Sondazh i CGTN | Qeverisja globale e klimës përballë “momentit të Antalias”: Pse bota duhet ta rishqyrtojë përvojën e Kinës?

Foto/VCG

Konferenca e 31-të e Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31) përfundoi në Antalia të Turqisë, pa arritur një konsensus për vendimet politike. Kjo është hera e parë që nga viti 2009 që një konferencë e OKB-së për klimën përfundon pa marrëveshje. Arritja e konsensusit për qeverisjen klimatike, është bërë një sfidë edhe më komplekse e më e vështirë sesa vetë veprimi klimatik.

Një sondazh i zhvilluar nga CGTN me 10.032 të anketuar në 40 vende të botës tregon se çështjet energjetike po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe në qeverisjen globale të klimës. Tranzicioni energjetik është kthyer në një sfidë urgjente për të gjitha vendet, ndërsa roli strategjik i burimeve të reja të energjisë po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

Përdorimi i lëndëve djegëse fosile ishte një nga çështjet kryesore të negociatave në këtë konferencë. Franca, Panamaja dhe disa vende të tjera publikuan një letër të përbashkët, duke kërkuar që marrëveshja të përcaktonte qartë drejtimin e tranzicionit për largimin gradual nga lëndët djegëse fosile. Ndërkohë, Arabia Saudite dhe vende të tjera të mëdha prodhuese të naftës, argumentuan se këto burime energjie do të vazhdojnë të luajnë rol në ekonomi edhe për një periudhë të konsiderueshme.

Foto/VCG

Sipas sondazhit, 77.8% e të anketuarve mendojnë se kriza e furnizimit me energji tradicionale nga lëndët djegëse fosile, është kthyer në një sfidë reale globale. Në vlerësimin e “sfidave më të mëdha me të cilat përballet zhvillimi global i energjisë në dekadën e ardhshme”, ndryshimet klimatike dhe ndikimi në mjedis u renditën të parat, të ndjekura nga përballueshmëria e çmimeve të energjisë dhe siguria e furnizimit me energji, përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë. Këto dy të fundit përbëjnë pothuajse 40% të përgjigjeve, ndërsa tre sfidat kryesore së bashku përbëjnë 77.7%.

Ndërkohë, 77.3% e të anketuarve pajtohen se kalimi drejt një sistemi energjetik më të pastër, më të larmishëm dhe më efikas, është një mënyrë e rëndësishme për të përballuar sfidat globale të energjisë.Gjithashtu, 74% e pjesëmarrësve presin që rëndësia e burimeve të reja të energjisë në sistemin energjetik global të vazhdojë të rritet gjatë dekadës së ardhshme. Prej tyre, 42.6% parashikojnë një rritje të ndjeshme. Përqindja e të anketuarve nga vendet e Jugut Global që zgjedhin “rritje të ndjeshme” tejkalon 50%, ndërsa të anketuarit nga vendet e zhvilluara janë relativisht konservatorë: vetëm 32.9% parashikojnë një “rritje të ndjeshme” dhe gati 20% zgjedhin “kryesisht të pandryshuar”. Përveç kësaj, 83.1% e të anketuarve besojnë se produktet e reja të energjisë po bëhen gradualisht një zgjedhje e madhe për konsumatorët globalë dhe gati 80% thonë se janë ekspozuar ndaj ose kanë përdorur produkte të reja të energjisë, ndër të cilat pajisjet inteligjente shtëpiake që kursejnë energji, pajisjet e gjenerimit të energjisë diellore dhe automjetet e reja të energjisë renditen në tre vendet e para.

Foto/VCG

Kina ka shprehur zhgënjimin e saj për dështimin e konferencës në miratimin e një dokumenti përfundimtar gjithëpërfshirës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë frymën e nevojshme të kompromisit dhe të vazhdojnë përpjekjet për të çuar përpara procesin shumëpalësh të përballimit të ndryshimeve klimatike. Rezultatet e sondazhit tregojnë gjithashtu një vlerësim të gjerë për arritjet e Kinës në qeverisjen e klimës gjatë viteve të fundit. Në këtë sontazh, të anketuarit shprehin mendimin se vendet e tjera mund të nxjerrin mësime të dobishme nga përvoja kineze, duke kërkuar njëkohësisht rrugë të zhvillimit energjetik që u përshtaten kushteve të tyre kombëtare.

Sipas sondazhit, 74.6% e pjesëmarrësve mendojnë se zhvillimi i industrisë së energjisë së re në Kinë ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e tranzicionit energjetik global. 73.6% vlerësojnë se kapacitetet e mëdha prodhuese të Kinës në sektorin e energjisë së re dhe përdorimi i gjerë i produkteve të saj, kanë ndihmuar më shumë vende dhe konsumatorë të kalojnë drejt energjisë së gjelbër. 74.2% theksojnë se inovacioni teknologjik dhe prodhimi në shkallë të gjerë i Kinës në fusha si energjia e erës, energjia fotovoltaike dhe bateritë e automjeteve elektrike, kanë ulur kostot e produkteve përkatëse, duke e bërë energjinë e pastër më të përballueshme për më shumë vende dhe rajone.

Shkalla e njohjes nga ana e të anketuarve nga vendet e Jugut Global, për të gjitha pikat e mësipërme, e kalon 80%-in.

Sondazhi u zhvillua përmes një platforme anketimi në internet dhe përfshiu vende kryesore të zhvilluara, si dhe vende përfaqësuese të Jugut Global. Pjesëmarrësit ishin qytetarë të moshës 18 vjeç e lart, ndërsa mostrat pasqyrojnë shpërndarjen sipas moshës dhe gjinisë të regjistruar në regjistrimet kombëtare të popullsisë në secilin vend.

 

CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us