Foto nga VCG
Katër ditë pas nisjes së pushimeve shtatëditore të Festës Kombëtare, Kina vijon të jetë në lëvizje, ndërsa udhëtimet nuk kufizohen më vetëm te vizitat në pikat e njohura turistike.
Vetëm të shtunën, hekurudhat kineze regjistruan 19.27 milionë udhëtime pasagjerësh, me një rritje prej 6.1 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa numri i udhëtimeve ndërrajonale në Kinë i kaloi 300 milionët. Në linjat më të ngarkuara janë shtuar trena të shpejtësisë së lartë gjatë natës, ndërsa në shumë stacione janë hapur qendra shërbimi për turistët, ku vizitorët mund të blejnë bileta të pikave turistike dhe të hipin në autobusët vajtje-ardhje sapo zbresin nga treni.
Të dhënat e rezervimeve nga platformat kryesore në internet të udhëtimeve tregojnë një ndryshim gradual në mënyrën se si udhëtojnë kinezët: qëndrime më të gjata, itinerare më të gjera dhe më shumë përvoja përtej një fotografie të shpejtë. Udhëtimet që përfshijnë disa destinacione, po shtohen. Numri i përdoruesve që rezervojnë fluturime drejt dy ose më shumë qyteteve është rritur me 70 %, ndërsa edhe qytetet që më parë shërbenin vetëm si pika tranziti, po kthehen në destinacione më vete.
Kërkimet për “peizazhet e vjeshtës” u rritën me 80 % këtë sezon. Interesi për pamjet e vjeshtës të frymëzuara nga poezia ka sjellë më shumë turistë në qytete si Xian, Nankin dhe Luoyang. Në një platformë sociale, kërkimet për Malet e Mëdha Hinggan në Verilindjen e Kinës u rritën me 490 %. Udhëtarët ndajnë informacione për kohën më të mirë për të parë pyjet e arta dhe ligatinat, ndërsa disa publikojnë çdo ditë ndryshimin e ngjyrave të vjeshtës dhe të tjerë sugjerojnë itinerare të hollësishme për udhëtime me makinë.

Foto nga VCG
Në fshatin Shilin, në Yuyao të provincës Zhejiang të Kinës Lindore, vjeshta mund edhe të shijohet. Në këtë fshat ka pemë hurmash në një sipërfaqe prej më shumë se 18 hektarësh, të cilat prodhojnë mbi 150 tonë fruta në vit. Gjatë sezonit të vjeljes, banorët qërojnë dhe thajnë hurmat, ndërsa varin misra, speca e fasule të kuqe në dyer e çati, sipas traditës së njohur si “shaiqiu”, ose tharja e prodhimeve të vjeshtës. Vizitorët mund të provojnë kafe dhe ëmbëlsira me hurma, si edhe të përgatisin qese aromatike me këtë frutë. Fshati pret mbi 30 000 vizitorë gjatë pushimeve.
Në mesin e pushimeve, të ardhurat nga biletat e kinemave i kaluan 600 milionë juanë (rreth 89 milionë dollarë), të nxitura nga prodhime kinematografike vendase, që përfshijnë zhanre si komedia, misteri, romanca dhe animacioni. Në Shenzhen, bileta e kinemasë mund të përdoret edhe për të marrë pjesë në shorte dhe për të përfituar oferta në festivale ushqimore apo kuponë për restorante. Ndërkohë, zona tregtare “Luohu MixC” ka nisur një projekt pilot “film + gastronomi”, duke lidhur kinematë me tregun e restoranteve cilësore dhe duke nxitur këmbimin e klientelës së njëri-tjetrit.
Foto nga VCG
Ndoshta shembulli më i veçantë është Shitanjing, një ish-qytezë minerare në qytetin Shizuishan të rajonin Ningxia të Kinës Veriperëndimore, ku u xhirua filmi i suksesshëm “Na ishte një herë në Lindjen e Mesme”. Pjesa më e madhe e vendxhirimit të filmit është lënë e paprekur. Sot, jashtë periudhave të xhirimeve, qyteza shërben edhe si pikë turistike, me tregje ushqimore dhe shfaqje ndërvepruese të frymëzuara nga filmi. Vitet e fundit, në këtë zonë janë realizuar pothuajse 60 vepra kinematografike, duke çuar në krijimin e tri kompanive të shërbimeve filmike dhe një shoqate aktorësh vendore, ndërkohë që planifikohet ngritja e studiove profesionale për ta shndërruar peizazhin e saj industrial të vjetruar në një vend tërheqës afatgjatë.
Konsumi gjatë pushimeve po merr gjithashtu mbështetje nga politikat nxitëse. Në tre ditët e para të pushimeve, shitjet pa taksa doganore në ishullin Hainan arritën në 358 milionë juanë, me një rritje prej 8.85 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa numri i blerësve arriti në 55 100.

Foto nga VCG
Në nivel kombëtar, pak para fillimit të pushimeve u vunë në dispozicion 62.5 miliardë juanë fonde të reja për programet e zëvendësimit të mallrave të vjetra të konsumit me të reja. Në Tianjin, subvencionet për pajisjet elektroshtëpiake arrijnë deri në 1 500 juanë, krahas 80 milionë juanëve në formë kuponësh qeveritarë. Në Sichuan, në kuadër të një programi për subvencionimin e interesit të kredive personale për konsum që ul me një pikë përqindjeje normën vjetore të interesit dhe zbatohet automatikisht gjatë shlyerjes, pa tarifa shtesë, janë dhënë mbi 399 miliardë juanë kredi, nga të cilat kanë përfituar 3.41 milionë konsumatorë. Në të gjithë vendin, këtë muaj po zhvillohen mbi 20 000 aktivitete kulturore e turistike, ndërsa janë vënë në dispozicion edhe 310 milionë juanë kuponë konsumi.
Mesazhi i kësaj Jave të Artë është i qartë: turistët kinezë po qëndrojnë më gjatë, po udhëtojnë më larg dhe po kërkojnë përvoja më të larmishme, ndërsa tregu po gjen mënyra të reja për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave.