Rritet konsumi i energjisë elektrike në sektorët e ngarkimit të baterive të automjeteve elektrike e shërbimit të të dhënave në Kinë

Foto nga VCG

Konsumi i energjisë elektrike në sektorët e ngarkimit të baterive të automjeteve elektrike dhe shërbimit të të dhënave në internet në Kinë shënoi rritje të ndjeshme në muajin korrik, duke nxjerrë në pah kërkesën e fortë nga industritë në rritje të shpejtë të automjeteve me energji të re dhe digjitale, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të premten.

Konsumi i energjisë nga shërbimet e ngarkimit dhe të ndërrimit të baterive arriti në 16.4 miliardë kilovatorë në korrik, duke u rritur 50.3 për qind në bazë vjetore, ndërsa i shërbimeve të të dhënave në internet u shtua me 40.1 për qind, duke arritur në 9.9 miliardë kilovatorë, sipas Administratës Energjetike Kombëtare.

Konsumi i përgjithshëm i energjisë elektrike në Kinë për muajin korrik ishte 1.04 trilion kilovatorë, me një rritje 1.7 për qind në bazë vjetore.

Foto nga VCG

Një vështrim më i detajuar tregon që konsumi i elektricitetit nga sektori parësor ishte 16.7 miliardë kilovatorë në korrik, me një rënie 2 për qind në krahasim me një vit më parë. Ndërkohë, përdorimi i energjisë elektrike nga sektori tretësor u shtua 4.8 për qind e nga sektori dytësor 3 për qind, duke arritur përkatësisht në 218.3 miliardë e 611.6 miliardë kilovatorë gjatë muajit të kaluar.

Konsumi i energjisë elektrike nga industritë e teknologjisë së lartë dhe të prodhimit të pajisjeve u rrit me 8.9 për qind në krahasim me një vit më parë, duke arritur në 122 miliardë kilovatorë në korrik.

Konsumi i energjisë elektrike shihet gjerësisht si një barometër i aktivitetit ekonomik, ku ndryshimet në kërkesën për energji ofrojnë të dhëna për ndryshimet në strukturën industriale dhe nxitësit e rritjes.

Foto nga VCG

Të dhënat e së premtes treguan që, ndërsa konsumi i përgjithshëm i energjisë u rrit me një ritëm të moderuar, përdorimi i energjisë elektrike në industritë e teknologjisë së lartë dhe të prodhimit të pajisjeve u shtua shumë më shpejt, duke treguar rolin në rritje të prodhimit të përparuar në ekonominë kineze.

Rritja e madhe e përdorimit të energjisë elektrike nga sektorët e ngarkimit të baterive të automjeteve elektrike e shërbimit të të dhënave theksuan gjithashtu shfaqjen e burimeve të reja të kërkesës lidhur me tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital.

Gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, konsumi i përgjithshëm i energjisë elektrike në Kinë u rrit 4.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 6.14 trilionë kilovatorë. Përdorimi i energjisë nga shërbimet e ngarkimit dhe ndërrimit të baterive u shtua 55.8 për qind në këtë periudhë, ndërsa ai i shërbimeve të të dhënave në internet 43.3 për qind.

 

CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us