Foto nga VCG
Të mërkurën, Ministria e Bujqësisë dhe e Çështjeve Rurale e Kinës u shpreh që Kina do të zgjatë ndalimin e peshkimit në pellgun e Lumit të Verdhë në kuadër të një politike për të ringjallur ekosistemet ujore dhe për të ripërtërirë burimet e peshkimit.
Ministria ka nxjerrë së fundmi një qarkore që e zgjeron ndalimin edhe në tre degë të tjera kryesore, duke i vendosur rrjedhat kryesore të lumit dhe 13 degë të mëdha nën ndalim, me synim rikthimin e rezervave të peshkut dhe promovimin e peshkimit të qëndrueshëm.
Ndalimet e peshkimit gjatë gjithë vitit do të zbatohen në vendburimin e lumit dhe në ujërat kryesore të rrjedhës së sipërme nga 1 janari 2026 deri më 31 dhjetor 2030. Një moratorium sezonal do të zbatohet nga 1 prilli deri më 31 korrik çdo vit nga seksioni Ningxia i rrjedhës së poshtme deri te delta e lumit.
Përveç peshkimit me kuotë të kufizuar në ujëra të caktuara dhe për lloje specifike, të gjitha aktivitetet prodhuese të peshkimit do të ndalohen gjatë periudhave të ndalimit dhe në zonat e kufizuara.
Foto nga VCG
Ministria vuri në dukje se ndalimi i peshkimit, i vendosur që prej vitit 2018, ka ndihmuar në mbrojtjen e burimeve ujore dhe promovimin e zhvillimit me cilësi të lartë të sektorit të peshkimit.
Ministria u shpreh që prirja e përgjithshme e rënies së burimeve të peshkimit në pellgun e Lumit të Verdhë ende nuk është ndaluar thelbësisht, gjë që e bën të nevojshme vazhdimin e ndalimit.
Siç mësohet, kjo ministri do të punojë me nëntë rajone në nivel province përgjatë lumit, për të forcuar zbatimin e ligjit dhe për të siguruar mbrojtjen efektive të burimeve të peshkimit.
Një politikë e tillë pason ndalimin e suksesshëm të peshkimit në lumin Jance për 10 vjet, që nga viti 2021 deri më 2030, dhe pasqyron strategjinë e qytetërimit ekologjik të Kinës.
Foto nga VCG
Lumi i Verdhë, një nga vatrat e qytetërimit kinez dhe që vlerësohet, së bashku me Jancenë, si “Lumi Nënë”, ushqen rreth 12 % të popullsisë së Kinës dhe ujit 17 % të tokës së punueshme të vendit.
Ujërat nga ky lumë furnizojnë mbi 50 qytete të mesme dhe të mëdha.