foto nga Xinhua
Wang Huning, këshilltari kryesor politik i Kinës, bëri thirrje për përpjekje drejt konsolidimit dhe zhvillimit të frontit të bashkuar patriotik, si dhe për bashkimin e mençurisë dhe forcës së popullit kinez – brenda dhe jashtë vendit – për rilindjen e madh të kombit kinez.
Wang, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK dhe kryetar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, i bëri komentet gjatë një pritjeje të mbajtur në Pekin të hënën, për të festuar 77-vjetorin e ardhshëm të themelimit të Republikës Popullore të Kinës.
Duke vënë në dukje se ky vit shënon gjithashtu 105-vjetorin e themelimit të PKK-së, Wang vlerësoi rolin e Partisë në bashkimin dhe udhëheqjen e popullit kinez përmes revolucionit, ndërtimit dhe reformave, deri në hyrjen në epokën e re. Kjo rrugë i ka mundësuar Kinës të avancojë plotësisht modernizimin, të arrijë zhvillim ekonomik dhe social cilësor, të garantojë mirëqenien e popullit dhe të rrisë ndjeshëm ndikimin e saj ndërkombëtar dhe tërheqjen që ushtron.
Wang përsëriti angazhimin për zbatimin e plotë dhe të vendosur të parimit “një shtet, dy sisteme”, si dhe përpjekjet për të nxitur zhvillimin ekonomik e social në Hong Kong dhe Makao, duke mbështetur këto dy rajone që të integrohen më mirë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.
Gjithashtu, Wang u zotua për përpjekje drejt zbatimit të plotë të politikës së përgjithshme të Partisë për epokën e re lidhur me zgjidhjen e çështjes së Tajvanit, për respektimin e parimit “një Kinë” dhe Konsensusit të vitit 1992, për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve përgjatë Ngushticës së Tajvanit, si dhe për pengimin e vendosur të forcave separatiste që kërkojnë “pavarësinë e Tajvanit” dhe kundërshtimin e ndërhyrjeve të huaja.
Në pritje morën pjesë rreth 750 përfaqësues nga Hong Kongu, Makao, Tajvani dhe komunitetet kineze jashtë vendit.
Dita Kombëtare e Kinës festohet më 1 tetor.