“Modernizimi i stilit kinez” dhe fuqia e transformimit

Gjatë dekadave të fundit, populli kinez ka ecur përpara me vendosmëri, përmes punës së palodhur dhe një këmbënguljeje të vazhdueshme, Kina ka arritur një sërë transformimesh historike. Një mrekulli të rritjes së shpejtë ekonomike, të stabilitetit afatgjatë shoqëror dhe unitetit kombëtar, të uljes masive të varfërisë dhe një mrekulli të zhvillimit paqësor të mbështetur në një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj botës. “Modernizimi i stilit kinez” është një filozofi e re, me të cilën autoritetet në Pekin theksojnë zhvillimin ekonomik, politik, kulturor, social dhe ekologjik të ndërthurur, si komponentë kyç të zhvillimit, i cili është në përputhje me përmbushjen e aspiratave të njerëzve për një jetë më të mirë, në Kinë dhe në mbarë botën.

 

Sfondi i një historie suksesi

Në vitin 2012, “modernizimi kinez” ishte ende një drejtim i nënkuptuar dhe jo një doktrinë e përcaktuar plotësisht. Vendi pati një rritje të jashtëzakonshme ekonomike, por sfida përpara nuk ishte më thjesht rritja e mëtejshme, ishte transformimi. Vitet e para të udhëheqjes së Xi Jinping vendosën tonin për atë që do të bëhej një fazë e re: modernizimi si një strategji kombëtare. Fushatat kundër korrupsionit, konsolidimi institucional dhe reformat e thella strukturore ishin hapa të nevojshëm për të forcuar themelet e qeverisjes, duke siguruar që modernizimi të ishte i qëndrueshëm, i disiplinuar dhe i udhëhequr nga qendra.

Në kohën e Kongresit të 19-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) në vitin 2017, ky vizion ishte kristalizuar qartë. Modernizimi u ngulit zyrtarisht në narrativën më të gjerë të “socializmit me karakteristikat kineze për një epokë të re”. Ai nuk përcaktohej më ngushtë në terma ekonomikë, por si një projekt gjithëpërfshirës që lidhte prosperitetin, kapacitetin qeverisës, besimin kulturor dhe përgjegjësinë mjedisore. Udhërrëfyesi strategjik u bë më i qartë: të ndërtohet një shoqëri mesatarisht e begatë në të gjitha aspektet, pastaj të përparohet drejt një vendi të madh modern socialist deri në mesin e shekullit. Në këtë kuadër, modernizimi u ngrit nga politikë në mision kombëtar, i lidhur ngushtë me idenë e “ripërtëritjes së madhe të kombit kinez”.

Pas vitit 2017, faza e zbatimit u përshpejtua. Shtytja e modernizimit të Kinës theksoi gjithnjë e më shumë cilësinë mbi sasinë – duke u zhvendosur drejt zhvillimit të nxitur nga inovacioni, teknologjia dhe rritja me cilësi të lartë. Zhdukja me sukses e varfërisë absolute në vitin 2021 ishte një moment historik në këtë proces, duke përforcuar idenë se modernizimi në Kinë duhet të përfshijë prosperitet të përbashkët dhe zhvillim të ekuilibruar rajonal, jo vetëm zgjerimin e përgjithshëm të PBB-së. Në të njëjtën kohë, zhvillimi i gjelbër dhe qytetërimi ekologjik u bënë shtylla qendrore, duke sinjalizuar se modernizimi duhet të nënkuptojë edhe harmoni midis njerëzimit dhe natyrës.

Konsolidimi vendimtar konceptual erdhi në Kongresin e 20-të të Partisë në vitin 2022, ku “modernizimi kinez” u artikulua zyrtarisht si një model i dallueshëm. Nga pikëpamja kineze, kjo ishte një pikë kthese: modernizimi tani përcaktohej përmes disa karakteristikave të ndërlidhura dhe u pozicionua në mënyrë të qartë si një alternativë zhvillimi, e rrënjosur në përvojën historike, sistemin e qeverisjes dhe planifikimin strategjik afatgjatë të Kinës.

Që nga viti 2023, kjo kornizë është zhvendosur më thellë në ekzekutimin e politikave. Modernizimi kinez tani shprehet përmes përpjekjeve të koordinuara në inovacionin teknologjik, përmirësimin industrial, rigjallërimin rural dhe zgjerimin e kërkesës së brendshme, së bashku me hapjen e vazhdueshme dhe angazhimin global. Trajektorja afatgjatë mbetet e përcaktuar qartë: ndërtimi i një vendi modern socialist deri në vitin 2035 dhe arritja e ripërtëritjes kombëtare deri në vitin 2049.

Në vitin 2026, me miratimin e Planit të 15-të Pesëvjeçar (2026-2030) gjatë “Dy Sesioneve” të marsit, Kina i ka dërguar një mesazh të qartë botës se shtysa e modernizimit të vendit do të sjellë mundësi të prekshme për bizneset në mbarë botën, dhe fokusi i vendit është zhvendosur drejt zhvillimit me cilësi të lartë dhe lidershipit global industrial.

 

Karakteristikat kryesore të modernizimit kinez

Sot, Kina vazhdon të avancojë procesin e ripërtëritjes së madhe të kombit kinez përmes një modeli modernizimi që është thellësisht i lidhur me realitetin e saj historik dhe shoqëror. Modernizimi kinez  është ai modernizimi i një popullsie shumë të madhe. Realizimi i modernizimit për më shumë se 1.4 miliardë njerëz përbën një sfidë pa precedent në historinë globale. Ky proces ka në qendër përmirësimin e vetë Kinës, pa synim për të sfiduar vende të tjera.

Është modernizimi i prosperitetit të përbashkët për të gjithë. Kina synon jo vetëm zgjerimin e “tortës” së zhvillimit ekonomik, por edhe ndarjen e saj më të drejtë. Parashikohet që deri në vitin 2035 grupi me të ardhura të mesme të kalojë 800 milionë njerëz, ndërsa tregu i shërbimeve shëndetësore mund të arrijë rreth 2.2 trilionë dollarë deri në vitin 2030.

Është modernizimi që ndërthur progresin material me zhvillimin kulturor dhe etik. Në këtë proces, Kina ka përfshirë respektin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kushtetutën e saj, duke e orientuar modernizimin drejt zhvillimit të lirë dhe të gjithanshëm të individit, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë kulturor dhe shoqëror.

Është modernizimi i harmonisë mes njeriut dhe natyrës. Kina ka bërë përparime të shpejta në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe uljen e intensitetit të përdorimit të energjisë. Ajo zotëron një nga zonat më të mëdha pyjore në botë dhe kapacitetin më të madh të instaluar të energjisë së erës dhe diellit. Synimi i saj për të kaluar nga kulmi i karbonit në neutralitet karboni në një kohë më të shkurtër se çdo ekonomi e madhe përfaqëson një angazhim të rëndësishëm global për klimën.

Është modernizimi i zhvillimit paqësor. Kina ka propozuar iniciativa të njëpasnjëshme si “Një Brez, një Rrugë”, Iniciativën për Zhvillim Global, Iniciativën për Siguri Globale, Iniciativën për Qytetërim Global, duke ofruar një qasje që synon të adresojë hendekun e zhvillimit, të forcojë sigurinë ndërkombëtare dhe të nxisë dialogun dhe mësimin e ndërsjellë mes qytetërimeve. Këto iniciativa reflektojnë një vizion për bashkëpunim ndërkombëtar dhe për ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

 

Modernizimi kinez dhe bota

Ky lloj modernizimi rezonon ndërkombëtarisht sepse mund të ndihmojë në promovimin e prosperitetit global për shkak të veçantisë dhe potencialit të tij, dhe kështu bëhet jashtëzakonisht tërheqës për vendet në zhvillim. Historitë e suksesit të modernizimit kinez janë frymëzim dhe inkurajim për vendet në zhvillim, të cilat e shohin atë, si një model premtues dhe Kinën si një partner të rëndësishëm dhe të besueshëm.

Modernizimi kinez, siç shihet nga jashtë Kinës, impakton më shumë në dy karakteristika specifike, ai është gjithëpërfshirës, paqësor dhe këto duhet të jenë padyshim elementë  krenarie kombëtare.

Trajektorja e Kinës është formësuar thellësisht nga forcat e dyfishta të reformës dhe hapjes, një proces revolucionar që vazhdon të ripërcaktojë statusin e saj global. Theksi në shfrytëzimin e fuqive institucionale të Kinës për të përmirësuar qeverisjen kombëtare pasqyron një këndvështrim vizionar, të mbështetur nga strategji të qarta dhe pragmatike. Kina po balancon ambicien me përgjegjësinë, duke shfrytëzuar avantazhet e saj institucionale për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet kombëtar e global. Nuk ka një rrugë të vetme drejt modernizimit dhe qasja e Kinës bazohet në kushtet e saj kombëtare.

Si një komb me një histori jashtëzakonisht të gjatë, një popullsi masive dhe një trashëgimi varfërie, si dhe qytetërimi i vetëm i pandërprerë në botë, Kina ka adresuar në mënyrë efektive zhvillimin kombëtar dhe vazhdimësinë qytetëruese me modernizimin kinez. Modernizimi kinez ka frymëzuar më shumë vende në Jugun Global që të ndjekin rrugë zhvillimi të përshtatura sipas kushteve të tyre kombëtare. Kjo qasje shkon përtej formave njëdimensionale dhe të huaja të modernizimit, si dhe modeleve lineare që shpesh çmontojnë kulturat tradicionale.

Ky modernizim, ndonëse i ndërtuar brenda Kinës, nuk është i mbyllur në vetvete; ai synon të krijojë mundësi dhe hapësira zhvillimi edhe për botën më të gjerë. Ndërsa bota po përballet me sfida komplekse, është e qartë se angazhimi i Kinës ndaj komunitetit global është intensifikuar. Një Kinë e modernizuar më tej do të krijojë shumë më tepër mundësi për botën, ndërsa mbetet e përkushtuar ndaj thellimit të reformave, hapjen dhe ndjekjen e zhvillimit me cilësi të lartë.

 

 

Së fundmi, jemi mësuar të lavdërojmë dhe të motivohemi nga historitë individuale të suksesit, por ajo që bën vërtet ndryshim në botë janë historitë kolektive të suksesit, si ajo e rrugës së Kinës drejt modernizimit, dhe kjo përbën një kapitull të ndritur në historinë e avancimit njerëzor.

Bota është një vend i larmishëm, me shumë modele të ndryshme socioekonomike dhe politike, dhe ky debat tejkalon kohën dhe hapësirën në realitetin politik të një kombi ose grupi kombesh. Megjithatë, ajo që mbetet e qëndrueshme është nevoja për përparim dhe modernizim, një lloj modernizimi që mund të sjellë rezultatin më pozitiv për shumicën e njerëzve.

Socializmi me Karakteristika Kineze ka hyrë në një Epokë të Re, një epokë në të cilën thelbi është përmirësimi i vazhdueshëm i çdo aspekti të jetës së njerëzve dhe besimi se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë. Ky besim vjen nga një rrugë tashmë e provuar me rezultate pozitive dhe ideja e konsoliduar se udhëheqja e vendit ka një mision dhe një vizion, për arritje të mëtejshme dhe zhvillim për kombin.

 

AIGS

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni