojë. Kemi mbi 1.900 patenta të zhvilluara gjatë viteve, falë bashkëpunimit me SunPower. Teknologjia më e fundit e kontaktit me prapavijë, së shpejti do të jetë e disponueshme nën markën TCL Solar dhe nën markën SunPower në konfigurime të ndryshme. Për më tepër, ne kemi edhe zgjidhjet tona të energjisë në shtëpi, që përfshijnë jo vetëm panele diellore me efikasitet të lartë, por edhe ruajtje, shërbime menaxhimi të energjisë në shtëpi, pompa nxehtësie dhe produkte të tjera të ofruara falë TCL.”
Cao Tansong, Drejtor Ekzekutiv në Anker SOLIX EU, u shpreh:
“Anker Solix është renditur për dy vite rradhazi si marka numër 1 në botë për ruajtjen e energjisë elektrike në shtëpi me sistem përdorimi të menjëhershëm. Arsyeja kryesore është inovacioni i produktit tonë, i cili zgjidh nevojat aktuale në treg për uljen e faturave të energjisë, llogaritjet dhe përdorimin e energjisë së gjelbër. Ruajtja e energjisë në shtëpi me sistem përdorimi të menjëhershëm, është një kategori e re që po zhvillohet me shpejtësi në nivel global. Megjithatë, standardet në vende të ndryshme nuk janë ende plotësisht të pjekura. Sot, bashkë me TÜV, po publikojmë një standard të tillë. Në stendën tonë,organizuam edhe diskutime me kompani të shumta. Në thelb, ne besojmë se të gjitha kompanitë kineze duhet të kenë përgjegjësinë dhe aftësinë për të luajtur një rol në promovimin e energjisë së gjelbër.”
Conny Axel Hulverscheidt, Drejtoreshë Marketingu dhe e Produkteve, AEG Solar Solutions,
“Kemi punuar me partnerë kinezë prodhimi për 15 vjet. Zhvillimi i teknologjisë në Kinë për produktin tonë është shumë i shpejtë. Një pjesë janë pajisjet hardware, si komponentët, bateritë, modulet diellore, elektronika inverter, gjithçka që kemi. Pjesa tjetër, e cila ka evoluar shumë shpejt së fundmi dhe po evoluon ende, janë zgjidhjet softuerike, zbatimi i inteligjencës artificiale. Është një kënaqësi e vërtetë të punosh me këta partnerë.”
Markus Elsässer, Drejtues i Solar Promotion u shpreh:
“Ajo që shohim në ekspozitën e këtij viti, është se pjesa e ruajtjes së energjisë po lulëzon, ndaj shohim shumë kompani të reja, shumë teknologji të reja në këtë fushë. Mendoj se Kina ka ndihmuar të gjithë industrinë e energjisë diellore dhe të ruajtjes së baterive për të rritur prodhimin më shumë, më shpejt, me kosto më të ulët dhe për t’i bërë këto produkte konkurruese me burimet tradicionale të energjisë. Pra, kjo na ka ndihmuar vërtet të pastrojmë prodhimin e energjisë dhe të diskarbonizojmë vendet dhe tregjet e energjisë. Dhe Kina ka dhënë një kontribut të madh në këtë zhvillim. Në Europë, ne po përpiqemi globalisht për një furnizim energjie më miqësor ndaj klimës. Dhe për ta arritur këtë, është e nevojshme që të përshpejtojmë tranzicion dhe të mos ngadalësojmë zhvillimin. Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të bashkëpunuar dhe jo për të mbrojtur tregjet tona.”
Dr. Hamed Hanifi, Drejtor i Teknologjisë dhe Inovacionit të AESOLAR:
“Nuk ka rëndësi nëse është një kinez, një gjerman, një europian apo aziatik. Në fund të ditës të gjithë jemi në planetin Tokë, dhe të gjithë jetojmë në të njëjtin planet. Pra, një bashkëpunim mes nesh mund ta bëjë më efektiv, më efikas dhe sigurisht, ta bëjë këtë planet një vend më të mirë për të jetuar.”