Foto nga VCG
Këtë verë, shumë rajone të botës janë goditur nga moti ekstrem. Evropa Perëndimore është përballur me një “kupolë të nxehti”, Azia Jugore me temperatura të larta të vazhdueshme, ndërsa Afrika Juglindore me reshje të dendura e të pandërprera. Pas këtyre fenomeneve klimatike fshihet një sfidë gjithnjë e më e madhe për mbijetesën e njerëzimit.
Sipas një sondazhi në internet të publikuar nga CGTN-i, 83,1% e të anketuarve besojnë që moti ekstrem është bërë një sfidë reale për mbarë njerëzimin dhe se zgjidhja e vetme është që vendet të bashkëpunojnë dhe të ndajnë përgjegjësitë.
Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se, gjatë periudhës 2000–2019, temperaturat e larta kanë qenë të lidhura me rreth 489.000 vdekje çdo vit. Ndërkohë, Organizata Botërore Meteorologjike thekson se, që nga mesi i shekullit XX, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor kanë rritur gjasat e shfaqjes së fenomeneve të kombinuara të motit ekstrem.
Në sondazh, 83,3% e pjesëmarrësve thanë se kanë vënë re një rritje të ndjeshme të shpeshtësisë dhe intensitetit të motit ekstrem në vitet e fundit. 74,7% besojnë se këto fenomene po kërcënojnë seriozisht sigurinë e njerëzve, ndërsa 82,7% mendojnë se moti ekstrem nuk është më thjesht një fatkeqësi natyrore lokale, por një problem mjedisor global që prek të gjithë njerëzimin.
Përballë këtyre sfidave, sondazhi tregon se bota ka më shumë se kurrë nevojë për solidaritet dhe bashkëpunim. 72,6% e të anketuarve besojnë se ulja e emetimeve të karbonit dhe rritja e aftësisë për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike janë thelbësore për zvogëlimin e rreziqeve.
Po ashtu, 92,3% mendojnë se bashkëpunimi ndërkombëtar për klimën nuk duhet të kufizohet vetëm te mbështetja financiare, por duhet të përfshijë edhe ndarjen e teknologjive klimatike, përvojës në parandalimin e fatkeqësive dhe burimeve të paralajmërimit të hershëm.

Foto nga VCG
Sondazhi nënvizon gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar duhet të nxisë inovacionin teknologjik dhe transformimin industrial përmes bashkëpunimit, duke lehtësuar qarkullimin e lirë të teknologjive e produkteve të gjelbra me cilësi të lartë, në mënyrë që të gjitha vendet, veçanërisht vendet në zhvillim, të kenë mundësi t’i përdorin ato.
Në këtë drejtim, 85,9% e të anketuarve besojnë se vendet e zhvilluara mbajnë përgjegjësi historike, ligjore e morale për ndryshimet klimatike. 88,7% mendojnë se ato duhet t’u ofrojnë vendeve në zhvillim ndihmë në teknologjitë klimatike për të rritur aftësinë e tyre për t’u përballur me ndryshimet klimatike, ndërsa 81,1% besojnë se ndihma për ngushtimin e hendekut të zhvillimit është një mënyrë e rëndësishme për të parandaluar që ndryshimet klimatike të shndërrohen në rreziqe për sigurinë.

Foto nga VCG
Sondazhi u publikua në platformat e CGTN-it në anglisht, spanjisht, frëngjisht, arabisht dhe rusisht. Brenda 24 orëve, në votim morën pjesë 8.035 përdorues të internetit, të cilët shprehën pikëpamjet e tyre.