Përfaqësuesi kinez i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të nxitë armëpushimin mes Libanit dhe Izraelit

Fu Cong, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, i kërkoi të mërkurën bashkësisë ndërkombëtare të bëjë përpjekje të përbashkëta për të nxitur arritjen sa më parë të armëpushimit ndërmjet Libanit dhe Izraelit.

Në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën midis Libanit dhe Izraelit, Fu Cong u shpreh se luftimet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen dhe situata midis Libanit dhe Izraelit është intensifikuar ndjeshëm.

“Vazhdimi i armiqësisë nuk përputhet me interesat e asnjë pale,” theksoi ai, duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të punojë së bashku për të nxitur paqen dhe për të ulur sa më parë tensionet, me qëllim që të rivendosen paqja dhe qëndrueshmëria në rajon.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të shtojë ndihmën për Libanin dhe ta mbështesë qeverinë libaneze në stabilizimin e situatës së brendshme dhe sigurimin e jetesës bazë të popullit,” vuri në dukje Fu Cong.

“Kina është e gatshme të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të bërë përpjekje të pareshtura për të qetësuar situatën midis Libanit e Izraelit dhe për të rikthyer paqen e qëndrueshmërinë në Liban dhe në Lindjen e Mesme,” shtoi ai.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni