në Pekin, u zhvillua “Forumi Global për Qeverisjen e të Drejtave të Njeriut 2026″/Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Në një botë që ndryshon me ritme të paprecedenta, ku pabarazitë ekonomike, tensionet gjeopolitike dhe revolucioni teknologjik po riformësojnë realitetin global, edhe debati mbi të drejtat e njeriut po fiton një perspektivë të re. Në këtë kontekst, Kina ka shpalosur një vizion të ri për ecurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke e vendosur zhvillimin, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përfitimet e teknologjisë në qendër të qasjes së saj. Mbi këto tema në Pekin, u zhvillua “Forumi Global për Qeverisjen e të Drejtave të Njeriut 2026”, një aktivitet që mblodhi mbi 400 përfaqësues nga më shumë se 100 vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara.
Forumi përkoi me 40-vjetorin e miratimit të Deklaratës mbi të Drejtën për Zhvillim dhe u fokusua në temën “Zhvillim i Përbashkët, të Drejta të Përbashkëta”, duke reflektuar bindjen se përparimi ekonomik dhe social mbetet baza më e rëndësishme për garantimin e të drejtave themelore të njeriut.
Vizioni i Kinës për të drejtat e njeriut – udhëzimet, parimet dhe objektivat
Një nga momentet më të rëndësishme të Forumit ishte shpalosja e Planit Kombëtar të Veprimit për të Drejtat e Njeriut në Kinës 2026-2030. Dokumenti nis me arritjet e deritanishme duke nënvizuar se midis viteve 2021 dhe 2025, qeveria kineze zbatoi Planin e saj të katërt të Veprimit për të Drejtat e Njeriut. Me zbatimin efektiv të tij, vendi arriti përparim të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke siguruar stabilitetin dhe sigurinë e nevojshme për zhvillim. Sipas raportit, Kina ka përfunduar të 181 detyrat e përcaktuara në planin e mëparshëm, duke theksuar veçanërisht eliminimin e varfërisë ekstreme, zgjerimin e sistemeve të arsimit, shëndetësisë dhe sigurimeve shoqërore, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve. Raporti argumenton se zhvillimi ekonomik ka krijuar bazën materiale për avancimin e mëtejshëm të të drejtave të njeriut dhe për zgjerimin e mundësive të qytetarëve për të marrë pjesë aktive në jetën ekonomike dhe shoqërore.
Periudha nga viti 2026 deri në vitin 2030 është një fazë kritike, për të konsoliduar më tej themelet e modernizimin themelor socialist dhe për të luftuar në të gjitha frontet. Në këtë pikënisje të re, kauza e të drejtave të njeriut në vend gëzon një themel më të fortë dhe kushte më të favorshme, ndërsa populli aspiron për zhvillim me cilësi më të lartë dhe mbrojtje më të plotë të të drejtave të tyre. Megjithatë, në Kinë, zhvillimi i pabalancuar mbetet një problem, ndërsa peizazhi ndërkombëtar, i ndërlikuar nga ndryshimet dhe trazirat, po përballet me pasiguri dhe paqëndrueshmëri në rritje, me pak fjalë, ka sfida të brendshme dhe të jashtme. Gjithashtu, progresi shkencor e teknologjik dhe transformimi industrial kanë krijuar gjithashtu kërkesa të reja për të drejta. Por, duke u mbështetur në sukseset e kaluara, qeveria kineze tani paraqet Planin Kombëtar të Veprimit për të Drejtat e Njeriut të Kinës (2026-2030) ose thjeshtë Plani i Veprimit, i cili përcakton objektivat, detyrat dhe masat për respektimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Plani Kombëtar i Veprimit për të Drejtat e Njeriut në Kinës 2026-2030/Foto nga VCG
Ky Plan Veprimi i përmbahet parimit kushtetues të Kinës për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe nderon parimet e mishëruara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Deklaratën dhe Programin e Veprimit të Vjenës, si dhe konventa të tjera ndërkombëtare. Ai është formuluar bazuar në realitetet e Kinës dhe në përputhje me Skicën e Planit të 15-të Pesëvjeçar për Zhvillim Ekonomik dhe Social.
Udhëzimet për formulimin dhe zbatimin e Planit të Veprimit janë të shumta, duke filluar me ndjekjen e udhëzimeve të Mendimit të Xi Jinping mbi Socializmin me Karakteristika Kineze për një Epokë të Re dhe veprimin sipas deklaratave të rëndësishme të Xi Jinping mbi respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Vazhdohet me qëndrimin e përkushtuar ndaj një qasjeje të përqendruar te njerëzit, respektimin e rrugës kineze të zhvillimit të të drejtave të njeriut dhe integrimin e mbrojtjes së këtyre të drejtave në të gjithë procesin e modernizimit kinez. Dhe, përfundohet me idenë se njerëzit duhet të kenë një ndjenjë më të fortë përfitimi, përmbushjeje dhe sigurie në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Parimet themelore të Planit të Veprimit janë sa të veçanta aq edhe të shënjestruara si p.sh., mbrojtja e jetës, vlerës dhe dinjitetit njerëzor. Progres mbi bazën e barazisë dhe fokus në mbrojtjen e gjithanshme të të drejtave të njeriut përmes përparimit të koordinuar në fushat materiale, politike, kulturore-etike, sociale, eko-mjedisore, etj.
Më 14 qershor 2026, në Chongqing, vullnetarë studentë universitarë u mësuan të moshuarve teknikat e rregullimit të luleve./Foto nga VCG
Objektivat e Planit të Veprimit janë mëse të qarta, në fillim respektimi i pozicionit kryesor të popullit, mbrojtja e interesave themelore të tij dhe promovimi i drejtësisë sociale. Dhe mbi të gjitha sigurimi që përfitimet e modernizimit t’u sjellin dobi të gjithë njerëzve në mënyrë të drejtë.
Objektiva dhe detyra
Këto objektiva do të ndiqen nëpërmjet detyrave kryesore të qarta. Kina do të përshpejtojë modernizimin e bujqësisë dhe zonave rurale për të çuar përpara rigjallërimin e tyre gjithëpërfshirës. Do të promovojë punësim me cilësi të lartë dhe të plotë, do të rrisë të ardhurat e familjeve, do të përmirësojë sistemet e arsimit, sigurimeve shoqërore, të kujdesit shëndetësor, dhe do të sigurojë akses më të barabartë në shërbimet publike bazë.
Më tej, shënohet se Kina do të përsosë ende institucionet, standardet dhe procedurat për demokracinë popullore të të gjithë procesit, do të zgjerojë pjesëmarrjen e rregullt të publikut në çështjet politike dhe do të garantojë që njerëzit të angazhohen në zgjedhje demokratike, konsultime, vendimmarrje, menaxhim dhe mbikëqyrje në përputhje me ligjin. Vendi do të garantojë të drejtat dhe liritë e gjera të njerëzve siç përcaktohen me ligj, do të forcojë mbrojtjen ligjore të të drejtave të njeriut dhe do të sigurojë që respekti dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut të përshkojë të gjitha aspektet dhe të gjithë procesin e legjislacionit.
Në vitet e ardhshme, Kina do të zbatojë Kodin Ekologjik e Mjedisor dhe do të përmirësojë sistemet për përparimin eko-mjedisor. Ndërsa mbetet e përkushtuar ndaj ndjekjes së përfitimeve mjedisore për njerëzit, ajo do të mbrojë sigurinë eko-mjedisore, do të çojë përpara zhvillimin e gjelbër dhe me karbon të ulët e do të arrijë kulmin e karbonit në afat, për të ndërtuar një Kinë të bukur dhe për të promovuar bashkëjetesën harmonike midis njerëzimit dhe natyrës.
Sigurimi i mbrojtjes së barabartë të të drejtave dhe interesave të të gjitha grupeve është sërish prioritet. Kina do të garantojë të drejta të barabarta për pjesëmarrje në qeverisje dhe zhvillim për pakicat etnike, gratë, fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara, do të parandalojë dhe kundërshtojë të gjitha format e diskriminimit social.
Duke iu përmbajtur një qasjeje të orientuar drejt zhvillimit dhe parimeve të përfitimit të njerëzve dhe promovimit të virtyteve, drejtësisë, përfshirjes dhe përfitimeve për të gjithë, Kina do të shfrytëzojë plotësisht teknologjitë dhe të dhënat digjitale dhe inteligjente. Këto do të përdoren si një faktor për të pasuruar jetën e njerëzve dhe për të përmirësuar mirëqenien e tyre, duke promovuar kështu zhvillimin e lirë dhe të gjithanshëm të individëve e duke i mundësuar ata të krijojnë një jetë më të mirë për veten e tyre.
Më 6 mars 2024, nxënësit e klasës së parë në Shkollën Fillore Nr. 1 në Lhasa në Xizang po ndiqnin një orë mësimi./Foto nga VCG
Promovimi i qeverisjes globale të të drejtave të njeriut
Në forum u fol gjatë mbi vlerat e përbashkëta të njerëzimit, praktikimin e multilateralizmit të vërtetë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut përmes sigurisë, zhvillimit dhe bashkëpunimit. Qëllimi është të përparojë qeverisja globale e të drejtave të njeriut në një drejtim më të paanshëm, të arsyeshëm dhe gjithëpërfshirës.
Zyrtarët kinezë zotohen se do të marrin pjesë aktive në çështjet e të drejtave të njeriut të OKB-së, do të zhvillojnë dialog dhe shkëmbime me të gjitha palët në bazë të barazisë dhe respektit të ndërsjellë, dhe do të forcojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin me të gjitha vendet.
Më tej, Pekini zyrtar argumenton se zhvillimi teknologjik duhet të shërbejë për përmirësimin e mirëqenies së njerëzve dhe jo për krijimin e formave të reja të pabarazisë. Në nivel ndërkombëtar, u riafirmua mbështetja e Kinës për multilateralizmin dhe për një qeverisje globale të të drejtave të njeriut që bazohet në dialog, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim. Siguria, zhvillimi dhe bashkëpunimi janë elemente të ndërlidhura dhe se promovimi i të drejtave të njeriut nuk mund të shkëputet nga stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik. Po ashtu, Kina shpreh gatishmërinë për të marrë pjesë më aktivisht në mekanizmat e Kombeve të Bashkuara dhe në shkëmbimet ndërkombëtare mbi këtë temë.
Forumi theksoi promovimin e përmbushjes së përgjegjësive të të drejtave të njeriut nga korporatat, për shembull, përmirësimin e sistemit të vlerësimit të përgjegjësisë sociale të korporatave në prokurimin qeveritar dhe ofrimin e trajnimit dhe mbështetjes së nevojshme për ndërmarrjet përkatëse.
Kina ka ndjekur dhe ndjek parimet e barazisë, besimit të ndërsjellë, përfshirjes, të mësuarit të ndërsjellë, bashkëpunimit fitimprurës për të dyja palët dhe zhvillimit të përbashkët, dhe përmbush detyrimet e saj ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me një ndjenjë të fortë përgjegjësie.
Kështu paraqitet një kornizë e gjerë politikash që synon forcimin e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve në të gjitha fushat e jetës, në një qasje gjithëpërfshirëse, ku zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale, shteti i së drejtës, mbrojtja e mjedisit, përparimi teknologjik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar trajtohen si elemente të ndërlidhura për garantimin e të drejtave të njeriut. Në këtë drejtim, vendoset në qendër rritja e standardit të jetesës, krijimi i mundësive të reja dhe zgjerimi i rrjetit të mbrojtjes sociale.
Së fundmi, mesazhi që del nga dokumentet dhe diskutimet e zhvilluara në Pekin është se koncepti i të drejtave të njeriut po evoluon së bashku me transformimet globale. Të drejtat nuk marrin kuptim vetëm në letër. Ato bëhen reale kur çdo njeri ka mundësinë të jetojë me dinjitet, të arsimohet, të kujdeset për shëndetin dhe të ndërtojë të ardhmen e tij. Pikërisht këtë lidhje mes zhvillimit dhe të drejtave të njeriut thekson qasja që promovon Kina. Kina argumenton se e drejta për zhvillim mbetet themeli mbi të cilin ndërtohen të gjitha të drejtat e tjera, dhe për këtë arsye, vizioni i Kinës për zhvillimin e të drejtave të njeriut, shpaloset duke i lidhur ato ngushtë me zhvillimin ekonomik, drejtësinë sociale, mbrojtjen e mjedisit, inovacionin teknologjik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
AIGS