Në muajt e fundit është vënë re një fenomen i dukshëm në arenën ndërkombëtare: një numër në rritje liderësh botërorë po vizitojnë Kinën. Avionët drejt Pekinit duket sikur janë mbushur me kryeministra dhe presidentë nga vende të ndryshme, veçanërisht nga Perëndimi. Në prill 2026, vetëm gjatë një jave, lideri kinez Xi Jinping zhvilloi të paktën pesë takime të ndara të nivelit të lartë me liderë të huaj në Pekin. Jo në një samit apo konferencë shumëpalëshe, por takime të dypalëshe.
Kjo ka nxitur debate mbi kuptimin e kësaj vale vizitash: a bëhet fjalë për një ngrohje të marrëdhënieve me Kinën, apo për një përpjekje të këtyre vendeve për të rritur peshën e tyre në negociatat me Shtetet e Bashkuara? Ky fenomen sugjeron një ndryshim të rëndësishëm në perceptimin dhe rolin e Kinës në sistemin ndërkombëtar. Në të kaluarën, Kina shihej kryesisht si një aktor që ndiqte rregullat globale; sot ajo është gjithnjë e më shumë një krijuese rregullash dhe një qendër vendimmarrjeje. Nuk është më thjesht një destinacion për marrëveshje dypalëshe, por një platformë për lançimin e inovacioneve globale dhe për diskutime mbi politikat ndërkombëtare. Nga një perspektivë ekonomike dhe zhvillimore, Kina po tërheq vëmendjen si një qendër kryesore e inovacionit dhe e rritjes. Ajo ofron jo vetëm tregun më të madh të klasës së mesme në botë, por edhe mundësi për bashkëpunim në teknologji, inteligjencë artificiale dhe zhvillim industrial. Qytete si Pekini, Shangai dhe Shenzhen janë bërë pika kyçe të këtij transformimi. Në këtë kuadër, fuqia globale nuk përcaktohet më vetëm nga kapacitetet ushtarake, por gjithnjë e më shumë nga aftësia për të krijuar lidhje dhe për të bashkuar aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë. Kina po e shfrytëzon këtë “fuqi lidhjeje” për të pozicionuar veten si një qendër globale bashkëpunimi dhe inovacioni.
Një sërë vizitash të njëpasnjëshme
Kjo valë vizitash filloi në fund të vitit të kaluar. Në fillim Mbreti i Spanjës Felipe VI zhvilloi një vizitë shtetërore në Kinë, e para e tij si mbret dhe e para nga një monark spanjoll në 18 vite. Në dhjetor, Presidenti francez Emmanuel Macron realizoi vizitën e tij të katërt në Kinë. Në janar 2026, pasuan Kryeministri irlandez Micheál Martin, Presidenti i Koresë së Jugut, si dhe Kryeministri kanadez Mark Carney. Kjo e fundit ishte vizita e parë e një kryeministri kanadez në Kinë pas tetë vitesh.
Në fillim të vitit 2026, vizita e Keir Starmer në Pekin shënoi një moment të rëndësishëm në përpjekjet për stabilizimin e marrëdhënieve Kinë–Mbretëri e Bashkuar pas një periudhe tensionesh. Nga perspektiva kineze, kjo u pa si një sinjal se Londra po kërkon një qasje më pragmatike dhe më pak ideologjike, duke krijuar hapësira për bashkëpunim ekonomik pavarësisht dallimeve politike.
Menjëherë më pas, vizita e Petteri Orpo, kryeministri i Finlandës, tregoi interesin e vendeve nordike për të ruajtur lidhjet ekonomike me Kinën edhe në një klimë më të ndërlikuar gjeopolitike. Për Pekinin, kjo ishte dëshmi se edhe shtetet e vogla, por të zhvilluara, të BE-së nuk janë të gatshme të shkëputen nga bashkëpunimi me ekonominë kineze.
Vizita e kancelarit gjerman Friedrich Merz në shkurt pati peshë të veçantë, duke qenë se Gjermania mbetet partneri kryesor ekonomik i Kinës në Evropë. Vizita e tij konfirmoi se, pavarësisht debatit në Berlin për “de-risking”, interesat industriale dhe tregtare vazhdojnë të dominojnë marrëdhënien dypalëshe.
Në të njëjtën periudhë, prania e Yamandú Orsi, president i Uruguait në Pekin theksoi dimensionin e zgjerimit global të diplomacisë kineze, veçanërisht në Amerikën Latine. Kina e sheh këtë si pjesë të konsolidimit të partneriteteve në Jugun Global dhe si një mbështetje për vizionin e saj për një rend ndërkombëtar më të balancuar.
Vizita e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez në prill përfaqësoi një nga momentet më të rëndësishme politike të këtij viti në raportet Kinë–BE. Spanja u paraqit si një aktor evropian që mbështet dialogun, multilateralizmin dhe thellimin e bashkëpunimit, duke ofruar një kundërpeshë ndaj qasjeve më skeptike brenda Unionit.
Në mesin e prillit, Sekretari i Përgjithshëm dhe Presidenti Tô Lâm përfundoi një vizitë të suksesshme shtetërore në Kinë, udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit si udhëheqësi më i lartë i Vietnamit. Kjo vizitë nënvizoi rëndësinë e stabilitetit në Azinë Juglindore dhe nevojën për të menaxhuar dallimet duke ruajtur një kornizë bashkëpunimi strategjik.
Ajo që po ndodh nuk është rastësi. Liderët që shkojnë në Pekin nuk e bëjnë këtë vetëm sepse janë ftuar, por sepse logjika e tyre e brendshme politike i shtyn në atë drejtim. Kur një lider udhëton për të takuar një tjetër, ai po i dërgon një sinjal publikut të tij: kjo marrëdhënie ka vlerë të mjaftueshme për të investuar kapital politik. Këto nuk janë shtete periferike. Janë ndër ekonomitë më të mëdha në botë dhe tre prej tyre janë anëtare të G7. Fakti që këto vende po shkojnë drejt Pekinit në të njëjtën periudhë tregon shumë për realitetin dhe aktualitetin gjeopolitik.
Akte ribalancimi
Shtetet marrin vendime duke peshuar dy faktorë, çfarë përfitimesh ofron një partner dhe sa kushton ruajtja e marrëdhënies me të. Kina ofron tregun më të madh për mallra të prodhuara, kapacitete të mëdha financimi për infrastrukturë dhe një stil diplomatik më të parashikueshëm.
Kjo valë vizitash nuk duket të jetë një reagim i përkohshëm por pjesë e një riorientimi më të gjerë strategjik. Vendet perëndimore po kërkojnë të angazhohen më aktivisht me Kinën, duke njohur rolin e saj gjithnjë e më të madh në ekonominë dhe qeverisjen globale.
Kina paraqitet si një aktor i rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë globale dhe një mbrojtëse e globalizimit, në një kohë kur SHBA po ndjek politika më proteksioniste. Kjo ka shtyrë vendet evropiane të kërkojnë alternativa dhe të balancojnë marrëdhëniet e tyre mes Kinës dhe SHBA-së. Në këtë kontekst, vërehet një prirje drejt diversifikimit të partneriteteve ekonomike, jo vetëm me Kinën, por edhe me rajone të tjera si India dhe Amerika Latine.
Megjithatë, ekziston një skepticizëm i dukshëm, si në Kinë ashtu edhe në Perëndim. Nga njëra anë, qytetarë kinezë kërkojnë që Perëndimi të ndryshojë qasjen e tij, duke hequr dorë nga arroganca dhe paragjykimet. Nga ana tjetër, disa analistë perëndimorë theksojnë se afrimi aktual është më shumë i motivuar nga interesa ekonomike sesa nga një ndryshim i vërtetë politik apo ideologjik.
Për një lider në Londër apo Berlin, në Madrid, pyetja bëhet praktike: cili partner ofron më shumë stabilitet në këtë moment? Nuk është një çështje ideologjie, por një llogaritje konkrete kosto-përfitim. Dhe kjo llogaritje po ndryshon.
Në çdo rast konkret, mekanizmi bëhet edhe më i qartë. Koreja e Jugut kërkon të rikthejë marrëdhëniet ekonomike me Kinën pas tensioneve të lidhura me sistemin THAAD, që i kanë kushtuar miliarda. Kanadaja po përpiqet të dalë nga një periudhë e gjatë përplasjesh diplomatike dhe të rikthejë eksportet e saj në tregun kinez. Britania, pas Brexit, ka nevojë për akses në tregje dhe kapital, ndërsa Gjermania, si ekonomi industriale, mbetet thellësisht e varur nga kërkesa dhe zinxhirët e furnizimit të lidhur me Kinën.
Për më tepër, vizitat prodhojnë rezultate konkrete. Koreja e Jugut po rifiton akses në tregje të rëndësishme. Kanadaja ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për tregtinë dhe industrinë. Britania po synon të forcojë rolin e saj financiar përmes bashkëpunimit me Kinën. Gjermania pritet të fokusohet në çështje kyçe industriale dhe zinxhirë furnizimi. Secila marrëveshje më vete është e menaxhueshme, por së bashku ato tregojnë një drejtim të ri.
Pekini, si epiqendra e stabilitetit
Ndërkohë, strategjia e Xi është e qartë: ai pret liderët në Pekin. Kjo krijon një avantazh të dukshëm simbolik dhe praktik. Kina bëhet kështu qendra e gravitetit global, ndërsa të tjerët vijnë drejt saj. Mikpritësi kontrollon skenën, agjendën dhe mënyrën se si paraqiten marrëveshjet. Këto zhvillime nuk tregojnë domosdoshmërisht një shkëputje nga hegjemoni, por një proces balancimi. Vendet nuk po zgjedhin mes njërës apo tjetrës fuqi, por po ruajnë marrëdhënie me të dyja për të minimizuar rrezikun. Ky është një reagim racional në një botë më të pasigurt. Ky drejtim nuk është dominim, por diversifikim. Ekonomitë kryesore po krijojnë një lloj sigurie ndaj pasigurisë globale, duke zgjeruar marrëdhëniet përtej një qendre të vetme.
Ka edhe një paralelizëm historik. Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, një fuqi në rënie dhe një tjetër në ngritje krijuan një boshllëk në rendin global. Edhe sot, dinamika e një fuqie nën presion dhe një tjetre që shfaq stabilitet po prodhon ndryshime të ngjashme strukturore.
Në fund, gjithçka kthehet te ekonomia. Presioni vjen nga brenda: nga industria, nga tregtia, nga vendet e punës. Ajo që po shohim nuk është një ndryshim i menjëhershëm, por një proces gradual. Çdo vizitë në Pekin e bën më të lehtë vizitën tjetër. Çdo marrëveshje ul koston e marrëveshjes pasuese. Me kalimin e kohës, këto vendime të vogla dhe pragmatike krijojnë një realitet të ri, ku qendra e gravitetit global fillon të zhvendoset. Këto vizita tregojnë një prirje të qartë: pavarësisht fragmentimit gjeopolitik dhe presioneve për “shkëputje”, shumica e aktorëve kryesorë ndërkombëtarë vazhdojnë të angazhohen drejtpërdrejt me Pekinin. Kina mbetet kështu një qendër e pazëvendësueshme e ekonomisë globale dhe një aktor kyç në formësimin e një rendi ndërkombëtar më shumëpolar.
Së fundmi, nga këto vizita dalin disa mësime kryesore për vendet perëndimore: Së pari, nevoja për të dalluar realitetin nga perceptimet e vjetra mbi Kinën. Së dyti, shmangia e politizimit të marrëdhënieve ekonomike, që shpesh dëmton interesat praktike. Së treti, adoptimi i një vizioni më të hapur dhe realist për rolin e Kinës në botë. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet do të mbeten komplekse për shkak të dallimeve ideologjike dhe perceptimeve mbi “vlerat”. Perëndimi shpesh i ngatërron vlerat me ideologjinë, ndërsa Kina fokusohet në zhvillimin, sigurinë dhe bashkëpunimin.
Me të gjitha këto vizita, analistët janë të kujdesshëm duke rënë dakord se nuk po hyjmë në një “epokë të artë” të re, por në një “epokë realizmi”, ku bashkëpunimi do të udhëhiqet më shumë nga interesat konkrete dhe pragmatizmi. Çelësi për të ardhmen mbetet një qasje më e hapur, më pak paragjykuese dhe më pragmatike nga të gjitha palët.
AIGS