Marrëdhëniet Kinë-BE: strategji, përshtatje dhe formësim

Procesi i integrimit që filloi pas Luftës së Dytë Botërore ka sjellë përfitime të mëdha për Evropën, por vitet e fundit, me rritjen e populizmit, ekstremizmit në mendimin politik evropian dhe thellimin e fragmentimit të partive, procesi i integrimit evropian po has rezistencë. Për shkak të shqetësimeve se mos mbeten në periferi në kushtet e ndryshimeve të mëdha globale dhe zhvendosjes së fokusit strategjik të SHBA drejt lindjes, Evropa ka forcuar ndjeshëm autonominë e saj strategjike për të mbrojtur interesat e veta pa u mbështetur tek fuqitë e tjera.

Në vitet e fundit, BE dhe shtetet anëtare kanë bërë përshtatje dhe ndryshime në politikat ndaj Kinës, duke shfaqur dualitete dhe dilema të theksuara. Ndërkohë, politika e Kinës ndaj Evropës ka ruajtur vazhdimësinë dhe mbështet synimin e Evropës për të arritur autonomi strategjike dhe për të luajtur një rol më të madh në arenën ndërkombëtare. Në të ardhmen, bashkëpunimi dhe konkurrenca në marrëdhëniet Kinë-BE do të ndërthuren, ndërsa rëndësia dhe kompleksiteti i këtyre marrëdhënieve do të rriten.

Ndërsa bota po ndryshon me shpejtësi, dy çështje kyçe meritojnë vëmendje të veçantë dhe kanë rëndësi të madhe për Evropën. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, bota përjetoi mbi 40 vjet përballje bipolare. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe përfundimit të kësaj përballjeje, a do të rikthehet bota në një model të Luftës së Ftohtë me ndarje të blloqeve? Kjo pyetje lidhet drejtpërdrejt me një rol thelbësor: atë të Evropës, ose më saktë, zgjedhjen strategjike të Evropës. Që nga përshkallëzimi i krizës në Ukrainë në vitin 2022, disa aktorë në Perëndim janë përpjekur të lidhin Kinën me Rusinë, ndërkohë që marrëdhëniet ShBA-BE janë afruar për shkak të kësaj krize. Është e qartë se Evropa është një faktor kyç. Ajo tashmë ndodhet në përballje të plotë me Rusinë, ndërsa Shtetet e Bashkuara e kanë përcaktuar Kinën si kundërshtarin kryesor. Cila do të jetë pozita e Evropës ndaj Kinës? A do ta ndjekë ajo strategjinë e ShBA apo do të distancohet? Diskutimi aktual mbi integrimin evropian është thelbësisht një debat për autonominë strategjike të Evropës.

 

Autonomia strategjike evropiane: objektiva dhe praktika

BE e ndjek autonominë strategjike nga frika e margjinalizimit në një botë me ndryshime të thella. Politikanët evropianë kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se nëse BE dëshiron të mos rrëshqasë nga “lojtar” në “fushë loje” dhe nga “pjesëmarrës” në “spektator” në konkurrencën globale, duhet të forcojë aftësinë për të vepruar. Shpërthimi i krizës në Ukrainë në vitin 2022 shënon rikthimin e çështjeve të sigurisë tradicionale në qendër të agjendës politike evropiane.

Evropa e kërkon autonominë strategjike edhe sepse e ndjen se pavarësisht lidhjeve të ngushta me ShBA, politika e “Amerikës e Para” nuk do të ndryshojë, cilido që të jetë në Shtëpinë e Bardhë, dhe se fokusi strategjik amerikan do të zhvendoset drejt rajonit Indo-Paqësor. Gjatë katër viteve të administratës Trump (2017-2021), ShBA ndoqi një politikë unilaterale dhe u tërhoq nga mekanizmat multilateralë.

Qëllimi i Evropës në këtë drejtim është të mbrojë interesat e veta pa u mbështetur tek forcat e jashtme. Tradicionalisht, autonomia është konceptuar si një çështje mbrojtjeje kombëtare dhe sigurie, por aktualisht koncepti i autonomisë strategjike është zgjeruar dhe përfshin edhe fushat e ekonomisë, energjisë, teknologjisë dhe zinxhirëve industrialë. Nëse Evropa do të arrijë apo jo këtë objektiv, do të varet nga ecuria e integrimit evropian në të ardhmen, ku autonomia në mbrojtje përbën boshtin thelbësor. Nëse BE dëshiron që kjo të mos mbetet vetëm në letër, duhet të përmbushë disa kushte.

Së pari, bashkëpunimi franko-gjerman është thelbësor. Bashkimi i Francës dhe Gjermanisë është i domosdoshëm për përparimin e BE-së, dhe në të njëjtën kohë, forcimi i BE-së rrit rolin e këtyre dy shteteve. Megjithatë, mes Francës dhe Gjermanisë ekzistojnë mospajtime mbi ndërtimin e mbrojtjes së përbashkët evropiane. Gjithashtu, vendet evropiane duhet të jenë të gatshme të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen, çka nuk është aspak e lehtë.

 

Marrëdhëniet Kinë-BE

Marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Bashkimit Evropian kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar. Ato janë të rëndësishme jo vetëm për Kinën dhe Evropën, por kanë edhe ndikim të madh në riorganizimin e rendit ndërkombëtar.

Që nga fillimi i reformave në Kinë, marrëdhëniet Kinë-BE janë dominuar nga bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar. Por së fundmi, janë vërejtur dy ndryshime të mëdha: Së pari, me rritjen e fuqisë dhe ndikimit ndërkombëtar të Kinës, roli i saj në politikat e jashtme të shteteve anëtare të BE-së është rritur. Politikat kineze janë objekt diskutimesh të gjera në vendet evropiane. Së dyti, për shkak të ndryshimeve në ekuilibrin e fuqisë mes Kinës dhe Evropës, ideologjisë dhe ndikimit të politikës amerikane ndaj Kinës, si dhe krizës në Ukrainë, ndikimi negativ në politikën evropiane ndaj Kinës është rritur. Megjithatë, ekzistojnë interesa të përbashkëta të rëndësishme, dhe brenda BE-së ka zëra që kërkojnë një qasje pragmatike ndaj Kinës.

Së pari, qëndrimet e Francës, Gjermanisë, vendeve të Evropës Qendrore e Lindore dhe institucioneve të BE janë të ndryshme. Për shembull, Franca këmbëngul në nevojën për autonomi strategjike dhe kundërshton që Evropa të ndjekë pa rezerva SHBA-në për çështjen e Kinës. Presidenti Emmanuel Macron deklaroi pas vizitës në Kinë në prill 2023 se “nuk duam të hyjmë në logjikën e përballjeve në grupe.” Ndërkohë, vende si Polonia dhe Lituania synojnë të harmonizohen me ShBA-në për shkak të krizës ukrainase, duke ushtruar presion mbi marrëdhëniet Kinë-BE.

Së dyti, edhe pse ekzistojnë dallime mes vendeve anëtare, BE ka krijuar njëfarë konsensusi në politikën ndaj Kinës. Kjo u shfaq për herë të parë me pranimin e gjerë të konceptit “partner bashkëpunues, konkurrent ekonomik dhe rival sistemik” që nga viti 2019. Politika evropiane ndaj Kinës është bërë gjithnjë e më konkurruese dhe e kujdesshme, duke kufizuar hapësirën për bashkëpunim. Megjithatë, kohët e fundit, qasja pragmatike po rikthehet, edhe pse pritet që karakteristikat e konkurrencës dhe përballjes të vazhdojnë. Një tjetër konsensus është se BE nuk synon “ndarje” ekonomike nga Kina, por një “ulje rreziku” (de-risking). Në qershor 2023, Komisioni Evropian publikoi një strategji për sigurinë ekonomike, përfshirë kontrollet e investimeve të huaja dhe të eksporteve.

Përballë këtyre ndryshimeve, Kina ka intensifikuar përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet me Evropën. Politika kineze ndaj Evropës ka ruajtur vazhdimësinë, ka mbështetur gjithnjë integrimin evropian dhe autonominë strategjike. Kina është përkushtuar ndaj zhvillimit të një partneriteti strategjik gjithëpërfshirës me BE-në. Në vitin 2013, Presidenti Xi Jinping theksoi se Kina dhe Evropa janë dy fuqi të mëdha për paqen, zhvillimin dhe përparimin e njerëzimit. Në 2014 ai propozoi katër partneritete për paqen, zhvillimin, reformën dhe qytetërimin.

Në prill 2023, Xi Jinping deklaroi në takim me Macron dhe Ursula von der Leyen se Kina dhe BE kanë interesa të përbashkëta të gjera, se bashkëpunimi tejkalon konkurrencën dhe se konsensusi është më i madh se dallimet. Ai theksoi rëndësinë e dialogut, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit për sfidat globale.

Në tërësi, marrëdhëniet Kinë-BE në të ardhmen pritet të karakterizohen nga bashkëekzistenca, bashkëpunimi, konkurenca dhe kujdesi strategjik. Nga njëra anë, ekzistojnë interesa të përbashkëta të fuqishme në fushën ekonomike dhe përballjen me sfidat globale; nga ana tjetër, mbeten dallimet në vlera dhe tensionet tregtare. Ndërkohë, faktorët e jashtëm si evolucioni i luftës në Ukrainë dhe presidenca e dytë e Donald Trump do të ndikojnë ndjeshëm në ecurinë e këtyre marrëdhënieve.

Kina ka shprehur qartësisht vullnetin e saj për të bashkëpunuar ngushtë me Bashkimin Evropian në drejtim të orientimit të përgjithshëm dhe përcaktimit të tonit kryesor të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, për të rifilluar shkëmbimet në të gjitha nivelet, për të aktivizuar bashkëpunimin e ndërsjellë në fusha të ndryshme dhe për të sjellë energji të re në forcimin e marrëdhënieve Kinë-BE si dhe në promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në nivel global.

Rifillimi i vizitave të nivelit të lartë dhe rivendosja e dialogut të rregullt ndërmjet Kinës dhe institucioneve apo shteteve anëtare të BE-së janë dëshmi të një tendence në rritje drejt një realizmi pragmatik dhe bashkëpunimi konstruktiv. Në këtë kontekst, marrëdhëniet Kinë-BE po hyjnë në një fazë të re të formësimit të ndërsjellë, ku bashkëpunimi, konkurrenca dhe kujdesi strategjik do të bashkëjetojnë.

Kina dhe Bashkimi Evropian ndajnë interesa të gjera, të përbashkëta, veçanërisht në fushat e ekonomisë, tregtisë, inovacionit teknologjik dhe në përballimin e sfidave globale si ndryshimet klimatike apo krizat e sigurisë ushqimore dhe shëndetësore. Këta faktorë nxisin që marrëdhëniet dypalëshe të ruajnë një vitalitet dhe qëndrueshmëri të konsiderueshme.

Në përfundim, marrëdhëniet Kinë-BE do të karakterizohen nga një ndërthurje komplekse bashkëpunimi dhe konkurrence, e cila do të reflektojë realitetin e një bote shumëpolare në ndërtim. Për të dyja palët, ruajtja e një fryme dialogu të hapur, respektimi i ndërsjellë dhe përqendrimi në interesat e përbashkëta do të jenë thelbësore për të siguruar që marrëdhëniet të mos kthehen në një fushë konfrontimi, por të zhvillohen si një shembull i përgjegjësisë ndërkombëtare dhe bashkëjetesës konstruktive në një epokë transformimesh globale.

 

©AIGS

 

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni