Office Address

Mine Peza Street, Tirana
Albania

Email Address

info@globalizationinstitute.al

“Revolucioni i Gjelbër” i Kinës dhe fuqizimi i progresit të qëndrueshëm

Në korridoret e tregtisë ndërkombëtare, avancimi i Kinës qëndron si një dëshmi e përkushtimit të saj të palëkundur për ta çuar vendin në ballë të revolucionit mjedisor. Megjithatë, në mes të rritjes meteorike të Kinës, retë e proteksionizmit shfaqen në horizont, duke hedhur hije pasigurie mbi dinamikën e tregtisë globale. Hetimet dhe sanksionet e mundshme kundër automjeteve elektrike kineze i ilustrojnë më së miri këto sfida, të nxitura nga tensionet gjeopolitike dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit global. Megjithatë, Kina mbetet e vendosur në ndjekjen e dialogut konstruktiv dhe praktikave të drejta tregtare, duke mbrojtur interesat e saj legjitime dhe duke shtruar një fushë të barabartë loje.

“Treshja e re” e Kinës, çfarë është, çfarë nxit, çfarë tregon për Kinën e sotme "Treshja e re" e Kinës - fotovoltaikët, bateritë e litium-jon, dhe automjetet me energji të re (EV) – janë krenaria e re kombëtare në peizazhin e tregtisë së jashtme të Kinës. Raportet tregojnë se në vitin 2023, eksportet e këtyre produkteve pësuan një rritje të ndjeshme, me një normë prej afro +30% duke u shfaqur si shtytësit kryesorë të tregtisë së jashtme. Karakteristikat e përbashkëta të "treshes së re" përfshijnë teknologji intensive, vlerë e lartë e shtuar dhe konkurrencë të jashtëzakonshme në eksporte, duke u bërë kështu udhëheqës në transformimin e gjelbër. Rritja e eksporteve të këtyre produkteve dhe konkurrueshmëria e tyre shërbejnë në fakt si tregues të fuqishëm të përpjekjeve të vazhdueshme të Kinës për të nxitur zhvillimin e industrive prodhuese të nivelit të lartë, inteligjent dhe të gjelbër. Por jo vetëm, fokusi në këto industri tregon përkushtimin për një qasje të hapur, bashkëpunuese dhe të favorshme për të gjitha kombet. Të gjitha sa më sipër nuk kanë dalë nga asgjëja. Kina ka ruajtur pozicionin e saj si lider global në investime në energjinë e rinovueshme për shtatë vite radhazi. Në vitin 2021, investimi i Kinës në energjinë e pastër arriti një nivel marramendës 380 miliardë dollarë, duke siguruar pozicionin e saj si investitori kryesor në botë në këtë sektor. Gati gjysma e shpenzimeve të karbonit të ulët në botë u krye në Kinë, sipas analizës së fundit nga BloombergNEF. Vendi shpenzoi 546 miliardë dollarë në vitin 2022 për investime që përfshinin energjinë diellore dhe të erës, automjetet elektrike dhe bateritë. Zgjerimi i jashtëzakonshëm i këtyre sektorëve mbështetet nga një themel i fortë i teknologjive të patentuara. Për shembull, që nga maji 2023, llogaritja globale për aplikimet për patentë që kanë të bëjnë me teknologjitë e baterive ishin total 20,798, nga të cilat Kina kontribuoi 7,640 aplikime për patentë, që përfaqësojnë 36.7% të totalit global. Në fushën e paneleve diellore, Kina udhëheq botën me gjithsej 126,400 aplikime për patentë në mbarë botën. Duhet patur parasysh se përveç impenjimit maksimal që bën sektori privat janë politikat shtetërore që mbështesin në maksimum risitë dhe punën intensive të menaxhimit të shkencës, teknologjisë, arsimit dhe talentit. Vetë Presidenti i Kinës Xi Jinping, ka theksuar vazhdimisht imperativin e përshpejtimit të zhvillimit të forcave të reja prodhuese me cilësi të lartë si një parim të palëkundur të epokës së re. Forcat e reja prodhuese cilësore, siç shpjegon Xi, përfaqësojnë produktivitet të avancuar të çliruar nga mënyrat tradicionale, të karakterizuara nga teknologjia e lartë, efikasiteti dhe cilësia në përputhje me filozofinë e re të zhvillimit. Duke theksuar imperativin e përshpejtimit të zhvillimit të forcave të reja prodhuese, Xi nënvizon fuqinë transformuese të inovacionit të shkencës dhe teknologjisë. Thirrja e tij për inovacione origjinale jo vetëm që sinjalizon një përkushtim ndaj lidershipit teknologjik, por gjithashtu paralajmëron shfaqjen e nxitësve të rinj të zhvillimit vendas. Narrativa dhe faktet rreth “mbikapacitetit” të Kinës Etiketimit që i vendosin Kinës si vend me "mbikapacitet" i mungon thelbi dhe koherenca. Kapacitetet e avancuara të prodhimit të Kinës në sektorin e ri të energjisë janë në kërkesë të lartë globalisht, pasi ofrojnë një gamë të larmishme të produkteve të konsumit dhe shërbejnë si një lojtar kryesor në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Përparësia konkurruese e Kinës është përmirësuar përmes përpjekjeve të zellshme dhe ekspertizës së vërtetë, të rrënjosura në konkurrencën e tregut, inovacionin dhe sipërmarrjen. Këto pika të forta hapin mundësi të rëndësishme për bashkëpunim reciprokisht të dobishëm. Por le të shohim si portretizohet dhe si është realisht situata: × Narrativa: Sektori i ri energjetik i Kinës përballet me mbikapacitet. √ Fakt: Sektori i ri energjetik i Kinës, specifikisht i makinave elektrike, qëndron si një shtyllë treguese e zotësisë teknologjike dhe një forcë kryesore në shtytjen globale për zhvillim të qëndrueshëm. Ndryshe nga nocionet mbizotëruese të mbikapacitetit, deficiti kritik qëndron në mungesën e infrastrukturës së re të energjisë në mbarë botën. Një performancë e avancuar e Kinës nënvizon dinamizmin e segmentit të automjeteve elektrike të vendit. Pra, nuk është Kina që prodhon shumë, ka deficit global në këtë fushë dhe numri i makinave elektrike prodhuar në Kinë duket i lartë. × Narrativa: Politika industriale e Kinës shtrembëron tregun global. √ Fakt: Përdorimi i politikave industriale nga Kina karakterizohet nga barazia, gjithëpërfshirja dhe shtrirja strategjike. Në të gjithë globin, politikat industriale shërbejnë si një mjet kryesor për të forcuar sektorë të veçantë. Midis tyre kyçe janë investimet e hershme në kërkim shkencor, teknologjik dhe zhvillimor. Për shembull, suksesi i kompanise Kineze CATL mishëron këtë trajektore, e nënvizuar nga teknologjia e saj pioniere dhe pozicioni kryesor në treg, i krijuar përmes një ndjekjeje të palëkundur të inovacionit dhe largpamësisë strategjike. Në vitin 2023, angazhimi i CATL për kërkimin dhe zhvillimin u materializua në një investim që arrin në rreth 18.4 miliardë juan (rreth 2.59 miliardë dollarë amerikanë). Me pak fjalë kanë investuar, prandaj janë në pararojë. × Narrativa: Produktet e reja energjetike të Kinës ndikojnë në ekonominë globale. √ Fakt: Eksporti i Kinës i produkteve të reja energjetike është shfaqur si një shtyllë thelbësore që mbështet zgjerimin ekonomik global dhe ekuilibrin e çmimeve. Në një sfond të rritjes së ngadaltë globale dhe presioneve të rritura inflacioniste vitet e fundit, produktet kineze janë spikatur për atributet e tyre dalluese të cilësisë, efikasitetit dhe kosto-efektivitetit. Pavarësisht çmimeve konkurruese të eksporteve të reja të energjisë së Kinës, ato bien brenda parametrave të pranueshëm të tregtisë dhe nuk plotësojnë përkufizimin teknik të “dumping-ut”. × Narrativa: Sektori i ri energjetik i Kinës kërcënon vendet e punës në vende të tjera. √ Fakt: Sektori i ri energjetik i Kinës nuk është vetëm një burim i rritjes së brendshme, por edhe një katalizator për krijimin e vendeve të punës në nivel global, pasi firmat zgjerojnë shtrirjen e tyre përmes ndërmarrjeve jashtë Kinës. Duke përdorur aftësitë e tyre teknologjike, ndërmarrjet kineze të energjisë së re kanë intensifikuar bashkëpunimet ndërkombëtare, duke ngritur objekte prodhimi në vende të ndryshme si Tajlanda, Hungaria dhe Gjermania, duke krijuar kështu mijëra mundësi punësimi. Bota nuk dëshiron më pak nga kapaciteti i Kinës, por dëshiron më shumë fonde dhe produkte për të përshpejtuar tranzicionin e energjisë dhe për të ulur varfërinë. Që Kina po vërshon tregun evropian me automjete elektrike është një mit. Prodhuesit kinezë të automjeteve përbëjnë vetëm 8.4% të tregut të BE-së dhe nga këto 50% e importeve të makinave elektrike nga Kina vijnë nga markat perëndimore që prodhojnë makina atje. Nëse aplikohen, këto tarifa për importet e automjeteve kineze dhe produkteve të tjera të gjelbra do t'i sjellin vetëm probleme BE-së, pasi kjo vetëm do të dëmtojë marrëdhëniet e saj afatgjatë reciproke me partnerin e saj kryesor tregtar, që është Kina. Dhe mbi të gjitha, kush humbet nga proteksionizmi është konsumatori, çdo makinë e paguar dy tre fish rëndon në xhepat e gjithkujt.

Së fundmi, ndërsa bota ndodhet në prag të një epoke të re, të përcaktuar nga inovacioni teknologjik dhe zhvillimi i qëndrueshëm, Kina shfaqet si një lokomotivë përparimi, duke transformuar zinxhirët e industrisë globale me vendosmëri dhe largpamësi të pashembullt. Në zemër të këtij transformimi qëndron inovacioni, që po e shënjon këtë epokë të re industriale jo vetëm në ngritjen e Kinës si një fuqi teknologjike, por gjithashtu paralajmërojnë angazhimin e saj për transformimin e gjelbër në një shkallë globale. © AIGS

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni