Ndërlidhshmëria e përmirësuar e pagesave i sjell turizmit të Kinës përfitime më të shpejta dhe më të gjera

Vizitorë kinezë mbërritën në aeroportin ndërkombëtar të Seulit të Koresë së Jugut në prag të 1 Majit / VCG

Ndërlidhshmëria ndërkufitare e pagesave në celular në Kinë u përmirësua në mënyrë të ndjeshme përpara festës së 1 Majit, Ditës së Punëtorëve, një periudhë tradicionalisht e ngarkuar me udhëtime jashtë vendit, duke u lehtësuar turistëve kinezë problemet me paratë në dorë, aplikacionet e shumta të pagesave të huaja dhe kurset e pafavorshme të këmbimit valutor në gjithnjë e më shumë vende.

Javën e kaluar, Indonezia paraqiti një nismë ndërkufitare me Kinën të ndërveprueshmërisë me kodin e reagimit të shpejtë (QR), duke u mundësuar përdoruesve nga të dy vendet të kryejnë lirisht pagesa për blerjet me pakicë nëpërmjet skanimit të kodit QR përtej kufijve.

“WeChat Pay” dhe “Alipay” / VCG

Gjiganti kinez i pagesave në celular “WeChat Pay” njoftoi në fund të prillit se kishte mundësuar përputhshmërinë e drejtpërdrejtë me sistemet kombëtare të kodit QR në pesë tregje kryesore, si Koreja e Jugut, Sri-Lanka, Tajlanda, Malajzia dhe Singapori. Përdoruesit tani mund të skanojnë të njëjtat kode lokale si banorët vendës, me transaksione të përpunuara në kohë reale me kurse këmbimi të drejtpërdrejta.

Analistët thonë se ngritja e nivelit nga bashkëpunimi me dyqane individuale në lidhjen e pagesave në nivel kombëtar shënon një përparim strukturor. Në të kaluarën turistët kinezë zakonisht duhej të kërkonin kode QR specifike të ndonjë marke, ndërsa tani vetë infrastruktura flet gjuhën e tyre të pagesës.

Rrjeti i lidhjes së pagesave ndërkufitare të Kinës është zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme. Shërbimi ndërkufitar i “WeChat Pay” tani mbulon 78 vende e rajone, duke mbështetur 36 monedha. Ndërsa “Alipay+”, porta globale e portofolit elektronik nga grupi “Ant International”, lidh më shumë se 40 kuleta digjitale në mbarë botën. Pagesat QR “UnionPay” pranohen nga mbi 16 milionë tregtarë në mbarë globin. Përdoruesit gjithashtu mund të bëjnë pagesa në më shumë se 2.8 milionë terminale në 37 vende e rajone.

Dy turistë të huajë në një tregtore përgjatë një rruge në qytetin Hangzhou të Kinës Jugore / VCG

Ndërsa pagesat kineze në celular zhbllokojnë shpenzimet jashtë vendit, Kina po ndërton edhe një ekosistem pagesash digjitale më të hapur dhe me vizitorët në qendër për ta bërë jetën më të lehtë për miliona të huaj që vijnë për turizëm, biznes, studime e punë, duke u mundësuar atyre të paguajnë po aq lirshëm sa në vendet e tyre.

Në fillim të këtij viti, Kina nxori një udhëzues për të përmirësuar shërbimet digjitale për vizitorët e huaj, i cili kërkon ndërtimin e një sistemi pagesash më të larmishëm e gjithëpërfshirës që mbështet plotësisht kartat bankare të huaja dhe kuletat elektronike jashtë vendit në sektorët e shitjes me pakicë, të ushqimit, transportit, hotelerisë dhe turizmit të Kinës.

Këto politika tashmë po shndërrohen në komoditet të botës reale. Programet e lehtësimit të pagesave ndërkufitare të Kinës i lejojnë vizitorët e huaj të lidhin kartat dhe kuletat e tyre digjitale drejtpërdrejt me “WeChat Pay” dhe “Alipay”, ashtu siç bëjnë përdoruesit kinezë jashtë vendit. Në vitin 2025, më shumë se 10 milionë udhëtarë të huaj në Kinë përdorën shërbimet e lidhura me “Alipay”, me konsumin përkatës që u dyfishua në krahasim me vitin 2024.

Një turist i huaj bisedoi me pronaren e një tregtore në rrugicën Nan Luoguxiang në Pekin / VCG

Aeroportet, sistemet e metrosë, pikat kryesore turistike dhe dyqanet zinxhir të shitjes me pakicë kanë përshpejtuar përmirësimet e pagesave shumëgjuhëshe, ndërsa qytete të tilla si Pekini, Shangai, Guangzhou dhe Chengdu kanë zgjeruar pikat e pranimit për mënyrat ndërkombëtare të pagesës.

Wang Jianxi, studiues në Universitetin Detar të Shangait, tha se përafrimi i standardeve të pagesave shpesh shërben si një prelud i integrimit rajonal të turizmit, duke sinjalizuar formimin e një ekosistemi turistik digjital të drejtuar nga pagesat. “Konkurrenca në sektorin e turizmit nuk do të jetë më vetëm për pika turistike ose destinacione, por gjithashtu do të ketë rëndësi edhe komoditeti i shërbimeve digjitale,” theksoi Wang.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni