Foto nga VCG
Forca Detare e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës (UÇP) do të hapë kazermat e saj për publikun në mbi 10 qytete në mbarë vendin rreth datës 23 prill për të shënuar 77-vjetorin e themelimit të vet, me mbi 40 anije në shërbim aktiv që do të jenë të hapura për t’u vizituar.
Një shumëllojshmëri anijesh luftarake aktive do të jenë të hapura për vizitorët, duke përfshirë destrojerë të pajisur me raketa, fregata të pajisura me raketa, minapastruese, barka me raketa dhe anije zbarkimi amfibe.
Edhe anijet ndihmëse, duke përfshirë anijet e furnizimit të gjithanshëm, anijet e trajnimit për lundrim oqeanik dhe anijet spitalore, do të hapen gjithashtu për publikun.

Foto nga VCG
Shumë nga anijet pjesëmarrëse kanë kryer misione të rëndësishme, si misionet e shoqërimit në Gjirin e Adenit, vizitat jashtë vendit dhe ushtrimet e përbashkëta.
Veprimtaritë e anijeve të hapura do të mbahen në qytete si Dalian, Qingdao, Shangai, Ningbo, Xiamen, Guangzhou dhe Sanya. Disa anije do të hapen për publikun për herë të parë, ndërsa disa do të ankorohen për herë të parë në qytetet sipas të cilave janë emërtuar.

Foto nga VCG
Përveç vizitave në anije, bazat e forcave ajrore detare dhe portet do të hapen gjithashtu, së bashku me aktivitete tematike që nxjerrin në pah lidhjet midis anijeve luftarake dhe qyteteve prej të cilave kanë marrë emrin.
Hapja e anijeve në shërbim aktiv për publikun është një traditë e gjatë e forcave detare në mbarë botën. Vitet e fundit, Forca Detare e UÇP-së i ka zhvilluar rregullisht këto veprimtari në përvjetorin e themelimit e në Ditën Kombëtare, me shkallë e ndikim në rritje.
Kanalet e rezervimit për veprimtaritë e këtij viti janë hapur gradualisht, dhe publiku mund të regjistrohet në internet nëpërmjet platformave zyrtare.